Shenja se ka përpjekje për marrëveshje midis Athinës e kreditorëve
30 Qershor 2015
Qeveria greke duket se ka nisur një raund të ri kontaktesh me Brukselin, në një përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje para mesnatës së të martës, kur mbaron programi 4 vjeçar i mbështetjes së Greqisë. Përfundimi i programit nënkupton veç të tjerash, se Greqia nuk ka më asnjë akses në financime nga treshja e kreditorëve ndërkombëtarë, KE, BQE dhe FMN.
Sipas të dhënave që nuk janë konfirmuar zyrtarisht, Athina po shqyrton një propozim të paraqitur mesnatën e të hënës nga jean-Claude Juncker, propozim që qeveria greke më herët e kishte kundërshtuar.
Gjatë orëve të fundit, kryeministri Tsipras ka patur biseda telefonike me zotin Juncker, presidentin e Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi dhe presidentin e parlamentit Europisn, Martin Schulz.
Një konferencë për shtyp e zëdhënësit të qeverisë që ishte paralajmëruar për të martën në mesditë u anulua. Nga media vendase kjo interpretohet si një shenjë se ka zhvillime në negociatat.
Sipas burimeve mediatike, kryeministri po shqyrton sërish ofertën e fundit të zotit Juncker. Por Peter Spiegel, gazetar i Financial Times tha se një burim qeveritar grek e përgënjeshtroi këtë. Gjithsesi, Spiegel shtoi se ndoshta do të ketë një lëvizje nga Athina, deri në mbrëmje.
Nga Berlini, kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se nuk shihte shenja reale për një marrëveshje të çastit të fundit, para mbarimit të programit grek, mesnatën e të martës. Në mesnatë programi mbaron. Nuk jam në dijeni se ka shenja reale për diçka tjetër”, deklaroi Merkel gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.
Gjithsesi, Merkel deklaroi se “është e qartë që nuk do t’i mbyllim urat e komunikimit pas mesnatës... kjo do të thotë se porta do të mbetet e hapur, por nuk mund t’ju them diçka tjetër”, shtoi Merkel.
Ndërkohë kreu i grupit negociator grek në negocitatat me kreditorët, Euklidis Tsakalotos, i deklaroi në mesditë agjencisë Bloomberg, se Athina do të mund ta shqyrtonte sërish qëndrimin e vet lidhur me referendumin e të dielës. Por që të ndodhë kjo, duhet të vijë nga kreditorët një marrëveshje që nuk mund ta refuzojmë, theksoi Tskalotos, që është minstër i marrëdhënieve ekonomike ndërkombëtare në qeverinë Tsipras.
Pak më vonë, i njëjti i tha BBC-së se ka gjasa të arrihet marrëveshje para mbajtjes së referendumit.
Një nga kërkesat e zotit Juncker është që kryeministri Tsipras, në rast se do pajtohet me ofertën e propozuar, të ndryshojë qëndrimin e tij në referendum dhe të shprehet në favir të marrëveshjes.
Por në mesditë, ministri i shtetit Nikos Pappas, tha se referendumi do të zhvillohet normalisht dhe se Tsipras do të votojë kundër. Pas referendumit do t’u rikthehemi negociatave dhe do të arrijmë një marrëveshje të mirë për Greqinë javën tjetër”, tha Pappas, që është bashkëpunëtori më i ngushtë i kryeministrit Tsipras.
Ndaje me miqte