Policia greke ka arrestuar tre shtetas shqiptarë dhe ka sekuestruar në një tavernë në Athinë më shumë se 28 kilogramë heroinë. Në pranga ka rënë dhe një shtetase greke, mikesha e njerit prej shqiptarëve të arrestuar, me moshë 32 vjeç, që gjithashtu akuzohet njeri prej krerëve të grupit të trafikantëve. Operacionet e koordinuara të shërbimit antidrogë të Athinës u realizua pas sinjalizimeve të marra nga njësia homologe e Selanikut. Kontrollet në tavernën ku punonte njeri prej shqiptarëve u gjetën të fshehura në një vend të posaçëm 59 pako me heroinë, me peshë të përgjithshme 28, 7 kilogramë. Ndërsa në shtëpinë ku 32 vjeçari bashkëjetonte me 29 vjeçaren greke, u gjetën 5,2 kilogramë nga një substancë që përdoret në përpunimin e heroinës. Gjithashtu u gjetën dhe u sekuestruan një peshore precizioni elektronike, paketa me doza të gatshme heroine, 4.600 euro, 5 telefona celularë, dy letërnjoftime greke dhe një leje e drejtimit të mjetit gjithashtu greke, që dyshohet se janë të falsifikuara dhe përdoreshin për të mashtruar autoritetet. Në banesë u gjet dhe një tjetër shtetas shqiptar, i moshës 34 vjeç, që gjithashtu u arrestua. Policia thotë se rrjeti importonte sasi heroine dhe i trafikonte në tregun grek, pasi më përpara i përpunonte. Gjithashtu, gjatë verifkimeve rezultoi se ndaj 32 vjeçarit dhe shtetases greke ishin nxjerrë që më herët urdhra arresti nga gjykata e shkallës së parë e Athinës, me akuza për drejtim dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale të trafikut të lëndëve narkotike.