SHBAtë hedhin superbombën në Afganistan
Tribuna
14 Prill 2017
SHBA-të kanë përdorur të enjten kundër grupit Shteti Islamik në Afganistan bombën më të fuqishme jobërthamore që është prodhuar ndonjëherë, të mbiquajtur “nëna e të gjitha bombave”, sipas zëdhënësit të Pentagonit.
“Sulmi me bombën GBU-43 që është më shumë se 10 000 kilogram, shënjestroi një seri shpellash në provincën e Nangarhar (lindje të Afganistanit), ku një ushtar amerikan u vra fundjavën e kaluar në një operacion kundër xhihadistëve”, sipas Adam Stump, zëdhënës i Pentagonit.
“Kjo bombë gjigante e drejtuar me GPS, disa metra e gjatë, që nuk ishte përdorur asnjëherë në luftime, u lëshua në mbështetje të forcave afgane dhe amerikane që operonin në këtë rajon”, theksoi Pentagoni.
“Ndërkohë që humbjet e tyre rriten, xhihadistët përdorin bunkerë dhe tunele për të përforcuar mbrojtjen e tyre”, deklaroi në një komunikatë John Nicholson, shefi i forcave amerikane në Afganistan.
“Bomba GBU-43 është municioni i duhur për të goditur këto pengesa dhe mbajtur vrullin e fushatës tonë kundër grupit Shteti Islamik në Afganistan”, shtoi ai.
Presidenti Donald Trump u shpreh se ai ndihej krenar.
“Jam me të vërtetë krenar për ushtarakët tanë. Eshtë një sukses i ri”, u deklaroi Trump gazetarëve.
Megjithatë, analistët sugjerojnë se hedhja e superbombës nuk ka për të treguar rezultate të rëndësishme në terren në Afganistan, ndërsa më e mundshmja ishte që ky aksion të kishte si qëllim kryesor manifestimin e potencialeve ushtarake të SHBA-ve dhe për të paralajmëruar vende si Koreja e Veriut.
Ndaje me miqte