Robert Elsie kanadezi që e lidhi përjetësisht fatin e tij me Shqipërinë.
Armela HYSI
05 Tetor 2017
Ndërrimi jetë i shkrimtarit, albanologut, studiuesit, interpretit dhe përkthyesit me famë botërore, Dr. Robert Elsie është një lajm që bënë gjithë kulturën, letërsinë dhe historinë shqiptare të jetë në zi sot. Lajmin që e lexuam me pak fjalë, plotë dhimbje nga partneri i jetës së tij, Stefan Trierveiler (Stephan Trierweiler) dhe miku familjar Artur Metani, në faqen internetike të autorit, bënte fjalë për një sëmundje të rrallë të neuroneve motorike, që fatkeqësisht u kulmua me këtë largim të parakohshëm.
Jetën dhe karrierën e kanadezit nga Vankuveri, Robert Elsie, do ta lexojmë mekanikisht shumë shpesh këto ditë, në mediat e shkruara dhe elektronike, siç e do rasti, siç duhet pa dyshim të bëhet e njohur, me mirënjohje, tej e mban botës shqiptare, brenda dhe jashtë vendit.
Një karrierë e veçantë, e pasur, që tregon sa me pasion dhe këmbëngulje, sa me profesionalizëm shkencor, metodik dhe talent, sa punëtor i palodhur, prodhimtar elitar dhe hulumuntues cilësor e i suksesshëm, ishte autori e bashkautori i më se 60 titujve, sa i lidhur ishte me Shqipërinë, shqiptarët, gjuhën shqipe, historinë, botën tonë dhe padyshim sa i vyer ishte për ne shqiptarët përballë botës.
Dr. Elsie ishte përkthyes i gjuhës shqipe për botën jashtë, (në anglisht e gjermanisht, dhe ca më tej) por jo një përkthyes i thjeshtë i veprave artistike, që padyshim është një gjë me vlerë për kulturën shqiptare në botë, por një përkthyes e një albanolog fjalorësh të gjuhës shqipe dhe i sa e sa teksteve themelore e thelbësore për t'i dhënë botës jashtë fytyrën e vërtetë, vyrtytet, zakonet, jetën, ndeshjet me të huajin, heronjtë, pikpamjet, pasurinë e gjithanëshme - gjeogafike, folklorike, gjuhësore e dialektore, veshjeve dhe traditave, objeteve historike, arteve figurative dhe bindjeve fetare, besimin e besën, shtrirjen e shqipëfolësve në treva të tjera jashtë kufijëve legjitim shqiptarë, koleksionues e botues fotografishë, mitesh, objektesh hulumuntimi të përgjithshëm dhe veçanërisht gjuhësorë dhe inçizimesh origjinale të njerëzve nga krahina të ndryshme e dokumentash të panumërta, të herëshme e të reja etj., etj.
Një jetë e tërë në shërbim të kauzës shqiptare. Janë gjurmë që sa vjen e do bëhen më të dukshme, më të çmuara, ato që la Dr. Elsie në botë, për shqiptarët dhe qe humbje e rëndë largimi i tij kaq herët nga kjo punë prodhimtare, kolosale, me kaq shtrirje të gjerë dhe dashuri të mirfilltë për përzgjedhjen e tij profesionale. Por për mendimin tim kanadezi - më shqiptar se shqiptarët e mirëfilltë - Elsie, ishte dhe një gjë tjetër, ishte një pasqyrë ku bëjmë mirë të shohim veten, edhe si histori, edhe si popull, edhe si individ secili prej nesh. Interesi që ai tregoi nga fillimet e tij profesionale, rreth viteve '75 të shekullit të kaluar, deri më sot, ishte - dua të besoj - një interes që të ushqen një popull që ka pasuri për t'u zbuluar dhe histori për t'u ritreguar. Ai jetoi Shqipërinë e diktaturës komuniste dhe Shqipërinë e ndryshimeve politike, Shqipërinë e ndryshimeve rajonale dhe Shqipërinë që duhet t'i dilte zot me burrëri, kur duhet të tregonte opinionet e veta në momentet kritike të saj dhe në dëshmitë përkthyese të viktimave të luftës, ku nuk i kanë munguar edhe lotët për Shqipërinë, në sallën e gjyqit përpara mikrofonave. Ai jetoi Shqipërinë dhe Kosovën që “ndryshon çdo vit...shqipëtarët ndryshojnë më shpejt se popujt e tjerë, kam përshtypjen. Natyrisht kanë shumë rrugë për të ecur, janë prapa gjithë të tjerëve, por ecin shpejtë”(interv. dhënë për A. Gashi - 4 shtator 2010) duke shtuar “Kjo është Shqipëria, një kulturë e cila zhvillohet shpejt, me shumë gabime, por ecën përpara, them unë.”, por dhe “shqiptarët që brenda bëjnë shumë zhurmë, kurse jashtë janë memecë”(interv. dhënë për A. Ymeri prill 2016)
Elsie thotë me frikë, por fuqishëm, atë që nuk e mendojnë aspak si të frikëshme sa e sa shiptarë “ them që pas 30 vjetësh po të takohemi (nëse jemi gjallë), do të jetë e qartë pasi këto dialekte ( të shumta të gjuhës shqipe - shën. im) nuk do të ekzistojnë më, do të jenë zhdukur! Dhe të gjithë shqiptarët pas 30 vjetësh do të mundohen të flasin si tiranas.” dhe këtë frikë unë besoj se nuk e ka thjeshtë si një gjuhëtarë i rafinuar dhe i ndjeshëm e me përgjegjësi, por si një njeri që e do vërtetë Shqipërinë dhe që e ndjen se vetëm si një vetvete e plotë do të mund të paraqitemi të dukshëm para botës. Ai gjithmonë këshillon se të tjerët le të flasin, në vend që t'u kundërvihemi atyre, duhet të inçizojmë dhe faktojmë, ballafaqojmë historinë tonë me njerëz që e kanë jetuar. Flet se sot jetojnë faktet e fundit, është brezi i fundit i lahutarëve dhe duhet bërë një inçizim total i këngëve dhe Eposit të Kreshnikëve (me përpjekjet për t’u marrë në mbrojtje nga UNESCO), por thotë dhe se ne shqiptarët sillemi egër me njëri-tjetrin, siç fletë plotë madhështi në lançimet e ndryshme në llogaritë e tij personale në rrjetet sociale për zbulime të reja, për dokumentime të herëshme, për foto të sapo gjetura.
Emrin e Dr. Robert Elsie e kam dëgjuar për herë të parë në adoleshencën e hershme diçka pas viteve '90 në disa biseda të antarëve në grupin Letrat e Lezhës që u mblodh dhe drejtohej pas kthimit në vendlindje të poetit të ndjerë dhe të nderuar z. Ndoc Gjetja, (ku kisha nderin dhe fatin të isha antarja më e vogël) pasi pikërisht për poetin lezhian dr. Elsie kishte shprehur konsideratat e tij të larta dhe të veçanta. Interneti është një burim objektiv ku shpesh kam pëlqyer të lexoj mbi punimet e tij madhështore dhe relatat që dritësojnë Shqipërinë në gjithë jetën e tij, por në maj të 2016-s i dërgova dhuratë, personalisht katër nga librat e mi të fundit poetikë, thjesht sepse gjeta mundësinë ta bëja, për të shprehur mirënjohjen për veprën e tij. Nuk prisja, por për çudi dhe fisnikërinë e tij, megjithëse e kam dëgjuar të thotë se kjo i ndodh shpesh, z. Elsie, një ditë më pas ktheu përgjigje duke më shkruar:
“E nderuar Zonja Hysi
shumë falmenderit për mesazhin dhe për veprat letrare që më dërguat. Do t’i lexoj me interes. RE”.
Ishte një moment i mrekullueshëm për mua dhe familjen time, por dhe një tregues i një shpirti të madh brenda një njeriu modest, të thjeshtë që vërtetë i donte shqiptarët dhe letërsinë. Me dëgjimin e lajmit për ndërrimin jetë të këtij heroi konkret të historisë moderne shqiptare, lexova një thirrje nga e nderuara dhe mirënjohura Flutura Açka, që thoshte si mike e vetë z. Robert Elsie, se dëshira e tij është të prehet në truallin shqiptarë. Besoj se nderi është për të gjithë ne, kjo dëshirë e tij. Eshtë më e pakta që mund të bëjmë dhe promovimi i punës dhe veprës së tij, detyrë dhe amanet i shqiptarëve.
U prehtë në paqe, fluturoftë në amëshim shpirti i Robert Elsie-t dhe mbettë e pavdekshme vepra e tij!
Armela Hysi
Ndaje me miqte