0030 210 33 18 483

Raporti i guvernatorit të bankës që shkaktoi tërmet politik në Greqi

19 Qershor 2015

Guvernatori i Bankës së Greqisë, Janis Sturnaras, ka drejtuar një paralajmërim dramatik, që nëse vendi nuk arrin marrëveshje me kreditorët e vet, atëherë do të hapet rruga për daljen e vendit nga euro. Në të njëjtën kohë, guvernatori Sturnaras ka shprehur shqetësimin se vendi do të rikthehet sërish këtë vit në recesion, ndërsa ka propozuar vazhdimin e përshtatjes fiskale, me theks në reduktimin e lehtësive tatimore. Ishin pikërisht këto theksime në Raportin Vjetor të Politikës Monetare të Bankës së Greqisë, që e shtynë kryetaren e parlamentit grek, Zoi Konstatopulu të mos e merrte në dorëzim raportin, i cili i dorëzohet rregullisht Parlamentit. Fillimisht, Konstantopulu tha se raporti duhej dorëzuar i shtypur në letër dhe jo në trajtë elektronike në një stik USB, siç është bërë gjithë vitet e fundit. Por më pas, kryetarja e parlamentit kaloi në një sulm personal ndaj zotit Sturnaras, që ka qenë ministër i financave në qeverinë Samaras, nga qershori 2012 deri në qershor 2014. “Zoti Sturnaras ka qenë i rreshtuar me politikën e memorandumeve dhe ka shkalur detyrimet e tij si guvernator i Bankës së Greqisë”, tha Konstantopulu duke iu referuar konstatimit që përmbahet te Raporti se “dështimi në negociata do të jetë fillimi i një rruge të dhimshme që do të shpjerë fillimisht në falimentim dhe përfundimisht në daljen e vendit nga zona e euros”. Kryetarja e parlamentit e cilësoi si “të papranueshëm” Raportin dhe e ktheu mbrapa. “Dështimi i negociatave = dalje nga euro dhe nga BE” “Dështimi në negociata do të jetë fillimi i një rruge të dhimbshme që do të shpjerë fillimisht në falimentim dhe përfundimisht në daljen e Greqisë nga euro dhe ndoshta edhe nga bashkimi Europian”, nënvizon Sturnaras në raportin e Politikës Monetare të Bankës së Greqisë. “Një krizë e kontrolluar e borxhit, si kjo që po menaxhojmë sot me ndihmën e partnerëve, do të shndërrohet në një krizë të pakontrolluar, me rreziqe të mëdha për sistemin bankar dhe stabilitetin financiar”, shtoi guvernatori i Bankës së Greqisë, sipas të cilit, dalja nga euro do ta zhvendosë Greqinë “nga bërthama e vendeve europiane, në një vend të varfër të Europës së Jugut”, me recesionin në thellim, me ulje dramatike të të ardhurave dhe shumëfishim të papunësisë. Gjithsesi, Sturnaras vlerëson se “ekziston një përqasje serioze në kushtet dhe distanca që mbetet për t’u bërë deri te finalizimi i marrëveshjes është relativisht e shkurtër”. Ulja e objektivave për suficitet primare është “një vendim me rëndësi kapitale”, vlerëson banka e Greqosë dhe shton se njëlloj i rëndësishëm do të jetë edhe “rikonfirmimi dhe specifikimi i predispozicionit të partnerëve për ristrukturimin e borxhit sovran, ashtu siç u artikulua fillimisht në takimin e Eurogrupit të 27 nëntorit 2012”. Ndërkaq, Greqia sot kërkon sërish mbështetjen financiare nga partnerët dhe sipas zotit Sturnaras, “është e rëndësishme që programi i ri i financimit të bazohet, veç të tjerave, edhe në materializimin e vendimeve të partnerëve europianë në nëntor 2012, për lehtësim të barrës së borxhit, vendime që do të duhet të specifikohen më shumë”. Posaçërisht, në raportin e Bankës së Greqisë, thuhet: 1.Zhvillimi: Për sivjet vlerësohet se ekonomia do të qëndrojë konstante apo do të paraqesë një përmirësim të vogël, por vetëm nëse normalizohen kushtet e financimit të ekonomisë, pasi ekziston rreziku që “ekonomia të futet në një fazë të re recesioni”. 2.Financat publike: periudha e pasigurisë së madhe, që u ndërlidh me situatën e paqëndrueshme politike muajt e fundit të 2014-s, dhe me moszbatimin e një politike të caktuar fiskale, në vazhdim influencoi negativisht buxhetin dhe nuk u arritën objektivat fiskalë për 2014-n. Sa i përket katërmujorit të parë të 2015-s, Banka e Greqisë shënon se buxheti mbeti brenda objektivave, por “në dëm të likuiditetit në pjesën tjetër të ekonomisë”, ndërsa të ardhurat tatimore janë shumë mbrapa objektivave. Për periudhën në vazhdim, Banka propozon zbatimin e një politike fiskale që do të forcojë rritjen ekonomike, përmes ndërhyrjeve të tipit strukturor dhe jo tatimor. Në këtë kuadër, do të duhet të shqyrtohen përjashtimet e ndryshme në taksat direkte dhe indirekte dhe të ruhen vetëm ato që përligjen nga kriteret zhvillimore dhe sociale. Nga zgjerimi i bazës tatimore përmes suprimimit të lehtësive të sotme tatimore, do të mund të kurseheshin çdo vit rreth 3,6 miliardë euro. Tribuna

Ndaje me miqte