Rama prezanton projektin e restaurimit të fshatrave të bregut
02 Prill 2016
Kryeministri Edi Rama ishte të dielën në Vuno të Himarës, ku mori pjesë në prezantimin e projektit të Ministrisë së Kulturës dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës për zhvillimin nëpërmjet restaurimit, konservimit dhe rehabilitimit të vendbanimeve tradicionale të fshatrave të bregut, “Trashëgimia - Motorr zhvillimi”.
Rama tha se, “ky program i ri që përfshin Vunoin dhe Dhërmiun e vjetër, është një rogram rijetëzimi duke ndërhyrë në mënyrë kapilare qelizë më qelizë në të gjitha muret, dritaret, çatitë, për t’i kthyer këtyre dy perlave të Jonit, por edhe të gjithë bregut të Shqipërisë rrezatimin e humbur në kaq shumë vite braktisje nga ana e shtetit, por edhe largimi i familjeve”.
Kryeministri Rama theksoi se, “asnjë shtet në Rajon apo Evropë që do të kishte Vunoin, Dhërmiun, Himarën etj, s’do ja kishte lejuar vetes që për 20 e kusur vite t’i linte në këtë katandi dhe të pranonte të rrënoheshin nën sytë e tij”.
“Janë rrënuar vepra të jashtëzakonshme të historisë e kulturës sonë. Ddimensioni i braktisjes së Kishës së Vunoit ishte kriminal. 110 monumente kulture janë vetëm në zonë e Vlorës. Shumica e 110 monumenteve të kulturës në Vuno, Dhërmi e Himarë. Nuk gjetëm asnjë inventar për monumentet e kulturës. Nuk gjetëm asnjë inventar për objektet e trashëgimisë kulturore”, tha Kryeministri Rama në fjalën e tij.
Gjatë këtij takimi u prezantua nisma “Trashëgimia - Motorr Zhvillimi”, ku nëpërmjet restaurimit, konservimit dhe rehabilitimit të vendbanimeve tradicionale dhe zonave të trashëgimisë kulturore, të rijetëzohet sjellja dhe vlerat tradicionale të komunitetit, të rritet turizmi dhe si rrjedhojë zhvillimi ekonomik i zones.
Gjithashtu u njoftua shpallja e Qendrës Historike të Himarës, fshatit Dhërmi dhe Vuno dhe u miratua rregullorja për administrimin e saj e të zonës së mbrojtur përreth. Pjesë e kësaj pune është edhe projekti “Rrugëtimi i Besimit”, itinerari i kishave të bregut, ku janë gati projektet e restaurimit për 9 kishat më të rëndësishme të bregut.
Vizioni i këtij projekti përfshin restaurimin dhe rikualifikimin urban të territorit në Qendrën Historike dhe zonën e mbrojtur në fshatrat Dhërmi dhe Vuno.
ATSH
Ndaje me miqte