Rama për marrëveshjen me Bashën: Sot fituan shqiptarët më 25 qershor fiton PS
ATSH
19 Maj 2017
“Më 25 qershor do të fitojë Partia Socialiste, por sot ka fituar e gjithë Shqipëria, kanë fituar socialistët dhe demokratët dhe njerëzit e zakonshëm të të gjithë këtij vendi”, deklaroi të enjten kryeministri Edi Rama.
Në mitingun e hapjes së fushatës të socialistëve përpara Piramidës, Rama komentoi kështu marrëveshjen e arritur me kreun e opozitës, Lulzim Basha.
Ai tha se shtyrja e zgjedhjeve me një javë erdhi si këmbim i kushtit për të votuar Vettingun dhe për të realizuar Reformën në Drejtësi e për të larguar gjyqtarët e prokurorët e korruptuar.
“Besoj që më bukur sesa në vend se të çelim sot fushatën elektorale të brohorasim për realizimin e objektivit tonë strategjik, për një Shqipëri me shtet, me punë dhe mirëqënie, për vettingun që do votohet përpara fillimit të fushatës, unë nuk besoj se do të kishte. Të jeni të bindur se me të njëjtën vullnet dhe kokëfortësi që ne luftuam dhe fituam për vettingun do të punojmë për të rritur ekonominë, punësimin dhe mirëqënien”, tha Rama.
Më tej, kreu i PS-së shtoi se “nuk e kemi fshehur që ne PD pavarësisht se çfarë na thoshin, e donim në fushën e betejës, ne në të gjitha rastet do shkojmë edhe vetëm në zgjedhje për të respektuar ditën, por ne dëshirojmë që PD të jetë në fushën e betejës që ne të fitojmë edhe më shumë sesa 4 vjet më parë”.
Për më tepër jo vetëm do fitojmë, por si asnjëherë në histori, deklaroi Rama, opozita do ketë mundësinë që të shikojë nga brenda gjithë ecurinë e këtyre 37 ditëve dhe në fund do të jetë e detyruar të pranojë fitoren pa por, pa sikur, pa andej apo këtej”, deklaroi Rama.
Ndaje me miqte