0030 210 33 18 483

ROBERT GORO: AthinëTiranë ditari i krizave 1 / Kryeministri shqiptar në Athinë maj 1993

Robert GORO 10 Korrik 2016

Shefi i qeverisë greke, Konstandin Micotaqis e cilëson si shumë të rëndësishme vizitën e kryeministrit shqiptar Aleksandër Meksi dhe Greqia pret nga kjo vizitë ngritjen në një nivel më të lartë të marrëdhënieve miqësore dhe konsolidimin e paqes midis Greqisë dhe Shqipërisë. Me këto fjalë, zëvendësministrja e jashtme greke, Virgjinia Tsuderu, i uroi mirëseardhjen në aeroportin e Athinës kryeministrit shqiptar, i cili mbërriti këtu për një vizitë dyditore. “Ardhja, për herë të parë, e një kryeministri shqiptar në Athinë, përbën një stacion pozitiv për marrëdhëniet midis të dy vendeve”, tha më tej zëvendësministrja e jashtme greke. Nga ana e vet, kryeministri shqiptar shprehu kënaqësinë për vizitën në Athinë. Sipas tij, vizita do të kontribuojë pozitivisht në zhvillimin e marrëdhënieve në dobi të të dy popujve. Përgjatë historisë të dy popujt kishin marrëdhënie të mira dhe e mbështetën njeri-tjetrin, tha kryeministri shqiptar, i cituar nga agjencia greke e lajmeve, ANA, që gjithashtu bën të ditur se delegacioni shqiptar do të diskutojë me palën greke kryesisht çështje të bashkëpunimit ekonomik, por zyrtarja e lartë greke tha se vizita do të ndihmojë edhe në zgjidhjen e disa problemeve si dhe do të lehtësojë shkëmbimet ekonomike dypalëshe. Ndërkaq, tematika e bisedës midis dy kryeministrave vlerësohet se do të përqendrohet në çështjen e emigrantëve shqiptarë që ndodhen në Greqi, shumica e të cilave me një status të paligjshëm, si dhe çështja e minoritetit grek në Shqipëri. Kryeministri Meksi ka mbërritur në Athinë, në kohën që shtypi vendas i ka rritur tonet në trajtimin e temës së emigrantëve shqiptarë, duke u përqëndruar totalisht në rritjen e kriminalitetit që i dedikohet pranisë së numrit të madh të fqinjëve të varfër, shumica dërrmuese e të cilëve punojnë këtu për një copë bukë dhe akuzat ndaj tyre nuk argumentohen konkretisht. Thjesht, për krime dhe vepra penale ende të pazbardhura nga organet kompetente thuhet nga media se “mendohet që autorët janë shqiptarë”... Nga ana tjetër, në shtypin vendas janë shpeshtuar referimet ndaj “gjendjes problematike të të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri”, pas dorëzimit, dhjetë ditë më parë, të një peticioni nga ana e kryesisë së organizatës së minoritetit Omonia. Në peticionin që i drejtohet presidentit shqiptar, Sali Berisha, Omonia proteston “për shkeljen e të drejtave njerëzore të minoritetit”, si dhe për “mosmbajtjen e premtimeve nga ana e presidentit për krijimin e një dege në greqisht pranë Universitetit të Gjirokastrës”, dhe kërkohet të realizohen premtimet për çështje që kanë të bëjnë me të drejtën e besimit fetar, pushtetin lokal dhe komunikimin e lirë. Një muaj e gjysmë më parë, Athina kishte përshëndetur angazhimin personal të presidentit Berisha, gjatë fjalës së tij në një takim me përfaqësues të minoritetit në Gjirokastër. Sipas mediave të Athinës, Berisha kishte deklaruar publikisht se “flamuri grek mund të valëvitet denjësisht përkrah flamurit shqiptar në ditët e festave kombëtare greke”, dhe kjo deklaratë kishte shkaktuar entusizëm në opinionin grek, që shquhet për emocionalitetin e tij... Kryeministri shqiptar do të takohet me homologun e tij, i cili tri javë më parë ishte takuar me presidentin Berisha në Ankara gjatë ceremonisë së varrimit të presidentit turk Turgut Ozal. Në atë takim, sipas zotit Micotaqis ishte folur për gjithë gamën e marrëdhënieve dypalëshe, përfshirë minoritetin, emigrantët shqiptarë në Greqi, situatën në Kosovë dhe FYROM. “Fakti se biseduam, nuk do të thotë se pikëpamjet tona përputheshin në çdo gjë”, u ka thënë Micotaqis gazetarëve grekë gjatë kthimit nga Ankaraja dhe ka shtuar se marrëdhëniet me Shqipërinë zhvillohen normalisht, “ndonëse kemi shumë rrugë për të bërë”. Kryeministri shqiptar shoqërohet nga ministri i drejtësisë Kudret ?ela, zëvendësministri i jashtëm Arjan Starova dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ilir Hoti. Sipas shtypit grek, vizita do të kurorëzohet me nënshkrimin e tri marrëveshjeve mbi bashkëpunimin në fushën e drejtësisë dhe atë të doganave, si dhe një që ka të bëjë me investimet greke në Shqipëri. Shtypi thekson se “pala shqiptare ka kërkuar nënshkrimin e një traktati miqësie, por kjo konsiderohet si e parakohshme nga Athina”. Ky ndryshim qëndrimi i palës greke ndaj nënshkrimit të traktatit bën përshtypje, pasi zëvendësministrja e jashtme, Tsuderu, kishte deklaruar në fillim të muajit të kaluar se ky do të ishte qëllimi kryesor i ardhjes së zotit Meksi në Athinë. 16 maj “Etapë e re”..., Traktati më vonë Kryeministrat e Greqisë dhe Shqipërisë, Konstandin Micotaqis dhe Aleksandër Meksi, pas takimit të tyre në Athinë, i cilësuan bisedimet si “tepër konstruktive e të frytshme” dhe kanë theksuar se “një etapë e re u çel në marrëdhëniet dypalëshe”. Gjatë kësaj vizite, që është e para e një kryeministri shqiptar në Greqi, u nënshkruan katër marrëveshje, dhe kryeministri grek konfirmoi se po përgatitej një marrëveshje për legalizimin e emigrantëve shqiptarë, me kusht që, siç tha, “pala shqiptare të angazhohet për kontrollin e kufirit, që të mos hyjnë emigrantët ilegalisht në Greqi”. Ndërkaq, përkundër asaj që ishte lënë të kuptohej para mbërritjes së zotit Meksi në Athinë, nuk është nënshkruar Traktati i Miqësisë midis të dy vendeve. Ministri i jashtëm grek, Mihalis Papakonstandinu, në një intervistë të shkurtër për BBC, vlerëson se Traktati do të nënshkruhet shumë shpejt dhe thekson: “Nuk do të thotë gjë se nuk u nënshkruar Traktati. Nënshkruam katër marrëveshje sot, do të nënshkruajmë edhe të tjera, dhe do të vijë shumë shpejt momenti që të nënshkruajmë Traktatin”. - Pati ndonjë problem gjatë bisedimeve? - Probleme nuk ekzistojnë, por duhet të përgatiten shumë marrëveshje të domosdoshme për bashkëpunimin më të mirë të të dy vendeve. Pra, ecim përpara, nënshkrimi i katër marrëveshjeje ishte një hap i madh, do të nënshkruajmë edhe shumë të tjera që janë thuajse gati, derisa të vijë edhe koha e traktatit të miqësisë. - Ju mendoni se kjo kohë do të vijë shumë shpejt? - Besoj se po”. Por gjatë konferencës për shtyp që dhanë pas takimit të dy kryeministrat, është dëshmuar se midis palëve ka pasur edhe pika fërkimi, ose, të paktën, mospërputhje pikëpamjesh, në katër çështje. 1. Minoriteti: Pala greke kishte këmbëngulur që të shfuqizohej ligji për zonat minoritare, i vendosur nga regjimi komunist dhe që përcaktonte si të tilla zonat me popullsi kompakte minoritare. Gjatë konferencës për shtyp që dhanë të dy kryeministrat pas takimi, një gazetar grek e pyeti Meksin: “Përse e kundërshtoni këtë përcaktim për zona tërësisht greke, si Himara apo Tirana, ku ka rreth 20 mijë grekë?”. Meksi: “Shqipëria është e angazhuar të respektojë të drejtat e minoritetit aq sa respektohen në të drejtën ndërkombëtare. Shqipëria është e angazhuar që dora-dorës të respektohen të gjithë të drejtat. Sa i përket shifrave, mund t’ju them se në tërë atë që quhet Bregu i Detit, konkretisht në Himarë, nuk janë kaq shumë, banojnë rreth 4 mijë vetë që për ne janë shqiptarë”. 2. ?ështja çame: Shtrimi i kësaj çështjeje në bisedime nuk ishte pritur mirë - si përherë-, nga pala greke. Micotaqis kishte përsëritur atë çka kishte shprehur edhe gjatë vizitës së tij në Tiranë, një vit më parë: “Ajo që doja të thoshja për çamët, është se në Tiranë e bëra të qartë qëndrimin e Athinës, thashë se për çështjen e pasurive jemi gati të diskutojmë, me kusht reciprocitetin. Dhe kjo është një nga çështjet e hapura për diskutim, që duhet të avancohet, edhe nga njera palë, edhe nga tjetra”. 3. Kosova: Meksi bëri të ditur se në rast të spastrimit etnik të shqiptarëve, Tirana do të ndërhynte, ndonëse uronte që të mos arrinte puna deri aty. Micotaqis: “Politikën e spastrimit etnik nuk e pranon kush, as Greqia dhe unë besoj se serbët nuk e kanë një predispozicion të tillë”. 4. Plani-Wance-Owen. Micotaqis: “Ne kemi besim absolut se Serbia e sotme e përkrah me sinqeritet dhe vendosmëri planin”. Meksi: “Për palën shqiptare ekziston rezerva se prej më shumë se një viti Serbia përdor metoda të cilat nuk tregojnë një vullnet të mirë për paqe”. Ka shumë gjasë që pikërisht këto çështje të kenë bllokuar edhe nënshkrimin e Traktatit të Miqësisë. Pa anashkaluar edhe faktin se qarqe të kishës ortodokse greke kanë thënë se nënshkrimi i Traktatit do të ishte “katastrofë kombëtare”. Në kohën që kryeministri shqiptar kishte mbërritur në Athinë, metropoliti i Konicës dhe Drinopolisit, Sebastianos, udhëheqësi shpirtëror i lëvizjes për Vorie Epirin, në një letër drejtuar qeverisë greke, e cilësonte si një “katastrofë kombëtare” nënshkrimin e Traktatit të Miqësisë me Shqipërinë. “Ky Traktat Miqësie do të jetë një katastrofë kombëtare për helenizmin e Vorio Epirit dhe ju do të kryeni mëkatin më të madh kombëtar, edhe se abrogimi i njëanshëm i ligjit të gjendjes së luftës, çka atëherë e kritikuat”, thuhej në letrën e Sebastianosit, ku më tej theksohej se “udhëheqësit shqiptarë kanë si objektiv zhdukjen e helenizmit të Vorio Epirit”, ndërsa i bënte apel kryeministrit Micotaqis të marrë masa “para se të jetë vonë”... 17 maj 1993 Bisedimet greko-shqiptare në optikën e medias vendase Media greke nuk ka evidentuar asnjë element pozitiv me dobi reciproke në komentet mbi bisedimet që zhvilloi në Athinë kryeministri Konstandinos Micotaqis me homologun e tij shqiptar Aleksandër Meksi. Thuajse gjithë gazetat, pavarësisht pozicionit ideologjik, kanë shprehur, me tone të larta apo të ulëta, mosaprovimin e tyre ndaj deklaratës së zotit Micotaqis mbi mundësinë e legalizimit të emigrantëve shqiptarë, për punë sezonale, ndërsa kanë sulmuar qëndrimet e kryeministrit shqiptar për çështjen e minoritetit. Një nga gazetat kryesore proqeveritare, Apogevmatini, thekson në komentin e saj me titull “Provokimi i Meksit” se “taktika e qeverisë shqiptare është mos t’i njohë të drejtat minoritetit grek, duke e përcaktuar në 59.000 numrin e grekëve në Shqipëri, ndonëse numri i tyre i kalon të 350.000 vetët”, dhe e fton Tiranën “të tregohet korrekte ndaj parimeve që sanksionohen nga KSBE dhe mbrohen nga Kombet e Bashkuara”. “Greqia mikpriti dje kryeministrin shqiptar me ndjenja miqësore dhe predispozita të shkëlqyera për ndërtimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve konstante të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit. Dhe tani pret nga Shqipëria që të dëshmojë korrektesë dhe t’i përgjigjet vullnetit të mirë të palës greke”, thekson gazeta. Gazeta konservatore Kathimerini ka mbajtur nga takimi i dy kryeministrave faktin se “Shqipëria kundërshton të njohë të drejta minoritare për grekët e Himarës dhe Korçës”. “?ështja e minoritetit grek në Shqipëri vazhdon të jetë një gjemb në marrëdhëniet e dy vendeve”, shkruan gazeta tjetër e të djathtës, Elefeteros, që ia dedikon këtë fakt “kundështrimit të qeverisë shqiptare për të zbatuar konventat ndërkombëtare dhe parimet e KSBE-së, kudo që ka minoritet grek në Shqipëri dhe jo vetëm në pak zona që janë cilësuar si monoritare nga regjimi komunist i Hoxhës”. Një nga gazetat kryesore të së majtës, Ethnos, komenton se “Greqia dhe Shqipëria nuk nënshkruan dje traktatin e miqësisë e të bashkëpunimit, për shkak të pikëpamjeve të ndryshme që dominuan në bisedimet Micotaqis - Meksi, sa për situatën në Ballkan, aq edhe për çështjen e minoritetit grek në Shqipëri, por edhe për emigrantët klandestinë shqiptarë në Greqi”. Për gazetën e majtë, Avgi, në bisedime u evidentua “mosbesimi reciprok dhe mosmarrëveshjet”, por gjithsesi “është e rëndësishme që u nënshkruan katër marrëveshje bashkëpunimi”. “Minoriteti grek, çështja çame dhe punëtorët shqiptarë që gjenden në Greqi vazhdojnë të përbëjnë pika fërkimi midis Shqipërisë dhe vendit tonë”, thekson gazeta e partisë Komuniste, Rizospastis, duke shtuar se “Shqipëria ia bën me sy Kosovës”. Ndërsa gazeta opozitare, “Ta Nea”, i referohet pa shumë ngjyrime emocionale çështjes së legalizimit të emigrantëve, teksa shkruan se “Me një tjetër tërheqje të palës greke në çështjen e emigrantëve klandestinë, u realizua në Athinë takimi Micotaqis-Meksi”, gazeta më e madhe proqeveritare, Elefteros Typos, dominon gjithë faqen e parë me titullin “Të ligjshëm shqiptarët në Greqi!”. Gazeta thekson që “pavarësisht se qeveria thotë që do të ‘shikojë mundësinë e punësimit sezonal të shtetasve shqiptarë në Greqi’, merret vesh kollaj se është fjala për emigrantët klandestinë që aktualisht ndodhen në vendin tonë”. Sipas gazetës, premtimi i Athinës jepet në kohën që “në Epirin e Veriut po mbyllen shkolla greke dhe po hapen kolegje turke dhe kur qeveria shqiptare po përgatit një projektligj satanik që ka për qëllim një operacion të pazëshëm spastrimi etnik kundër voriepirotëve”. Gazeta populiste Avriani, i ka vënë pikëçuditëse titullit të vet: “Katër marrëveshje me Shqipërinë nënshkroi qeveria, megjithë pretendimet e papranueshme të Meksit dhe kthesën e re në çështjen çame!”. “Kryeministri Micotaqis do të avancojë në legalizimin e mijëra shqiptarëve që kanë mësyrë në vendin tonë vitet e fundit, mes të cilëve edhe elementë kriminalë, pavarësisht faktit se qeveria e Tiranës promovon pretendime të papranueshme dhe pa bazë historike”, thekson gazeta në komentin e saj. Në komentet më të ekuilibruara është ai i gazetës To Vima, që shënon se “bisedimet e kryeministrit Micotaqis me homologun e tij shqiptar dhanë zgjidhje për disa çështje praktike, si p.sh., integrimi i valës migruese në disa rregulla të caktuara. Por nga ana tjetër lanë pezull dhe në një farë mase i theksuan më shumë pikëpamjet e kundërta në çështje thelbësore”. Sipas gazetës, arsyeja kryesore që nuk u nënshkrua traktati i miqësisë ka të bëjë me insistimin e negociatorit shqiptar, zëvendësministrit të jashtëm Arjan Starova, në çështjen e dhënies së të drejtave emigrantëve shqiptarë, të drejta që sipas To Vima, “në bazë të së drejtës ndërkombëtare i takojnë vetëm nënshtetasve të një shteti”. Gjithsesi, gazeta nënvizon se qëndrimet shqiptare, sidomos për çështjen e Kosovës e të ish Jugosllavisë (“ku ishte pamundur që të dy palët të gjenin qoftë dhe një pikë konvergimi”), shkaktuan befasi dhe pakënaqësi në Athinë. Konkluzioni që kanë nxjerrë diplomatët grekë është se “qeveria Meksi dhe akoma më shumë presidenti Berisha, kanë mbivlerësuar kapacitetet e Shqipërisë, ngase kanë interpretuar në mënyrë të gabuar mbështetjen që u ofron Uashingtoni”. 19 maj 993

Ndaje me miqte