Qeveria greke ka shpallur të hënën mbështetjen emergjente financiare për të dëmtuarit nga përmbytjet e ditëve të fundit, jo vetëm në Atikën Perëndimore, por edhe në zona të tjera të Greqisë. Siç bëri të ditur zëdhënësi i qeverisë, Dimitris Tzanakopoulos, sapo të përfundojë inventarizimi i dëmeve, do të fillojë menjëherë dëmshpërblimi i familjeve dhe bizneseve që janë dëmtuar. Lidhur me kontrollet teknike që janë bërë, zëdhënësi tha se deri tani, ekipet e ministrisë së infrastrukturës dhe transporteve kanë kryer 1.154 kontrolle për evidentimin e dëmeve në bashkinë e Mandras dhe në njësinë bashkiake Nea Peramos. Në Mandra, 733 prej objekteve që u kontrolluan kanë pësuar dëme dhe duhet që pronarët të marrin dëmshpërblim. Nga këto, 588 janë banesa, 67 biznese, 5 godina publike dhe 73 magazina-depo dhe bodrume. Në bashkinë Megara dhe njësinë bashkiake Nea Paramos janë 222 objektet për të cilat do të jepet dëmshpërblim. Janë 142 banesa, 30 biznese, 2 godina shtetërore dhe 48 magazina e bodrume. Zëdhënesi i qeverisë tha se kontrollet po zhvillohen me intensitet të lartë, me qëllim që të përfundojnë brenda javës, kështu që të fillojë pa vonesë procesi i dëmshpërblimeve. Tzanakopoulos shtoi se dëmshpërblimet që parashikohen nga ligji për riparimin e objekteve të dëmtuara janë si më poshtë: 1000 euro metri katror për rindërtimin e banesës, 500 euro metri katror për rindërtimin e godinës së biznesit 300 euro metri katror për rindërtimin e magazinës dhe 60 euro metri katror për riparimin e banesës 40 euro metri katror për riparimin e godinës së biznesit 20 euro metri katror për riparimin e magazinës. Përveç dëmshpërblime që parashikohen nga ligji, qeveria ka vendosur të japë dhe një ndihmë emergjente financiare. Gjithë familjet e dëmtuara do të marrin nga 5.000 euro, ndërsa bizneset e dëmtuara nga 8.000 euro. Siç tha zëdhënësi i qeverisë, kjo ndihmë emergjente do të jepet edhe në disa zona të tjera të Greqisë që gjithashtu u prekën nga përmbytjet javët e fundit. Këto zona janë: Ishulli Simi, ishulli Samothraki, bashkia Agias në Larisa dhe bregdeti i Katerinit.