Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat pikat kyçe për lejet e qëndrimit
18 Prill 2015
Një qarkore e zgjeruar, lëshuar nga drejtoria e politikës së emigracionit, jep sqarime të reja, që lidhen sidomos me sigurimet shoqërore, të ardhurat vjetore dhe periudhën e largimit nga Greqia, si kushte për rinovimin e lejes së qëndrimit. Zyrtarët grekë, gati një vit nga hyrja në fuqi e Kodit të Emigracionit, konstatojnë se “dispozitat e këtij Kodi nuk zbatohen njëlloj” në të gjitha instancat varëse, siç thuhet në hyrje të qarkores.
Një koment për hyrje
Në fakt, lexuesit tanë e dinë më mirë se kushdo tjetër, që dispozitat “nuk zbatohen njëlloj”, pasi çfarë kërkohet në një zonë nuk kërkohet në zonën tjetër, çfarë kërkohet në jug të Greqisë nuk kërkohet në veri e kështu me radhë. Ka edhe përjashtime sigurisht, dhe një përjashtim i tillë pozitiv (siç e kemi parë disa herë me sytë tanë), është qendra e shërbimit të emigrantëve Athina A. Mirëpo nuk thonë kot, se këto janë përjashtime që vërtetojnë rregullin...
Nuk e dimë nëse këto parregullsi që shtrohen nëpër vite (që kur filloi procesi i legalizimit, në 1998...), bëhen qëllimisht, apo nga padituria dhe mospërgatitja e duhur e personelit. Por ajo që dihet me siguri është se gjithë këto vite emigrantët kanë rënë në shumicën dërrmuese të rasteve preh i sorollatjeve të kota që u kanë kushtuar jo vetëm kohë e para, por edhe vetë statusin e tyre të ligjshëm.
Detajet e qarkores
Eksperti i çështjeve të emigracionit, Fatos Malaj, që sqaroi për “Tribuna-news” shumë prej detajeve të qarkores, na thotë se “Kur arriti në duart e nëpunësve të periferisë ky dokument, hareja u zbeh shpejt, pasi është kaq i gjatë, i komplikuar dhe i paqartë, saqë vështirë të deshifrohet”.
Pavarësisht vështirësive dhe termave të ngatërruar burokracisë vendase, Fatos Malaj shpjegon në mënyrë tepër të kuptueshme, “Avantazh” që buron në qenien e tij si ndërmjetës ndërkulturor në qendrën e shërbimit të emigrantëve A Athinë.
Por le të shohim se cilat janë çështjet kryesore që trajton qarkorja.
1.SIGURACIONI
Qarkorja bën me dije se deri më 30 shtator 2015, për rinovimin e lejes së qëndrimit do të kërkohet vetëm libreza e vlefshme shëndetësore.
Shënim: Për të siguruarit në OGA, libreza e vlefshme shëndetësore do të pranohet deri më 30 prill 2015, pas datës 30.04.2015 duhet të paraqesin një kopje të gjendjes së siguracionit.
IKA
Në momentin e aplikimit për rinovimin e lejes së qëndrimit, i interesuari duhet të ketë librezë shëndetësore të vlefshme
Ose
Vërtetim të aftësisë siguruese
Ose
Verifikim (përmes lidhjes elektronike të shërbimit të emigrantëve me IKA-n) se i interesuari ka realizuar të paktën 50 ditë siguracione në IKA-ETAM gjatë vitit të mëparshëm kalendarik (2014), ose gjatë 15 muajve të fundit.
“Ergosimo”
Për personat që paguhen me ergosimo dhe që nuk kanë librezë shëndetësore, vërtetimi për siguracionet duhet lëshuar nga drejtoria e të ardhurave e IKA-s së vendbanimit, që informon me shkrim shërbimin e emigrantëve mbi periudhën e soigurimit në bazë të “ergosimos”
OGA
Librezë shëndetësore ose 150 ditë siguracione. (Kujdes! Siç thamë më sipër, për të siguruarit në OGA, libreza e vlefshme shëndetësore do të pranohet deri më 30 prill 2015, pas datës 30.04.2015 duhet të paraqesin një kopje të gjendjes së siguracionit).
2.PERLLOGARITJA E TE ARDHURAVE, SI KUSHT PER RINOVIMIN E LEJES SE QENDRIMIT
Së pari, bëhet e qartë se kushti për të ardhura të mjaftueshme, zbatohet për çdo aplikues. Niveli i të ardhurave rezulton nga deklarata e të ardhurave tatimore paraqitur në zyrën e taimeve (Eforia).
-Paga minimale e nëpunësve mbi 25 vjeç është 586,08 euro (mikst)
-Paga minimale e punëtorëve mbi 25 vjeç caktohet në 26,18 euro (mikst)
-Paga minimale nëpunësve nën 25 vjeç është 510,95 euro (mikst)
-Paga minimale e punëtorëve nën 25 vjeç caktohet 22,82 euro (mikst).
a)I interesuari duhet të disponojë të ardhura personale të barabarta ose më të larta nga të ardhurat mujore të punonjësit që paguhet me pagën minimale, sipas legjislacionit grek.
b)Disponon të ardhura të mjaftueshme për pjesëtarët e familjes që ka në ngarkim. Niveli i të ardhurave shtohet me 10% për pjesëtarët e familjes.
Disa shembuj
Rasti 1: I interesuari ka bashkëshorten që posedon leje për bashkim familjar dhe dy fëmijë. I interesuari ka të ardhura vjetore 7.000 euro, siç rezulton nga kontrata e punës.
7000 + 700 (10%) = 7.700 euro
Konkluzion: Aplikuesi nuk e përmbush kushtin e të ardhurave të mjaftueshme dhe kërkesa e tij për rinovim të lejes së qëndrimit refuzohet.
Rasti 2: I interesuari ka të ardhura 6.800 euro dhe pjestarët e familjes që posedojnë leje qëndrimi për bashkim familjar me të drejtë për të punuar, dhe dy fëmijë. Bashkëshortja siguron të ardhura nga puna e vet 1.800 euro.
6.800 + 680 (10%) = 7.480 euro
Ky nivel të ardhurash vjetore nuk është i mjaftueshëm. Mirëpo, duke i shtuar edhe të ardhurat e bashkëshortes (6.800 + 1.800 = 8.600 euro).
Konkluzion: Në këtë rast i interesuari e përmbush kushtin për të ardhura vjetore të mjaftueshme.
Rasti 3: I interesuari dhe bashkëshortja disponojnë leje qëndrimi për punë të varur dhe kanë dy fëmijë. I interesuari paraqet të ardhura vjetore 8.200 euro dhe bashkëshortja ka edhe ajo një pagë vjetore prej 7.500 euro, siç rezulton nga deklarata e të ardhurave. Të ardhurat që duhet të dëshmojë bashkëshorti janë:
8.200 + 820 (10%) = 9.020
Të adhurave të të interesuarit i shtohen edhe të ardhurat e bashkëshoqrtes dhe kështu, të ardhurat familjare vjetore janë:
9.020 + 7.500 = 16.520 euro.
Konkluzion: I interesuari e përmbush kushtin e të ardhurave të mjaftueshme.
Rasti 4: Shtetasi i vendit të tretë dhe bashkëshortja posedojnë leje qëndrimi për punë të varur , kanë dhe dy fëmijë të mitur dhe aplikojnë njëkohësisht për statusin e rezidentit afatgjatë. Njeri nga bashkëshortët ka të ardhura vjetore 7.000 euro dhe tjetri 7.500 euro. Të ardhurat vjetore minimale që duhet të ketë secili prej tyre janë:
7.000 + 700 (10%) = 7.700 euro.
Të ardhurat e të parit u shtohen atyre të të dytit dhe kështu të ardhurat familjare vjetore rezultojnë të jenë:
7000 + 7.500 = 14.500 euro.
Konkluzioni: Në këtë rast, të dy aplikuesit përmbushin kushtin e të ardhurave të mjaftueshme, pasi secili prej tyre disponon të ardhura të mjaftueshme në nivel personal, dhe ka mundësinë që të përmbushë shtimin me 10% nga të ardhurat e përgjithshme familjare.
Robert Goro
P.S.: Të gjithë qarkoren mund ta lexoni në greqisht duke klikuar te linku FOTO GRALERI Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit
Ndaje me miqte