Punonjësit e zyrave të shërbimit të emigrantëve kërkojnë kushte më të mira
Tribuna
20 Maj 2017
Punonjësit e zyrave të shërbimit të shtetasve të huaj dhe emigrantëve në periferinë e Atikës, kanë protestuar ndaj kushteve të vështira të punës dhe ngarkesës së madhe që iu është shtuar javët e fundit.
Në një letër drejtuar ministrit të politikës së emigracionit, Janis Muzalas dhe zëvendësministrit, Janis Balafas, ata i parashtrojnë rëndimin e situatës pas vendimit që këto shërbime të trajtojnë krahas lejeve biometrike, edhe aplikimet për leje të jashtëzakonshme që ndodheshin në ministrinë e brendshme që nga viti 2014.
Në letër, punonjësit paraqesin një sërë kërkesash, duke theksuar dëshirën e tyre që të vazhdojnë të ofrojnë për emigrantët një shërbim cilësor dhe brenda afateve optimale.
Shënojmë se kërkesat e tyre janë mbështetur nga shumë prej shoqatave të emigrantëve në Greqi, përfshirë edhe Federatën e Shoqatave Shqiptare.
I gjithë teksti i letrës ka si më poshtë:
Ministrit të Politikës së Emigracionit, z. Muzalas,
Zëvendësministrit të Politikës së Emigracionit, z. Balafas
Të nderuar zotërinj,
Me këtë letër duam t’ju parashtrojmë kushtet e punës dhe të ofrimit të shërbimit për qytetarët e vendeve të treta nga drejtoritë e shtetasve të huaj dhe emigracionit të administratës së decentralizuar të Atikës.
Që nga tetori 2015, përtej mijëra aplikimeve të zakonshme, këto zyra nisën të pranojnë edhe aplikimet për leje të jashtëzakonshme, që më përpara ishin në kompetencë të ministrisë së brendshme.
Në të njëjtën kohë, morën përsipër legalizimin e mijëra nënave që kishin lindur fëmijë në Greqi dhe baballarët e të cilëve kishin dokumente të rregullta qëndrimi.
Me një organizim të mirë nga administrata drejtuese dhe përpjekjet e mëdha të punonjësve, shërbimet e drejtorisë së shtetasve të huaj dhe emigracionit arritën që dy vitet e fundit të ofrojnë shërbime të shkëlqyera për shtetasit e vendeve të treta që banojnë në Atikë. Dhe kjo, pavarësisht faktit se personeli i shërbimeve shkonte vazhdimisht në reduktim, ndërsa edhe mjediset e punës janë të papërshtatshme për trajtimin e një numri kaq të madh të qytetarëve.
Ndërkaq, që nga prilli 2017, shërbimet tona nuk japin më atë imazh pozitiv që dy viteve të fundit, pasi u mbingarkuan me një barrë të pambajtshme.
Vënia në eficencë e Sistemit të ri Informatik të Emigracionit në shkurt 2017, dhe nxjerrja e lejeve të qëndrimit me tipin e dokumentit autonom, vështirësojnë funksionimin e tyre, pasi futen procedura të reja dhe kërkohen veprime më të shumta. Rrjedhimisht u ngadalësuan ritmet e punës, sa në shërbimin e qytetarëve, aq edhe në nxjerrjen e lejeve të qëndrimit.
Me gjithë parelajmërimet e shefave të drejtorive ndaj ministrisë që të mos realizohet decentralizimi i kompetencave të lejeve për arsye të jashtëzakonshme (7 vjeçari), njëkohësisht me fillimin e lejeve biometrike, jo vetëm që përfundimisht u nënshkrua vendimi i ministrit, por u dha edhe mundësia e kalimit të aplikimeve që janë grumbulluar në ministri që nga viti 2014.
Rezultat i këtij vendimi është pamundësia e drejtorive tona që t’i shërbejnë numrit kolosal të qytetarëve të vendeve të treta. Përtej mundimeve e sorollatjeve, pushuan së qeni njerëzore kushtet e punës të punonjësve tanë; atyre pak që kemi ngelur... Kjo klimë rëndohet më shumë nga presionet e padurueshme prej avokatëve të emigrantëve. Për shkak të këtyre kushteve, por edhe të mungesës së stimujve për të qëndruar në këtë punë, po vërehet tashmë fenomeni i largimeve masive, madje dhe leje pa të drejtë rroge, pasi është rënduar së tepërmi gjendja e tyre fizike dhe shpirtërore.
Zotërinj ministra,
Pasi ju kemi paraqitur qartësisht kushtet e punës dhe klimën që dominon në zyrat tona, por edhe bazuar në dëshirën tonë për të ofruar shërbime sa më cilësore për emigrantët, kërkojmë me forcë sa më poshtë:
1.Ndryshimin e menjëhershëm të vendimit ministror, me qëllim që gjithë aplikimet që janë paraqitur deri më 31.03.2017 të shqyrtohen krejtësisht nga shërbimet e ministrisë, ndërsa mundësia e dorëheqjes dhe aplikimit nga e para të shoqërohet nga praktika e zakonshme, domethënë duke paguar sërish paravolon.
2.Konsultimet me drejtoritë e emigracionit para çdo iniciative ligjore apo nxjerrjen e qarkoreve për zbatimin e legjislacionit mbi emigracionin, me qëllim që korrigjohen gabimet dhe të arrihet një koordinim më i mirë. Takimet “ex post”, domethënë pasi ministria i ka marrë vendimet, janë më së paku diskredituese për punonjësit e shërbimeve tona.
3.Ndalimin e situatës së çuditshme të “bashkëdrejtimit” që vërehet në ministri me “ekspertët e emigracionit”, të cilët, zakonisht, më pak interesohen për të mirën e emigrantëve dhe funksionimin normal të shtetit, e më shumë për shtimin e klientelës së tyre dhe të shpërblimeve të tyre (madje edhe për gradimin e tyre në poste publike)...
4.Ofrimin e stimujve ekonomikë që nëpunësit aktualë të vazhdojnë të qëndrojnë në postet e tyre, si dhe tërheqjen e punonjësve të rinj.
Nëpunësit e drejtorisë së shtetasve të huaj dhe emigracionit të administratës së decentralizuar të Atikës.
(Vijojnë nëshkrimet)
Ndaje me miqte