Punonjës me pagë 100 euro në muaj...
05 Tetor 2017
Më shumë se gjysma e e punonjësve në sektorin privat paguhen me paga mujore nën 800 euro, vë në dukje një studim i Konfederatës Sindikale Greke (GSEE).
Në të njëjtin studim vërehet se thuajse 1.200.000 pensionistë marrin pension më pak se 500 euro. “Kriza ekonomike në Greqi ka krijuar rroga dhe pensione ballkanike”, nënvizon shtypi grek.
Sipas medias vendase, që u referohet të dhënave të studimit, “varfëria po u troket dyerve gjithmonë e më shumë punonjësve dhe pensionistëve”, në kohën që 40% e të ardhurave shkon në taksa dhe kontribute për sigurimet shoqërore. Media shton se situata do të rëndohet edhe më tepër në vitin 2019, që parashikohen reduktime të reja. Sipas të dhënave statistikore, 4 në 10 qytetarë në Greqi gjenden nën limitin e varfërisë.
Në sektorin privat të ekonomisë, janë të shumtë punonjësit që paguhen me nga 3 euro për çdo orë pune. 55% e atyre që kanë filluar rishtas punë, punojnë me një marrëdhënie elastike, domethënë orari dhe paga variojnë vazhdimisht në varësi të situatës së biznesit. 126.956 kanë një pagë mujore prej vetëm 100 euro.
Të dhënat që paraqiti GSEE, tragojnë se ata që punojnë me orar të reduktuar dhe që OAED-i nuk i konsideron të papunë, gjenden me shumicë në bizneset që merren me shitje produktesh dhe shërbimesh, si në e-shop, policitë private, shpërndarje dhe kompanitë e pastrimit.
Ndaje me miqte