Pse është brengosur Fatos Malaj
09 Nentor 2015
Nga Robert Goro
Fatos Malaj është një nga figurat më të njohura të emigracionit shqiptar në Greqi. Me një kontribut të admirueshëm (dhe të padiskutueshëm gjithashtu!), sidomos në përpjekjet për zgjidhjen e problemeve me të cilat ndeshen (përjetësisht) bashkatdhetarët këtu. Me një zë kurajoz, profesional dhe të moderuar njëherazi, që e shpreh sidomos nëpërmjet organizatës Arogji që ka krijuar e drejton, me mbështetjen e një grupi njerëzish poaq të përkushtuar.
Eshtë edhe miku im. Duhet të them se e njoha dhe u bëmë miq relativisht vonë, në 2014, kur iu drejtova për shkak të pyetjeve të shumta që na dërgonin lexuesit e Tribunës dhe që Fatosi kishte dhe ka durimin (dhe ekspertizën, sigurisht), që t’iu përgjigjet përherë në kohë, saktësisht dhe fare qartazi.
Në emër të kësaj miqësie, dhe të këtij respekti po hedh tashmë këto radhë të shpejta, nisur nga një obligim i dyfishtë: i njeriut, por edhe i gazetarit.
Fatos Malaj këto ditë është i brengosur. Lexova në blogun e tij një shkrim plot pezm e keqardhje të sinqertë, që buronte drejt e nga shpirti. Dikush është përpjekur të hedhë baltë kundër tij e ta prekë aty ku njeriut i dhemb më shumë. Më saktë, është bërë një prapaskenë, prej njerëzish -supozoj- që nuk kanë kurajën të dalin hapur, ngase janë mësuar që gjithmonë të hedhin gurin e të fshehin dorën, ose më mirë, të të vrasin natën e të të qajnë ditën. Nga njerëz, që, jam i sigurt, kanë përfituar edhe vetë reputacion (të përkohshëm, sigurisht!) duke përdorur emrin apo shërbimet e Fatosit...
Druaj, (po nuk e ve dorën në zjarr për këtë), se gjithçka është bërë nisur nga ato xhelozirat idiote që na karakterizojnë dhe që, kur pulat tona nuk e bëjnë vezën të madhe -apo më keq akoma, i pjellin klluka-, shkojmë e i vrasim pulën e vet fqinjit...
Po për këtë sigurisht, nuk e ka fajin Fatos Malaj. Nuk e ka fajin Fatos Malaj, që është përherë i papërtuar për t’iu dhënë sqarimet e nevojshme emigrantëve; sqarime që në masë të madhe janë përcjellë nëpërmjet Tribunës, ku bashkatdhetarët përherë e më shumë adresojnë pyetjet e tyre.
Nuk është faji i Fatos Malajt që me një grusht idealistësh ka bërë që organizata “Arogji-Përkrahja” të jetë një bashkëbiseduese e respektuar e autoriteteve greke, deri edhe në parlament, duke u shëndërruar suksesshëm në zërin jo vetëm të emigrantëve shqiptarë, por të gjithë emigrantëve që jetojnë në Greqi.
Brenga e Fatos Malajt buron në pozitën e njeriut që jo vetëm nuk përgëzohet (nga ata që sinqerisht e kanë për obligim) për punën e madhe që bën, po për më tepër, i thuhet vetëm “plaç”.
Nëse do të mund t’i ofroja pak ngushëllim, po i shkruaj këtu më poshtë, për ta mbyllur, njuë shprehje brilante të filozofit të shquar anglez Bertrand Russell (1872-1970): Nëse në botën e sotme kishte një numër të madh njerëzish që dëshironte suksesin e tyre, më shumë se sa dëshpërimin e të tjerëve, pas disa vitesh do të kishim një parajsë”...
Ndaje me miqte