Prince gjeniu amerikan nuk jeton më
25 Prill 2016
Më 21 prill u nda nga jeta muzikanti i famshëm Prince, ikona e muzikës pop Amerikane. Ai ishte 57 vjeç. Sipas njoftimit të mediave, Pince u gjet i vdekur të enjten në mëngjes, në shtëpinë e tij në Mineapolis të Minesotës.
Muzikanti me shumë talente, i cili ka patur ndikim të madh në muzikën botërore, lindi me emrin Prince Rogers Nelson. Ai u bë i famshëm sidomos me këngët "1999", "Little Red Corvette" dhe "Purple Rain", që mban edhe titullin e albumin të tij të vitit 1984 dhe muzikës së filmit me të njëjtin titull, që shënoi një risi në muzikën botërore.
Princi ka shitur mbi 100 milionë albume në të gjithë botën, ka fituar 7 çmime “Grammy” dhe një “Oscar” në kategorinë e Këngës Origjinale më të mirë, për këngën e tij "Purple Rain."
Prince u bë pjesë e Hollit të Famës për Muzikën “Rock and Roll” në vitin 2004.
Pëllumbat vajtojnë sot vërtetë - me këto fjalë u shpreh manjatja amerikane e medias Oprah, duke perifrazuar një nga këngët më të njohura të Princit, pas lajmit për ndarjen nga jeta të artistit amerikan. Ai vdiq dje në moshën 57 vjeçare në rrethana ende të paqarta në banesën e tij në Mineapolis. Vdekja e tij mbyll karrierën e një artisti origjinal që ka influencuar thellësisht botën e muzikës dhe ka frymëzuar brezat e artistëve të rinj:
Për afro katër dekada Princi u bë një emër i mirënjohur i një talenti të rrallë. Për shumë njerëz ai mishëron absurditetin dhe rebelimin e viteve 1980. Por si në art, ashtu në paraqitjen e jashtme ai ishte gjithmonë origjinal dhe në rikrijim të vazhdueshëm. Nuk ishte një trill i sforcuar, por një reflektim i gjenialitetit të tij, shpjegon menaxheri i tij i hershëm Owen Husney:
“E kam njohur personalisht; ai ishte një ndër individët më të talentuar që kam takuar ndonjëherë, por edhe njeri me vullnet dhe ambicje. Një njeri i tillë është i lindur, nuk mund të shkosh në Universitetin Harvard dhe të bëhesh Princi, një talent i tillë është i lindur dhe ai që e ka duhet të dijë ta përdorë”.
Ai konsiderohet si ndër emrat më të mëdhenj të popit dhe rokut në vitet 1980-1990, por vetë artisti nuk pranonte ta kualifikonte krijimtarinë e tij si një xhanër të caktuar. “Eshtë muzikë e frymëzuar, është krijuar nga frymëzimi i brendshëm,” shprehej ai.
Presidenti i Akademisë së Regjistrimeve Neil Portnow kujton se me daljen e tij në skenë, peisazhi muzikor i Amerikës u nda në dy epoka: Para-Princit dhe Pas-Princit.
“Nëse ishe duke ngarë makinën dhe radioja fillonte të jepte një këngë të tij, për mua si muzikant, më kujtohet se kam ndalur makinën dhe kam pyetur veten se çfarë po dëgjoja në ato momente. Ishte diçka krejt unike, krejt e padëgjuar më parë”.
Gjenialiteti i tij tërhoqi vëmendjen e kritikëve të artit. Ai fitoi ?mimin Oscar në 1984 për kolonën zanore të filmit Purple Rain - Shiu i Purpurt, ndërkohë që gjatë karrierës ka marrë shtatë herë ?mimin Grammy.
Krijimtaria e tij ndërthurte influenca nga muzika xhaz, fank dhe disko dhe për një brez të tërë që u rrit në vitet 1980, ai ishte kolona zanore e rinisë së tyre.
Ai solli traditën e kantautorit në epokën e video-klipeve, me vargje lirike e metafora të gjalla të shoqëruara me realizime filmike komplekse.
Këngët e tij kanë lënë pas shprehje dhe personazhe që tashmë janë bërë pjesë e fjalorit të përditshëm. Ai i këndoi dashurisë së parë me vajzën me beretë të kuqe; dhimbjes së ndarjes nën shiun e purpurt, dramës personale nën tingujt e vajtimit të pëllumbave, që tashmë është bërë një ndër këngët e tij më të njohura dhe më të dashura.
Prince doli në skenë në një kohë me lindjen e televizionit MTV dhe u bë ndër forcat madhore që i dhanë formë periudhës së video-klipit.
Ai doli nga skena tepër herët. Ata që e deshën, e ndoqën gjatë gjithë karrierës së tij dhe u rritën me muzikën e tij në radio dhe televizion e kujtojnë nën tingujt e vajtimit të pëllumbave. Për brezat e artistëve që u frymëzuan nga muzika e tij, ai mbetet korveta e kuqe, siç e thonë vetë vargjet e Princit - një flirt i pafrenuar me talentin dhe krijimtarinë, një jetë tepër e shpejtë dhe e pakapshme.
(Zëri i Amerikës)
Ndaje me miqte