Presidenti Nishani dekoron Ambasadorin e Greqisë Leonidas Rokanas
19 Qershor 2016
Në një ceremoni solemne të zhvilluar në Institucionin e Presidentit të Republikës, në praninë e Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, të Ministres së Integrimit Klajda Gjosha, të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, të Ambasadorëve dhe përfaqësuesve të Trupit Diplomatik akredituar në Tiranë, Kreu i Shtetit Bujar Nishani vlerësoi me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile”, Ambasadorin e Republikës Helenike, Leonidas C. Rokanas, me motivacionin: “Në vlerësim të veprimtarisë diplomatike dhe kontributit të çmuar në avancimin e gjithanshëm të marrëdhënieve dypalëshe mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Helenike; mbështetjen e pakursyer të procesit të integrimit evropian të vendit, si dhe për forcimin dhe pasurimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore mes dy popujve tanë fqinj”.
Në fjalën e Tij me këtë rast, Presidenti i Republikës u shpreh: “Së pari, dëshiroj t’ju shpreh falënderimet për pranimin e ftesës dhe praninë tuaj në këtë ceremoni të sotme të vlerësimit dhe nderimit të një miku, të një ambasadori, të një diplomati të një vendi fqinj, dhe jo vetëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, por përfaqësuesin e një populli mik për ne, të një vendi dhe populli me të cilin ndajmë historinë, bashkëpunimin, miqësinë dhe interesa të rëndësishme strategjike të përbashkëta. Për mua është një kënaqësi dhe privilegj që të kem në Institucionin e Presidentit të Republikës dhe të shpreh në emrin tim dhe në emrin e qytetarëve shqiptarë falënderimet, vlerësimet dhe mirënjohjen për kontributin e shkëlqyer të një ambasadori, të njërit prej kolegëve tuaj, zotërinj ambasadorë dhe zonja ambasadore që me praninë tuaj konfirmoni respektin dhe vlerësimin e veçantë për këtë koleg, për të këtë diplomat i cili pa dyshim është në përfaqësim dhe në shërbim të interesave të vendit dhe popullit të tij, por nga ana tjetër në përputhje të plotë të këtyre interesave me miqësinë me vendin dhe popullin tim. Ka një përputhshmëri në vlerësimin dhe shprehjen e mirënjohjes. Nga ajo që unë dua të them sot me praninë tuaj zoti Kryetar i Kuvendit, deputetë, ministra është falënderimi për Ambasadorin Rokanas, një mik i mirë dhe i sinqertë. Për të folur për veprimtarinë gati 4-vjeçare të Ambasadorit Rokanas në Shqipëri pa dyshim që ka shumë hapësirë, mundësi, dhe shumë gjëra për të listuar, renditur dhe për të adresuar, por ajo që dua të vë në dukje e të nënvizoj në fjalën time në lidhje me këtë kontribut ka të bëjë me çuarjen përpara dhe arritjen e standardeve të vlerësueshme të miqësisë midis Greqisë dhe Shqipërisë, midis popullit shqiptar dhe popullit grek, çka ka konfirmuar gjatë aktivitetit dinamik të Ambasadorit Rokanas, të mikut tim të mirë Leonidas, por edhe kolegut tuaj, Ambasadorit të Republikës Helenike në Tiranë.
Unë dua ta shfrytëzoj dhe një herë këtë çast, i nderuar zoti Ambasador Rokanas për të shprehur në emrin tim dhe në emrin e qytetarëve shqiptarë falënderimet dhe mirënjohjen për gjithçka populli grek, Greqia ka bërë për t’iu gjendur pranë, mbështetur, inkurajuar, por dhe për t’i ndihmuar në momentet e vështira të historisë së tyre qytetarët e vendit tim. Do mbetet e paharruar dhe e pashlyer në historinë e vendit tim mikpritja njerëzore, hapja e dyerve të shtëpive të qytetarëve të thjeshtë të Greqisë, por dhe gatishmëria e institucioneve të shtetit grek për të lehtësuar, akomoduar dhe për të mbështetur shqiptarët të cilët në fillimin e viteve ’90-të iknin në mënyrë masive nga Shqipëria në një dëshpërim dhe mungesë shprese si revoltë ndaj asaj që kishin përjetuar përgjatë 50 viteve të izolimit, i cili na tregoi se retorika është zero dhe realiteti ishte i dhimbshëm. Por dhe në vijim populli grek, në tërësi, Greqia ka qenë pranë të gjitha përpjekjeve të Shqipërisë dhe shqiptarëve në rrugëtimin e tyre euroatlantik. Ne sot jemi të dy anëtarë të NATO-s. Greqia anëtare e BE-së, Shqipëria kandidate për anëtare në Bashkimin Evropian. Por Shqipëria pavarësisht këtij statusi ende të paintegruar plotësisht në Bashkimin Evropian mbi të gjitha ka një vizion të çimentuar euroatlantik. Në këtë rrugëtim padyshim Greqia si shumë vende të tjera mike ka qenë pranë Shqipërisë, ka qenë një avokate e mirë e këtij rrugëtimi dhe për këtë unë gjej rastin t’ju përcjell ju dhe përmes jush shtetit grek, qeverive të Greqisë, popullit grek falënderimet dhe mirënjohjen.
Gjatë aktivitetit të Ambasadorit Rokanas në Tiranë ka pasur një dinamikë mjaft të madhe në agjendën diplomatike, politike, kulturore dhe ekonomike midis dy vendeve tona. Disa vizita të disa ministrave të jashtëm të Republikës Helenike në Tiranë kanë qenë pa dyshim dhe një inspirim i kësaj agjende nga ana e Ambasadës dhe i Ambasadorit në Tiranë, të cilat kulmuan me vizitën e shkëlqyer të Presidentit Papulias, të cilin pata nderin, privilegjin dhe kënaqësinë jo vetëm ta mirëpres, por edhe të shprehim dhe përcjellim në emrin e dy vendeve tona dhe popujve të cilët ne kishim fatin dhe nderin të përfaqësonim, ndjenjat e miqësisë dhe nevojën e forcimit të kësaj miqësie dhe të përparimit të këtij partneriteti midis dy vendeve dhe popujve tanë.
Tashmë Ambasadori Rokanas largohet nga Shqipëria për të shërbyer në një vend të madh, por gjithsesi jam i bindur se eksperienca e mirë e asaj që mbolli Ambasadori në Shqipëri: e miqësisë, e sinqeritetit dhe rezultateve konkrete, do të shërbejë për ta përcjellë këtë edhe më tej në detyrën e re, duke ia uruar me gjithë zemër misionin e ri.
Desha të përfitoj nga rasti i pranisë suaj për të shprehur vlerësimet edhe të një dimensioni tjetër për Ambasadorin Rokanas, por edhe për secilin prej jush! Për frymëzimin që ju gjeni jo vetëm tek parimet e lirisë, të demokracisë të vendeve që ju përfaqësoni dhe përcillni tek ne, por edhe tek frymëzimi i njerëzve tuaj të afërt, posaçërisht i familjeve tuaja, pa të cilat jam i bindur se detyra do të ishte edhe më e vështirë, më e ndërlikuar, dhe ndoshta e futur në ngërçin e marrëdhënieve njerëzore, të cilat shpesh herë kanë nevojë për frymëzimin familjar. Prandaj sot dëshiroj zoti Rokanas që të shpreh një falënderim të veçantë për familjen tuaj, për zonjën Eleni, e cila gjithmonë ka ofruar një miqësi të posaçme për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe jam i bindur, megjithëse nuk kam pasur rastin të jetoj në familjen tuaj, se ajo ka qenë mbështetëse e fortë e tërë veprimtarisë suaj diplomatike dhe tërë vizionit tuaj për t’iu përkushtuar miqësisë, partneritetit dhe adresimit të kësaj miqësie në atë që është sot rezultati dhe shembulli më i mirë, më efiçent, dhe unë nuk do të ngurroja ta quaja të shkëlqyer në rang botëror të vizionit euro-atlantik të shoqërive të lira, të botës së lirë dhe civilizimit, për të cilin padyshim që edhe ky bashkëpunim diplomatik ka dimensionin e tij të pazëvendësueshëm.
Më lejoni që në këtë ceremoni të thjeshtë, por të sinqertë dhe vlerësuese, në shenjë mirënjohjeje për këtë kontribut, për këtë aksion diplomatik me fondament miqësor t’i akordoj në emrin tim dhe në emër të Republikës së Shqipërisë Ambasadorit Rokanas Titullin ‘Për Merita të Veçanta Civile.’ Unë dëshiroj të falënderoj Ambasadorin që e pranoi këtë titull që i jepet nga qytetarët shqiptarë, duke i uruar punë të mbarë në misionin diplomatik, i dhe të uroj përmes tij popullit mik grek përparime gjithmonë e më të mëdha! T’i uroj edhe familjes së tij një jetë të begatë dhe prosperitet dhe t’i uroj njëkohësisht të gjithë atyre njerëzve që janë angazhuar dhe fokusuar në detyrën e vështirë, por aq të rëndësishme e të pazëvendësueshme të korpusit diplomatik të Greqisë, por edhe të gjitha vendeve mike dhe atyre që janë të pranishëm sot në këtë takim, urimet e mia dhe sukseset më të mira në gjithë këtë rrugë të gjatë, të lodhshme, por jam i bindur që do të jetë gjithmonë e suksesshme. Edhe njëherë ju falënderoj të gjithëve për praninë zoti Ambasador, i dashur Leonidas! Ju faleminderit!”
Ndaje me miqte