Motivi i atentatit kundër një shtetasi shqiptar në Athinë, duket se lidhet me trafikun e drogës. Kjo përforcohet nga vendimi i policisë greke për të mos publikuar identitetin e të plagosurit, duke e justifikuar këtë me faktin se çështja është ende në hetim e sipër. Sipas dëshmitarëve okularë, ngjarja ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së të shtunës, në kryqëzimin e rrugëve “Aharnon” dhe “Vikela”, jo shumë larg nga nga qendra e Athinës. Viktima, një 40 vjeçar shqiptar, po ecte me këmbë, kur iu afrua një motoçikletë me dy persona. Sipas një dëshmie, ata i rrëmbyen një çantë që kishte në dorë dhe pastaj njeri prej tyre nxorri një pistoletë dhe e shtiu disa herë, duke e plagosur në kraharor. Menjëherë mbërritën patrulla të policisë dhe i plagosuri u dërgua në spitalin Agia Olga, ku po kurohet dhe gjendja e tij ende konsiderohet me rrezik për jetën. Në vendngjarje u gjetën 9 gëzhoja pistolete. Fillimisht u mendua se motivi i plagosjes ishte grabitja. Por gjatë hetimeve, policia po anon më shumë në pistën e një larjeje hesapesh midis trafikantëve të drogës në Athinë.