Piktori shqiptar Kristo Dëfrim Hasa çon ngjyrat e Greqisë në Tiranë
Tribuna
12 Korrik 2017
Një ekspozitë tepër e veçantë është hapur këto ditë në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Ekspozita u hap me bashkëpunimin e bashkive Amaliada, Tiranë dhe Gramsh, si dhe me përkujdesjen e Ambasadës së Greqisë në kryeqytetin shqiptar.
47 fëmijë, grekë dhe shqiptarë, që jetojnë në qytetin Amaliadha të Ilias, kanë ekspozuar punimet e tyre në pikturë, me tema kryesisht nga jeta e përditshme, historia dhe kultura.
Ekspozita i kushtohet paqes dhe miqësisë midis dy popujve, mesazhe që kaq bukur dinë t’i perceptojnë vetëm fëmijtë, me çiltërsinë që i karakterizon.
Piktorët e vegjël janë pjesëtarë të rrethit të pikturës të bibliotekës “Papahristopulio” të Amaliadës. Ky rreth, që nga viti 2006 drejtohet prej piktorit shqiptar, Kristo Dëfrim Hasa.
Kristo Dëfrim Hasa, si mjaft bashkatdhetarë të tij, në fillim të viteve 1990, la vendlindjen e vet Gramshin dhe mori rrugën e mërgimit. U vendos qysh në fillim në Anmaliada dhe shumë shpejt u bë i njohur në qarqet artdashëse të qytetit.
Ekspozita e tij e parë përmbante kryesisht vepra që promovonin atdheun e tij, Shqipërinë.
Ai numëron rreth 55 ekspozita të ndryshme të organizuar në Greqi e Shqipëri.
Duke parë dashurinë e përkushtimin për pikturën, në vitin 2006 i ka ardhur propozimi i parë nga drejtues të bashkisë, për të dhënë mësime pikture nxënësve të vegjël, në kuadër të programeve të bibliotekës.
Për gjithë punën e tij në drejtimin e rrethit të pikturës, por dhe në përgjithësi për kontributin në jetën artistike të qytetit, Bashkia e Amaliadës e ka nderuar me fletë nderi Dëfrim Hasën.
“Për kontributin e tij në qytetin e Amaliadas dhe afirmimin e grupit të arteve figurative të bibliotekës Papahristopulio”, thuhet në fletë nderin e firmosur nga kryetari i Bashkisë së Amaliadas, që Hasës iu dorëzua nga kryetari i shoqatës kulturore “Ilios”, Aleksandros Manolopulos, gjatë një ceremonie të organoizuar në kuadër të ekspozitës, në Muzeun Kombëtar.
Siç tregon Hasa, ideja për këtë ekspozitë e ka fillesën që në vitin 2016, kur ai realizoi ekspozitën personale në Muzeu Kombëtar, me mbështetjen e Ambasadës Greke, dhe bashkitë e Amaliadës dhe Gramshit. Kjo e fundit e nderoi piktorin me titullin “Nderi i kulturës gramshiote”.
Në ekspozitën e titulluar “Ngjyrat e Greqisë në Tiranë”, janë paraqitur 120 punime të 47 piktorëve të vegjël grekë dhe shqiptarë, të moshave 5-11 vjeç.
Me organizimin e kësaj ekspozite, Kristo Dëfrim Hasa dëshmon se është një ambasador i përkryer, jo vetëm i atdheut të vet, por edhe paqes e miqësisë midis dy popujve që ende po vuajnë të gjejnë gjuhën e mirëkuptimit...
Ndaje me miqte