Përse kjo dashuri e shqiptarëve ndaj Erdoganit?
Blendi FEVZIU
17 Korrik 2016
Ishte befasuese, por jo e papritur. Grushti i shtetit në Turqi, mori vëmendjen e shqiptarëve, me shumë se çdo event tjetër ndërkombëtar.
Më shumë sesa zgjedhjet amerikane, më shumë sesa dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian madje edhe më shumë sesa gjithë eventet politike në vendet fqinje, nga të cilat, varet fati i shumë emigrantëve shqiptarë. Kishte një vëmendje befasuese, tek të gjitha zonat ku banojnë shqiptare, nga Kosova në Maqedoni e nga Shqipëria në Mal të Zi. Që shqiptarët patën këtë vëmendje për Turqinë m’u duk befasuese.
Për shumë vite zhvillimet atje kanë qenë periferike dhe asnjëherë në vëmendje të Shqipërisë. Edhe lajmet nga Turqia kanë qenë të rralla dhe fare të zbehta në shtypin tonë. Ndaj ky evidentim në rrjetet sociale vetëm sa rihapi një pikëpyetje të madhe që lidhet me shkakun e saj. A ishte vëmendja ndaj Erdoganit dhe statuset pro tij një qëndrim parimor i shqiptarëve? Pra a ishin ato qëndrim legjitim ndaj një grushti shteti puçist që tentonte të rrezonte një qeveri të dalë nga zgjedhjet e lira? Pra a ishte reflektim i një leksioni demokracie?
Vështirë të thuhet kjo. Sepse ndërsa reagimi i parë kundër një grushti shteti ishte legjitim dhe në sinkron më gjithë botën demokratike, reagimet e më pasmë, tregonin se më shumë sesa demokracinë, shumica e shqiptarëve të shqetësuar në rrjetet sociale për fatin e Erdoganit dhe problemet e tij të brendshme politike. Ata që reaguan me të drejtë kundër grushtit të shtetit, nuk shkruajtëm më asgjë për dhunën ndaj ushtarëve, për vrasjet makabre që tronditen rrjetet sociale, për shkarkimet masive që janë karakteristikë vetëm të vendeve autoritariste apo diktatoriale. Akoma më tutje mbeta i befasuar nga adhurimi ndaj Liderit Turk, me postime plot pathos dhe me shikimin e tij si mbinjeri. Të adhurosh demokracinë e kuptoj; të adhurosh qytetarët që u shtrinë nën tanke për të penguar një grusht shteti edhe këtë e besoj.
Eshtë dinjitoze. Por të adhurosh një person që sillet në mënyrë të tillë nuk është aspak normale. Dje pashë një grup studentësh në Shkup që grisnin diplomat e tyre sepse ato ishin lëshuar nga Kolegjet e Gulenit. Që nga Revolucioni Kulturor Kinez nuk kisha parë një gjë më absurde. Njeriu duhet të ketë respekt për shkollën ku studion; ajo është pjesë e rëndësishme e jetës së tij; e thotë gjithnjë me mburrje atë dhe kujton me nderim profesorët e tij. Por të djegësh diplomën tënde apo ta grisesh sepse paske studiuar në një shkollë e investuar nga një njeri që nuk e do Erdogan, kjo është vërtet jashtë çdo logjike normale. Nuk është çudi që e gjithë kjo histeri më shumë sesa me demokracinë dhe parimet e saj, të ketë të bëjë me besimin dhe identifikimin e shumë myslimanëve me Turqinë.
Në fakt, nëse besimi është i njëjtë, Erdogani nuk është khalif. Ai nuk është skeptër-mbajtësi i myslimanizmit në botë dhe as shpëtimtari i saj. Eshtë një President i zgjedhur nga turqit, për hir të së vërtetës në mënyrë legjitime, por i kritikuar mjaft dhe me të drejtë për autoritarizmin e tij. Mund të jetë besimtar, por assesi nuk mund të jetë modeli i besimtarëve shqiptarë, kudo qofshin ata. Dhe aq më pak mund të jetë model tolerance dhe mirëkuptimi.
Dy parime që kanë shoqëruar gjithnjë islamizmin shqiptar. Ndaj u befasova duke parë dje këtë entuziazëm për një politikan në rrjetet sociale, entuziazëm që shqiptarët bëjnë mirë ta ruajnë për të tjera evente dhe personazhe politike.
Ndaje me miqte