Pas 25 vjet ndryshime demokratike Shqipëria ka përballë të njëjtat sfida
27 Nentor 2015
Diplomatë dhe studiues të njohur morën pjesë në simpoziumin "Shqipëria 25 vjet pas komunizmit", ringritja e shtetit dhe e shoqërisë shqiotare, të organizuar nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare.
Ata diskutuan mbi ecurinë e demokracisë shqiptare, suksese dhe dështime, duke u përqëndruar tek goditja e korrupsionit dhe tek bashkëpunimi mes forcave politike.
Protagonistë të njohur të fillimeve të demokracisë shqiptare folën mbi ngjarjet dhe përgjegjësit e papritura që u lindën intelektualëve shqiptarë menjëherë sapo diktatura u rrëzua dhe fitoi pluralizmi politik.
Shkrimtari Besnik Mustafaj theksoi drejtuesit e rinj të Shqipërisë u morën shumë me politikën dhe pushtetin dhe lanë mënjanë vlerat e lirisë, prandaj në fund të gjithë dështuan në ndërtimin e një jete të re demokratike.
Ambasadorja e Be-së në Shqipëri, Romana Vlahutin, tha se tranzicioni nuk ishte aspak i lehtë.
“Liria ishte forma e parë e përgjegjësisë për veten dhe shoqërinë. Për të ndërtuar shoqërinë dhe me shikimin nga e ardhmja ju duhet të ndahen nga e kaluara. Regjimi komunist vrau rreth 7 mijë kundërshtarë politikë, afro 6 mijë të tjerë janë zhdukur dhe nuk kanë varre, diktatura burgosi dhe internoi dhjetëra mijëra të tjerë dhe mijëra dosje të shërbimit sekret janë ende të mbyllura” - tha zonja Vlahutin.
Ambasadori i i SHBA në Shqipëri, Donald Lu, theksoi se demokracia ka nevojë për kompromise dhe marrëveshje për të bashkëpunuar në shërbim të qytetarëve.
“Marrëveshja e arritur javën e kaluar mes qeverisë dhe opozitës mbi dekriminalizimin ishte marrëveshja e parë që kamë parë nga afër sa kohë jam këtu prej një vit. Ndryshime themelore janë duke ardhur. Besoj se reforma me rëndësi si ajo e drejtësisë do të miratohen ditët dhe javët në vazhdim” - tha ambasadori Lu.
Ndërsa studiuesi Elez Biberaj tha në fjalën e tij se Shqipëria gjendet përsëri në udhëkryq, sepse po vuan më shumë se vendet e tjera prej cilësia e ulët të demokracisë.
Sipas tij, trashëgimia komuniste dhe dobësia ekonomike ende është e madhe dhe vuajtjet e sotme janë pasojë e vendimeve të elitave qeverisëse.
Shqipëria po prodhon numrin më të madh të emigrantëve, sepse kanë humbur shpresën, ndërkohë që korrupsioni ka hedhur rrënjë, tha ai.
Vendi ka përballë shumë sfida që kanë vënë në provë drejtuesit e saj.
Paligjshmëria është bërë e zakonshme dhe mbajtja e një posti zyrtar është mënyra më e përhapur për t'u pasuruar.
Sistemi gjyqësor është i korruptuar dhe zyrtatët ndikojnë vazhdimisht në vendimet e gjykatave.
Demokracia vuan nga polarizimi i skajshëm, edhe pse dallimet ideologjike janë ngushtuar ndjeshëm. Kryeministri Rama bëri premtime të bujshme për reforma dhe ka bërë përparime në shumë fronte, por me shumicën e madhe në parlament, ai nuk e pa të nevojshme të bashkëpunonte me opozitën.
Por theksoi zoti Biberaj, bashkëpunimi mes qeverisë dhe opozitës është jetik për Shqipërinë.
Studiuesit pohuan se klasa politike vuan nga përqënfdrimi tek interesat partiake afatshkurtra, kur reformat kërkojnë konsensus të gjerë.
Ndërkohë udhëheqësit politikë kufizojnë hapësirat e kundërshtarit, gjendja është e rëndë dhe çmimi i dështimit mund të jetë i madh.
Ata pohuan se bashkësia ndërkombëtare duhet ta ndihmojë Shqipërinë ta konsolidojë demokracinë e saj, duke mbështetur demokratë, që e duan zhvillimin e vendit dhe duke lënë mënjanë politikanë të korruptuar.
Ilirian Agolli (Zëri i Amerikës)
Ndaje me miqte