Organizata &ldquoArogji Përkrahja&rdquo largohet nga Federata e Shoqatave dhe shpall synimet për të ardhmen
Tribuna
21 Shtator 2017
Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja” ka publikuar me anë të një deklarate se largohet nga përbërja e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi.
Vendimi është marrë me shumicë votash, në mbledhjen e fundit të komitetit drejtues të organizatës.
Njëkohësisht me vendimin për largimin nga FSHSHG, “Arogji” ka bërë të ditur edhe aksionin e vet të radhës: sensibilizimin sa më efektiv të masës së bashkatdhetarëve për krijimin e një organi me të vërtetë përfaqësues të komunitetit shqiptar në Greqi. Kjo do të bëhet nëpërmjet motivimit të njerëzve të thjeshtë, por edhe figurave të njohura që ushtrojnë veprimtarinë e tyre profesionale, në fusha të ndryshme të jetës këtu në Greqi. Dhe sigurisht, edhe në bashkëpunim me gjithë grupimet që do të dëshirojnë sinqerisht t’i bashkohen kësaj inciative.
Siç theksohet në deklaratë, “Arogji” shumë shpejt do të bëjë të njohura etapat e para të këtij aksioni të rëndësishëm.
E gjithë deklarata e organizatës “Arogji-Përkrahje” ka si më poshtë:
"Në mbledhjen e saj të fundit, më 19 shtator, organizata “Arogji-Përkrahje” vendosi me shumicë dërrmuese votash që të largohet nga radhët e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi, ku kishte aderuar prej më shumë se në viti.
Vendimi u muar pas diskutimesh të shumta, të gjalla e të argumentuara, e mbi të gjitha me frymë përgjegjësie dhe qytetarie.
Në fakt, tema e mbledhjes ishte për të vendosur një kandidaturë në zgjedhjet e radhës të FSHSHG-së, por diskutimet konkluduan në vendimin për largim.
E sqarojmë qysh në fillim se Arogji aderoi në FSHSHG, me dëshirën e mirë që të ndihmonte në reformimin e këtij organizmi që mëton të jetë përfaqësuesi eksluziv e fuqishëm i komunitetit shqiptar në Greqi. Por fakti është - dhe këtë e di shumëkush- që federata nuk ka mundur të dalë jashtë kuadrit të një shoqate modeste, në numër anëtarësh dhe në veprimtari.
Propozimet e Arogjiës synonin pikërisht që të zgjeronin vokacionin dhe performancën e FSHSHG, por ato propozime u trajtuan në rastin më të mirë me indiferentizëm dhe në rastin më të keq me një autoritarizëm provincial. Theksojmë se përfaqësuesit e Arogjisë kanë kërkuar që prej një viti një raport financiar për Federatën, dhe ky raport ende nuk është dhënë...
Arogji nuk dëshiron të japë më shumë argumente për largimin nga FSHSHG. Fundja një anëtar më pak nuk është se përbën ndonjë problem të madh: sigurisht që do të gjenden 40-45 vetë për t’u zhvilliar procedura e zgjedhjeve e për të zgjedhur 7 apo 9 anëtarët e kryesisë të cilët pastaj do të deklarojnë se janë përfaqësuesit e ligjshëm të komunitetit më të madh të emigrantëve në Greqi, zgjedhur në mënyrë demokratike.
Dhe tani, çfarë?
Sigurisht, edhe pse largohet nga FSHSHG, “Arigji” do të vazhdojë vazhdojë aktivitetin e saj në dobi të bashkatdhetarëve por edhe të emigrantëve dhe refugjatëve të tjerë që ndodhen në Greqi.
Por Arogji dëshiron të bëjë publik shqetësimin për mungesën e përfaqësimit të komunitetit shqiptar në Greqi, një mungesë që për fat të keq ka qenë bashkudhëtar i rrugës që ky komunitet ka përshkuar këtu në emigracion. Sigurisht, për këtë mungesë nuk janë fajtorë ekskluzivë drejtuesit e sotëm të FSHSHG, dhe as ata burra e gra të respektuara që vite më parë, në kushte shumë më të vështira, u përpoqën sa mundën që ta bashkonin e organizonin komunitetin. Ne nderojmë e do të nderojmë vazhdimisht drejtuesit e shoqatës “Vëllazërimi”, “Iliria”, “Shqiptarët e Selanikut”, “Nënë Tereza”, “Klubi Drita”, etj., që me punën e tyre vetmohuese hodhën themelet e bashkimit e përfaqësimit të shqiptarëve në Greqi. Mirëpo, për arsye objektive dhe subjektive rruga e tyre mbeti në mes.
Nuk është vende këtu për të bërë analiza. Mendojmë se përgjegjësi për këtë gjendje ka secili shqiptar.
Arogji synon pikërisht të zgjojë vetëdijën qytetare të bashkatdhetarëve, me qëllim që zëri i tyre të ketë një emërues të përbashkët. Sepse sot ka ardhur koha që zëri ynë të dëgjohet në kancelaritë e Athinës e të Tiranës. T’u tregojmë që ne nuk jemi thjesht “gjakdhuruesit” që me punën e remitancat tona mbajmë gjallë ekonominë shqiptare e kontribuojmë jashtëzakonisht edhe këtu në Greqi. E sidomos nuk jemi “ushtarë të bindur” për të cilët dheu amë kujtohet vetëm në raste zgjedhjesh, siç ka ndodhur deri më tani.
Të gjithë jemi dëshmitarë të nivelit të lartë të integrimit që pjesa më e madhe e bashkatdhetarëve kanë arritur këtu në Greqi, me mund e sakrifica të mëdha e mbi të gjitha, me ndershmëri. Në të gjithë Greqinë ka me dhjetra çuna e goca që kanë mbaruar këtu apo jashtë shkollat dhe po bëjnë karrierë të suksesshme profesionale; ka shkencëtarë dhe profesionistë me tituj e grada që shkëlqejnë në fushat e tyre; ka artistë që gjithashtu janë mjaft të njohur për publikun greke e shqiptar.
Pikërisht këta duhet të jenë në ballë të organizimit të ri, të marrin përgjegjësinë si atdhetarë. Dhe Arogji këtë do të synojë të bëjë, “t’i zgjojë” gjithë këto forca, e t’i stimulojë për të punuar në dobi të komunitetit. Që komuniteti të ketë me të vërtetë vendin që i takon dhe nga ana tjetër të forcojë urat e miqësisë e të bashkëpunimit midis popullit grek dhe shqiptar, larg llogarive meskine të politikës.
Arogji ka filluar faktikisht të punojë në këtë drejtim dhe shumë shpejt do të komunikojë etapat e para të këtij aksioni që e konsiderojmë si imperativin më të rëndësishëm të jetës tonë".
Ndaje me miqte