Nobelistët paralajmërojnë për një krizë të re ekonomike: E pasigurt e ardhmja e monedhës euro
Tribuna
21 Gusht 2017
Elita botërore e ekonomistëve paralajmëron për rrezikun e një krize të re ekonomike, ndërsa vlerëson se e ardhmja e monedhës euro është e pasigurt.
Pak para fillimit të takimit të laureatëve me çmimin Nobel që zhvillohet çdo vit në qytetin Lindau të Gjermanisë jugore, gazeta Die Welt ka kërkuar nga 18 ekonomistë që të diskutojnë mbi problemet aktuale të ekonomisë botërore.
Një dekadë pas shpërthimit të krizës së fundit, ekonomistët e laureuar me çmimin Nobel paralajmërojnë për rrezikun e shpërthimit të një krize të re.
Një rrezik që duket se është nënvleftësuar kohët e fundit, për shkak se aktualiteti është dominuar nga çështjet që lidhen me terrorizmin, mundësinë e një ballafaqimi bërthamor dhe presidentin amerikan, Donald Trump. Vëmendja ndaj problemeve të ekonomisë dhe dobësitë e sistemit ekonomik kanë kaluar në plan të dytë.
Ekonomistët dyshojnë nëse bota ekonomike dhe financiare do të jetë ndonjëherë mjaftueshëm e përgatitur për krizat e ardhshme.
“Rreziqet ekonomike i ngjajnë elektricitetit në një rrjet gjigand”, thotë Daneil McFadden, fitues i Nobelit për ekonominë në vitin 2000. Dhe shpjegon: Ashtu si me energjinë elektrike edhe në ekonomi ekziston një qark i mbyllur financiar. “Nuk i disponojmë instrumentet që t’i mbikqyrim, t’i rregullojmë dhe t’i menaxhojmë këto oshilacione. Prandaj kriza e re ekonomike është e pashmangshme”, vlerëson McFadden.
Përndryshe, shumica e të pyeturve vlerëson se monedha e përbashkët europiane, euro, nuk e ka kapërcyer krizën ekonomike dhe krizën e borxhit.
“Euro do të arrijë të mbijetojë me sukses vetëm kur politika ekonomike e Bashkimit Europian dhe e Eurozonës të vihen në baza më të shëndetshme dhe përmirësohet stanjacioni ekonomik i disa vendeve anëtare”, vuri në dukje McFadden.
Eric Maskin, fitues i Nobelit në 2007, shkon një hap më tej, duke shpjeguar se “nëse euro ka për të mbijetuar në plan afatgjatë, do të duhet që BE të ketë jo vetëm politikë monetare të përbashkët, por edhe fiskale”.
Sipas ekonomistit amerikan Edward Prescot (Nobel 2004), është një punë e kotë: “Jam shumë pesimist për euron. E vetmja pyetje është se çfarë dëmi do t’i shkaktojë eurozonës para se të rrënohet... Vendet anëtare të BE-së do të duhet të ruajnë sovranitetit e tyre sa u përket çështjeve ekonomike”, theksoi.
Përndryshe, sipas ekonomistëve, problemi më emergjent për gjithë botën është ndryshimi klimetik, që përtbën dhe rrezikun më të madh për njerëzimin. “Marrëveshja e Parisit për Klimën duhet të respektohet, pavarlësisht nëse SHBA-të u larguan”, nëvizon nobelisti finlandez (2016), Bengt Holmstrom.
Ndaje me miqte