Niveli i papunësisë në Greqi 212%
Tribuna
15 Mars 2018
Niveli i papunësisë në Greqi, për tremujorin e katërt të vitit të kaluar, ishte 21,2%, ka çertifikuar Autoriteti Statistikor Grek (ELSTAT). Kjo shifër dëshmon një rënie prej 2,4 njësish në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2016. Por nga ana tjetër, u rrit me 1 njësi në raport me nivelin 20,2% që ishte regjistruar në tremujorin e tretë të 2017-s, për shkak të përfundimit të sezonit turistik.
Numri i të papunëve rezulton të jetë 1.006.844 persona. Shumica dërrmuese e tyre, 722.914 u përkasin të papunëve afatgjatë (atyre që kërkojnë punë prej më shumë se një viti).
Në të kundërt, është mjaft i vogël numri i personave që përfitojnë asistencë papunësie, vetëm 120.821.
Sipas studimit të ELSTAT, shkaqet kryesore që ata ndërprenë punën ishte: ose pse u pushuan (27,5%), ose pse puna e tyre ishte me afat të kufizuar dhe përfundoi (27,4%).
Pjesa më e madhe e të papunëve punonte më përpara në sektorin e hotelerisë dhe atë të ushqimit (19%).
Sa i përket profesionit që ushtronin, shumica e tyre (30,3%), punonin në sektorin e shërbimeve apo si shitës.
Ndaje me miqte