Nis aplikimi për Lotarinë Amerikane
TRIBUNA
04 Tetor 2016
Të martën, 4 tetor 2016, nis procedura e aplikimit për Lotarinë Amerikane, për të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët kanë dëshirë të emigrojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Regjistrimet për DV-2018 fillojnë më 4 tetor 2016, ora 18:00, ora lokale e Shqipërisë dhe mbyllen më 7 nëntor 2016, ora 18:00, ora lokale e Shqipërisë. Ju mund të aplikoni tek dvlottery.state.gov gjatë kësaj periudhe”, sqaron ambasada amerikane në Tiranë.
Ndërkohë jepen edhe udhëzimet dhe kriteret që duhet të plotësojnë aplikantët.
Aplikantët që janë përzgjedhur nga programi i lotarisë duhet të plotësojnë kërkesa të thjeshta, por të rrepta të pranueshmërisë¸ në mënyrë që të kualifikohen për një vizë shumëllojshmërie. Një kompjuter përzgjedh rastësisht aplikantët për vizën e lotarisë. Vizat e lotarisë shpërndahen ndërmjet gjashtë rajoneve gjeografike dhe asnjë vend i veçantë¸ nuk mund të përfitojë më shumë se 7% të Lotarive (DV-ve) të disponueshme për çdo vit.
Këtë vit janë publikuar rregulla të reja për të gjithë pjesëmarrësit në lotari të cilët, nuk duhet të dalin foto me syze pasi do të skualifikohen automatikisht.
“Mos përdorni fotografinë që përdorët vitin e kaluar në DV-2017 dhe hiqini syzet kur të dilni në fotografi për lotarinë, përndryshe ju do të skualifikoheni automatikisht”, sqaron ambasada.
Kriteret Kualifikuese mbi Arsimimin dhe Punësimin
Të gjithë aplikantët e lotarisë së Vizave të Shumëllojshmërisë (DV) këshillohen të shqyrtojnë udhëzimet mbi kriteret e kualifikimit të arsimimit dhe punësimit para se të aplikojnë. Aplikanti kryesor (ai që është përzgjedhur në bazë të numrit të aplikimit) duhet të ketë arsimim apo punësim të kualifikueshëm me qëllim që të kualifikohet për një vizë të programit të lotarisë së DV-së.
Arsimimi: Aplikantët duhet të kenë mbaruar arsimin e mesëm me kohë të plotë që është i barasvlefshëm me arsimimin në të paktën një shkollë të mesme amerikane (4 vjeçare, me kohë të plotë, arsim i përgjithshëm). Diplomat e shkollës së mesme gjimnaz me kohë të plotë kualifikohen për lotarinë. Shkollat e mesme profesionale me kohë të plotë mund të kualifikohen nëse ato në thelb përputhen me kërkesat thelbësore të një të arsimi të mesëm me kohë të plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vendimi përfundimtar do të merret nga oficeri konsullor në ditën e intervistës për vizë.
Diplomat e shkollës së mesme me kohë të pjesshme - pa shkëputje nga puna, shkollat e natës ose ato me korrespondencë, përfshirë programet pesë vjeçare ose programet e gjata (me kohë të pjeshme, pa shkëputje nga puna, shkollat e natës ose me korrespondencë) nuk kualifikohen për programin e lotarisë. Edhe nëse ju keni mbaruar një pjesë të shkollës së mesme në sistemin pa shkëputje nga puna dhe pjesën tjetër në sistemin me kohë të plotë, kjo diplomë nuk kualifikohet për programin e lotarisë.
Diplomat universitare kualifikohen për programin e lotarisë së DV-së.
Punësimi: Aplikantët që nuk përmbushin kriterin e arsimimit, duhet të përmbushin kriterin e përvojës në punë për dy vjet në një profesion që kërkon të paktën dy vjet trajnim apo përvojë brenda një periudhe pesëvjeçare menjëherë para aplikimit. Vetëm disa profesione specifike kualifikohen për programin e Vizave të Shumëllojshmërisë.
Për t'u kualifikuar për një vizë të lotarisë mbi bazën e eksperiencës së punës, ju duhet të keni brenda pesë viteve të fundit dy vjet përvojë në një profesion që është përcaktuar si Zonë Pune 4 ose 5, e klasifikuar në Përgatitjen Profesionale Specifike (SVP) të vlerës 7.0 ose më lart. Profesionet kualifikuese të DV-së janë të renditura në Bazën e të dhënave të Departamentit të Punës O*Net Online Database.
Ndaje me miqte