Në ditëlindjen e poetit: Të shuajmë mallin për Ndoc Gjetjen me poezitë e tij
12 Mars 2016
"Ajo që të bënte vërtetë më shumë përshtypje se të takosh një njeri kaq të paqtë, fisnikë e të thjeshtë, në një kohë kaq të çartur, është se ai këtë e kishte natyrën e tij të vetë-pavetëdijëshme. Ishte i tillë dhe vazhdonte të ishte i tillë, pa sforco dhe padashur të ndryshojë. I ngjante Sokratit grek të Epokës së Artë".
Nga Armela Hysi
Nga të gjitha shprehjet, epitetet, titujt a nderimet që i janë bërë gjatë tërë jetës së tij poetit të madh shqiptar Ndoc Gjetja, për mua më i dashuri dhe që më pëlqen ta përdor më shpesh, për z. Gjetja është Krishti i Poezisë Shqiptare. Nuk e di, veç se me hamendësi, si filloi të përdoret ky paralelizëm. As se si mund ta përdor gjithsecili, disi për pamjen, për karakterin e përulur me gjithë barrën e mençurisë dhe talentit që mbarte aq natyrshëm, për vetë njehsimin biblik që bënte me jetën e tij, vetë Ndoci, për poezinë e tij aq shpirtërore, për vargun e poetit njerëzit i doja si krisht, e të tjera të ngjashme; por kush e ka njohur poetin dhe njeriun tejet të madh nuk mund të mos e kuptoje se është kaq i përshtatshëm, kaq i drejt ky epitet hyjnor. Ndoc Gjetja është një nga njerëzit më fisnikë që kam patur nderin dhe fatin të njoh në jetën time dhe këtë fisnikëri e jepte kaq me bujari tek të gjithë, sa që të bënte përshtypje kjo madhështi thjeshtësie - po huazoj një nga shprehjet më të bukura që ka përdorur miku i tij i ngushtë dhe i dashur, letrari dhe intelektuali i njohur z. Kujtim Dashi në librin e tij Thellësia e Madhështisë, Poetit dhe Njeriut NDOC GJETJA (Tiranë 2004). Por ajo që të bënte vërtetë më shumë përshtypje se të takosh një njeri kaq të paqtë, fisnikë e të thjeshtë, në një kohë kaq të çartur, është se ai këtë e kishte natyrën e tij të vetë-pavetëdijëshme. Ishte i tillë dhe vazhdonte të ishte i tillë, pa sforco dhe padashur të ndryshojë. I ngjante Sokratit grek të Epokës së Artë në të gjithë atë mençuri që mbarte dhe jepte kudo, nga ana njerëzore, nga ana poetike, filozofike e shpirtërore; por dhe naivitetit në lidhje me interesat personale, sepse mendonte se njeriu duhet t’ja kushtoi jetën të mirës së përgjithëshme dhe vepronte pa hezitim, por ajo që e lidhte kaq shumë me figurën hyjnore të Krishtit, qe dashuria e sinqert e njeriut Ndoc, për njerëzit e tjerë, për bashkëqytetarët, për shpirtrat.
Për Ndocin poet, padyshim që është shkruar mjaft, s’kishte se si të ndodhte e kundërta, megjithëse jam sigurisht e mendimit se jo mjaftueshëm, por duke mos dashur të zgjatem në këtë shënim që është vetëm për të përkujtuar poezitë që na shoqërojnë këto vite që vetë Ndoci gjendet në Olimpin qiellor të poezisë - po shtoj se vetëm tek gjenijtë e çdo zhanri vihet re një njehsim kaq i madh i asaj çka bëjnë, me atë çka janë. E gjithë kjo fisnikëri dhe dashuri hyjnore dhe e qetë dhe e sinqertë, përcillet kaq vërtetësisht në poezinë e Gjetjës, me shije të papërsëritshme artistike, jo vetëm si mjeshtër i vargut dhe gjetjes, apo bërjes së fjalës, por edhe me një ritëm poetik të mirfilltë që e transmeton tek lexuesit thjesht magjishëm dhe është sikur sheh vetë poetin, prandaj dhe Visar Zhiti poeti i njohur dhe i vlerësuar, shpreh aq bukur, atë që e mendojmë kështu të gjithë “Unë te poezia e Ndocit e te njeriu Ndoc Gjetja nuk gjej asnjë ndryshim, përkundrazi. Te Ndoci shoh poezinë, te poezia shoh Ndocin”. Aty ku e shohim ne të gjithë, e do e shohin brezat.
AUTOPORTRET
Vendbanimi:
Në Lezhë me trup dhe mendjen emigrante në yje.
Profesioni:
Thurës ëndrrash dhe mbrojtës besnik i tyre
Gjendja sociale:
Mbetje teknologjike e administratës shtetërore
se nuk diti t’u japë përkuljet e duhura eprorëve.
Gjatësia:
E mjaftueshme për të arritur një ditë mollën e ndaluar
Pesha:
Sa vetja, sa ëndrra, sa fjala e thënë dhe e shkruar.
Shenja të veçanta:
Një pentagram rrudhash me nota trishtimi në ballë
dhe një mjekër e thinjur nga moslejimi kaq vite i saj.
Sytë:
Kafe me nuanca të turbullta pasionesh të djegura.
Ngjyra:
E errët për fshehjen e skuqjes nga faje të lehta.
Titujt:
I dekoruar Njeri qysh në ditën e lindjes nga Nëna.
Bindjet:
Njeriun në jetë e bën të lumtur vetëm Njeriu.
Antipatitë:
Burrat me grada, gratë me shumë tule dhe miu
Simpatitë:
Jezusi nga Nazareti, Don Kishoti i Mançes dhe Buda.
Frikërat:
Shëndoshja e trurit, uji, zjarri dhe turma.
Besimi:
Në kryqin e tij që e mban përditë në shpinë.
Pasuria:
Drita e mendjes me të cilën fitoi varfërinë.
YLLI IM NUK NDIZET ME
O vajzë që të njoha në jetë kaq vonë!
Ti gjithë qenien time e bëre lëmsh,
ti më ktheve shumë prapa në kohë
ti më zbrite një tridhjetëvjetsh.
Në vitin kur ti ke ardhur në jetë
në botën time sapo hynte femra,
e sheh ç’hon kohe kemi ndërmjet
vogëlushja ime e madhe sa ëndrra?
Më kot shpenzova pas një Dulqinje
gjithë jetën time si Don Kishoti,
dhe tash më shfaqesh krejt papritur
si një tallje nga vetë Zoti.
Sa herë ta ndiej frymëmarrjen afër,
humbas në qiellin magjik të syve
dhe befas përmendem e bie ashpër
te rëndomësitë e jetës sime.
Ti vjen dhe ikën dhe mbetesh ëndërr
se ylli im nuk ndizet më
me muzgun e moshës jam mbështjellë
dhe ndihem i lodhur e dua... të flë.
PLEQERISHTE
Më në fund u plakëm grua,
siç e sheh dhe vetë
me thinja të bardha e rrudha
na mbushi kohë e sertë.
Dhe shëtitjet i rralluam
nëpër dhomë vijmë përqark,
dhe në vend të tyre shtuam
kollën dhe kafenë me pak.
Sa më ka marrë malli, grua
të zemërohem qoftë dhe kot,
si dikur atje tek udha
kur të shihja me një shok.
Ne kemi vite që pasqyrën
e përdorim shumë rrallë
se kemi sytë e njëri-tjetrit
fytyrat tona për t’i parë.
KUR FILLOVA NGA PAK TE VDISJA
Kur fillova nga pak të vdisja
mbaj mend, ka qenë e enjte
vetëm ty pranë të kisha
rrije në këmbë dhe heshtje.
Në sytë e tu binte borë,
në fytyrë të fryu Veriu,
unë te brinjët vura dorën
ndjeva zemrën që mërdhiu.
Mbaj mend si e hape derën
si e tërhoqe pas dhe ike,
në palcë të ëndrrës ndjeva therrje
që më vonë m’u bë kronike.
Që ta marr pakëz veten,
vazhdimisht më sjellin njerëzit
reçel të ëmbël buzëqeshjesh
dhe ca pako me ngushëllime.
Përherë i lë në tryezë pa hapur
kompostot me lëng entusiazmi,
e nuk i prek me dorë fare
pjatat plot me optimizëm.
Ah, e humba krejt oreksin
nga ky virus shpirtëror i dhembjes,
me zor flas e me zor qesh
më kot rri në tryezë të jetës.
PUTHJA
Sa gjëra të shëmtuara si grindja dhe sharja
Ndodhin në mesin e rrugës së madhe
Po ajo më njerëzorja
Më e madhërishmja, më hyjnorja
Puthja
Ka mbetur ilegale.
FUNDI I PRITJES
Të shtunë piva shtatë kokrra valium
që të zgjohem vetëm të hënë,
se desha të dielën pa ty ta humb
për ta kaluar sikur s’ka qenë.
Po, ja, e hëna e shumëpritur erdhi
e vonoi të ikë gati një shekull.
Si të shpëtoj tani i shkreti
nga kjo torturë që quhet Nesër?
Dhe gjithë e marta u shtri mbi mua
si oktapod me këmbë të ngrira
ah, pres të më vijë e mërkura
të më clirohet pakëz fryma.
E mërkura më erdhi e iku
më gjeti e më la pa ty,
e enjtja zvarritej porsi kërmilli
e premtja më solli vetëm shi.
Edhe e shtuna m’u var në shpirt
si një kornizë pa pikturë,
shpresës që ti do vish një ditë
tani po i vë përsipër një gur.
KATER QIRINJ
Një dhembshuri e thellë e një mall i heshtur
për ëndrrat e mërdhira nën pelerinë vetmie
më shtynë sonte të ndez katër qirinj të vegjël
përpara altarit të shenjtë të zemrës sime.
Të parin e ndeza për takimin tonë të parë,
të dytin e ndeza për të papërsëritshmen puthje,
të tretin e ndeza për çastet e paharruara të prehjes
në parajsën tënde të gjirit dhe të supeve.
Të katëritn e ndeza gabimisht e dashur
sepse ndoshta gabimisht u deshëm
ose ndoshta gabimisht u ndamë
pa e ditur përse nuk do të vdesim bashkë.
NJESHIT
Në rendin e pafund të numrave të plotë
matematikisht ti je më i vogli në botë
por papritur u bëre kaq tepër i madh
në sajë të zerove që të shkojnë pas.
POETI
Në çastin kur fjalën e zuri nën vete numri
Shpirtin filloi të mos e nxinte trupi,
Dhe plasi palca e jetës me një klithje të fortë
Dhe doli nga e çara poeti i parë në botë.
Ai gabimisht nuk lindi që të lëpijë me vargje
?izmet e të mëdhenjve e copëzat e mecenatëve,
Dhe gabimisht nuk rron e gabimisht s’do të vdesë
Me prapanicën mbi karrigen e karrierës.
Ai erdhi që të kryejë porosinë e madhe të shpirtit
Me alkiminë e fjalës të shkrijë gurët e Sizifit,
Ai është heshtja e rëndë që do të mbytet me fjalë,
Ai është lufta e dritës me të kundërtën e saj.
Ai është boshti i Qenies që kërkon të mbushet,
Ai është faqja e virgjër që dëshiron të puthet,
Ai është çasti i ri që nuk përsëritet kurrë,
Ai është plak, fëmijë, grua, djalë dhe burrë.
Ai është shurdhëria e verbër që kërkon veshë dhe sy
Ai është malli yt për mua dhe malli im për ty,
Ai është vera në dimër dhe pranvera në vjeshtë,
Ai është ai që s’e dimë kush është.
DIALOG
-Vogëlush ,
Më duket sikur ti më ikën larg
Kur të kam në gjumë.
-Babi, dhe ti mua më lë
Dhe më ikën larg
Megjithëse je këtu
Kur shkruan.
SHKALLET
O ç’mrekulli
Do të ishte ngjitja
Po të mos përdoreshin
Shkallët!
EPITAF
Këtu prehet ai që quhej Ndoc Gjetja
i cili pati ardhur gabimisht në botë,
ai nga vetja e tepruar nxirrte vjersha
dhe gjithë njerëzit i quante shokë.
Kur pa që ëndrra kalkulohej në kompjuter,
kur pa që idealet rrëzoheshin në kolltuqe,
kur jepte buzëqeshje e merrte skërmitje,
zuri sytë me dorë dhe vendosi të ikte.
Dhe shkoi e hyri në Manastirin e Unit
të shpëtonte shpirtin nga gjuhëligat e Lehjes
... Pastaj e përcollën te banesa e fundit
te vila dymetërshe e ullishtes së Grykëzezës.*
Në çastin e mbramë një hënë e përgjakur
e puthi në ballë dhe thirri “Nënë”...
Mos kërkoni të dini për të më tepër
se iku sikur të mos kishte qenë.
*) me shpenzimet gratis nga Bashkia e Lezhës -në varjant të mëparshëm(shën. im)
Poezitë e këtij cikli janë shkëputur nga librat e Ndoc Gjetjas
RREZATIM (1971)
SHQIPONJA RREH KRAHET (1975)
QENDRESA (1977)
E PERDITSHME (1982)
?ASTE (1984)
POEZIA SHQIPE - 35 - KOLANA (1987)
KTHIMET (1991)
DHJATA IME (1998)
BIRI I NJERIUT (2004)
Ndaje me miqte