Ndryshon kreu i Shoqatës së Emigrantëve Shqiptarë: largohet Hidër Buci kryetar i ri Arben Cani
22 Dhjetor 2015
Shoqata e Emigrantëve shqiptarë në Greqi ka mbajtur konferencën zgjedhore, pas dorëheqjes së revokueshme të kryetarit të deritanishëm, zotit Hidër Buci, i cili e argumentoi vendimin e tij me arsye personale.
Pjesëmarrësit kanë shprehur mirënjohjen e tyre për kontributin e çmuar të zotit Buci në krijimin dhe drejtimin e kësaj shoqate, por edhe në aktivitetin e tij të pashterrshëm në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të emigrantëve. Madje edhe për çështje që askush tjetër nuk pati guxuar t’i përmendë, Hidër Buci e ka ngritur zërin e tij deri në organizmat më të larta ndërkombëtare, si Parlamenti Europian, OKB, Shtëpia e Bardhë, pa përmendur peticionet e panumërta në drejtim të dy qeverive, greke dhe shqiptare.
Njëlloj edhe shoqata e emigrantëve shqiptarë, ka qenë dhe është organizata më aktive për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave drejtave të bashkatdhetarëve emigrantë në Greqi.
Në zgjedhjet për kreun e ri të shoqatës morën pjesë më shumë se 90 anëtarë me të drejtë vote. Pas zgjedhjeve demokratike e të lira, ashtu siç përcaktohet në statusin e shoqatës, kryetar i ri u zgjodh zoti Arben Shefki Cani. Zoti Cani është një nga themeluesit e shoqatës dhe një zë përherë i fuqishëm në mbrojtjen e kauzës së emigracionit shqiptar në Greqi e në botë. Ai gjithashtu është një biznesmen i nderuar e i respektuar jo vetëm nga komuniteti shqiptar, por edhe nga banorët grekë të zonës Glyka Nera.
Zoti Arben Cani dhe Këshilli, pas Zgjedhjeve u betuan se “Nuk do të heshtim për kërkimin dhe mbrojtjen e të drejtave të Emigrantëve Shqiptarë në Greqi. Njëkohësisht iu bëjmë thirrje gjithë emigrantëve shqiptarë të bashkohen rreth kësaj shoqate. Të largohen nga partitë politike shqiptare, të cilat nuk disponojnë fuqi ligjore për t’i mbrojtur emigrantët në Greqi, por qëllimi i tyre është vetëm marrja e votave, si dhe për t’i grabitur emigrantët nëpërmjet tarifave konsullore, por edhe rrëmbimit të programeve të ndryshme që Europa ofron për ndihmën dhe integrimin e emigrantëve.
Në mbledhje u diskutua dhe u miratua njëzëri që zotit Hidër Buci t’i akordohet titulli “Kryetar nderi i Shoqatës së Emigrantëve Shqiptarë në Greqi”. Njëkohësisht, zoti Buci mbetet kryetar i Unionit të Kombëtar të Emigracionit shqiptar dhe botues i gazetës “Zëri i Emigrantit”.
Kujtim Gjoka, kryetar i Degës së Shoqatës, Argos
Ndaje me miqte