Ndryshimet në qeveri janë çështje orësh drejt zyrtarizimit. Katër ministra mësohet se do të lënë detyrën, një prej tyre është ministri kyç i qeverisë, ai i punëve të brendshme Saimir Tahiri. Blendi Klosi, Bledi ?uçi, Ilir Beqja gjithashtu do të dorëzojnë portofolet e ministrive përkatëse. Për këtë arësye Edi Rama i thirri të dielën në selinë e Partisë Socialiste shumë nga anëtarët e kabinetit, të cilët njëkohësisht mbajnë edhe detyrën e të deleguarve të kryesisë në qarqe të ndryshme të vendit. Duket se afrimi i zgjedhjeve ka vënë në lëvizje kupolën e ngushtë drejtuese të socialistëve që po bën gati edhe këto lëvizje në kabinetin qeveritar. Saimir Tahiri do të jetë përgjegjës për fushatën e Tiranës, kryeqyteti dhe rrethinat që çojnë jo pak, por 34 deputetë në parlament. Bledi ?uçi do të jetë në qarkun e Gjirokastrës, Blendi Klosi në Berat, ndërsa Ilir Beqja në Kukës dhe Dibër. Përgatitja për fushatë do të jetë pjesë e diskutimit edhe të hënën kur socialistët do të mbledhin kryesinë e madhe, jo vetëm për të diskutuar lëvizjet e fundit në qeveri, por edhe për të shqyrtuar emrat që do të zëvëndësojnë ministrat që do të lëvizin. Pjesën më të madhe të diskutimit do ta marrë zëvendësimi i Tahirit, për shkak të pozicionit nevralgjik që ka ministria e brëndshme në punët e vendit. Televizioni publik Shqiptar citon burime zyrtare sipas të cilave janë katër alternativa që po diskutohen, si mundësi për zëvëndësimin e zotit Tahiri. I pari është Niko Peleshi, një propozim tërësisht politik. Emri i dytë që po lakohet për të zëvëndësuar Saimir Tahirin është ministrja aktuale e shtetit Ermonela Felaj, për shkak të edukimit të saj profesional në fushën e të drejtës penale. Një emër i tretë, por më pak i mundshëm si kandidaturë është deputeti i PS në Kukës Vexhi Muçmataj. Emri i katërt që gëzon mbështetjen e kryesisë së socialiste është Pandeli Majko i cili thonë burimet është gjithashtu një opsion potencial. Duket se zëvëndësimi i Saimir Tahirit po mban pezull emrat e kandidatëve që do të zëvëndësojnë, Klosin, ?uçin dhe Beqajn. Burime në Partinë Socialiste i thanë RTSH se një nga emrat e mundshëm për zëvëndësimin zotit Blendi Klosin është deputetja socialiste Olta Xhaçka. Burimet saktësuan se të gjitha ministret femra që janë aktualisht në kabinet do të qëndrojnë në detyrë.