Ndahet nga jeta Stavri Kristo babai i botuesit të gazetës &ldquoIntervista&rdquo
03 Prill 2016
Duke u gdhirë e diel është ndarë nga jeta në moshës 86 vjeçare, Stavri Kristo, një emër i njohur i gazetarisë dhe letrave shqipe. Lajmin e ka publikuar me një njoftim lakonik në rrjetin social facebook, djali i tij, Artan Kristo: “Sapo u nda nga jeta babai im Stavri Kristo. Varrimi bëhet ditën e hënë në Tiranë”.
Stavri Kristo ka punuar në detyra të ndryshme në sektorin ideologjik (të periudhës komuniste). Si shumica e brezit të tij punoi me përkushtim, duke i besuar idealeve të rreme që servirte komunizmi. Por kjo nuk e pengoi që të mbetej gjithë jetën një intelektual me integritet dhe në moshën e tretë të ndante me publikun kujtimet e veta të çmuara.
Në moshë mjaft të re, 23 vjeç, Stavri Kristo filloi punën si redaktor në emisionin shqip të Radio Moskës, me qendër në kryeqytetin e BRSS të atëhershëm. Aty punoi për 8 vite rresht dhe përjetoi gjithë periudhën e marrëdhënieve të ngushta shqiptaro-sovjetike, periudhë që kulmoi me përplasjen Tiranë-Moskë në 1960-1961.
Për më tepër, Stavri Kristo ka qenë përkthyes në takimet e udhëheqjes së lartë shqiptare me atë sovjetike, çka përbën një përgjegjësi të papërshkrueshme, por edhe një favor të rrallë.
Kjo përvojë e vyer i ka shërbyer të ndjerit për të shkruajtur librin me kujtime “Në Moskë, mes Hrushovit dhe Enverit”, që u botua në 2014 dhe mbahet si vepra më e rëndësishme e tij. Por edhe një kontribut mjaft i vlefshëm që hedh dritë në periudha të cilat ishin vendimtare për historinë moderne të Shqipërisë.
Stavri Kristo ishte babai i botuesit të gazetës “Intervista”, Artan Kristo. Me Artanin na lidhin kujtime tepër të çmuara, si koleg, por më shumë si mik, që nga vitet e bështira të rinisë.
Me këtë rast i shprehim ngushëllimet tona të sinqerta, Artanit e familjes; dhe në veçanti nënsë së tij, zonjës së nderuar Ollga.
Diana GORO
Robert GORO
Ndaje me miqte