Mitsotakis paraqet &ldquohartën rrugore për daljen nga kriza&rdquo: &ldquoLargimi i Tsiprasit nevojë historike&rdquo
Tribuna
18 Shtator 2016
Mitsotakis paraqet “hartën rrugore për daljen nga kriza”: “Largimi i Tsipras-it, nevojë historike”
Kryetari i Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotakis ka prezantuar gjatë një fjalimi në kuadër të panairit të Selanikut “Kontratën e të Vërtetës” me qytetarët.
Shefi i partisë më të madhe opozitare ka theksuar qysh në fillim se “largimi i z.Tsipras nga pushteti është një nevojë historike për vendin” dhe se ndryshimi politik është “kusht për ecjen përpara” të vendit dhe daljen nga kriza.
Mitsotakis u angazhua që të bëjë “gjithçka për ta çuar të gjithë së bashku atdheun në daljen përfundimtare nga kriza”, duke iu referuar një “shoqërie të zhgënjyer thellësisht që u mashtrua nga demagogjia e paskrupullt” e qeverisë së udhëhequr nga Tsipras.
“Nuk do të jap premtime false. Nuk do të shpërndaj para që sot nuk ekzistojnë. Gjendem këtu që t’ju flas për kushtet e një zhvillimi gjithëpjesëmarrës që do të çojë në rritjen e ekonomisë kombëtare dhe do të garantojë prosperitetin e qytetarëve grekë”, theksoi Mitsotakis.
Sulm ndaj Tsipras-it dhe kërkesë për zgjedhje
Duke iureferuar paraqitjes së kryeministrit Tsipras në panairin e Selanikut, javën e kaluar, kryetari i ND tha se shefi i qeverisë “nuk nxorri asnjë mësim nga shembja e fantazive të rrezikshme në shkëmbinjtë e realitetit”.
“Vazhdon pa u penduar dhe duke ofenduar. Vazhdon të përçajë vendin me fjalët dhe veprat e tij. Insiston në dhënien e premtimeve boshe. Zoti Tsipras nuk di, nuk mundet dhe nuk don të ndryshojë drejtim. Sado që përpiqet të veshë kostumin e reformatorit, nuk mashtron askënd. Ka një qëllim të vetëm: qëndrimin e tij në pushtet me çfarëdo kosto për vendin”.
Duke përsëritur kërkesën për zgjedhje të reja, Mitsotakis nënvizoi: “Erdhi kohë që vendi ta marrë demokracinë në duart e veta. Një ndryshim i madh politik është kusht për ecjen përpara. Largimi i zotit Tsipras nga pushteti është një nevojë historike për vendin. Duhet të iki. Sa më shpejt”.
Harta rrugore e rimëkëmbjes
Kyriakos Mitsotakis prezantoi një “hartë rrugore për të sjellë sërish optimizmin dhe vetëbesimibn në atdheun tonë”, siç tha, dhe për të krijuar “një vizion kombëtar kolektiv për Greqinë pas krizës”.
“Në qendër të planit kombëtar të rimëkëmbjes se vendit gjendet një e vërtetë kritike: Vetëm ekonomia shoqërore e tregut mund të prodhojë pasuri për të gjithë, të tërheqë investime, të krijojë vende të reja pune. Dhe vetëm një shtet i fuqishëm por edhe eficent, i shkarkuar nga barra e logjikës klienteliste mund të lehtësojë një shpërndarje sa më të drejtë të pasurisë”, deklaroi Mitsotakis.
Kryetari i Demokracisë së re parashtroisi objektiva: Ritme të zhvillimit ekonomik në nivelin 4% nga viti 2018 dhe më pas, krijimin e 120.000 vende të reja të punës në vit, një bum investimesh më vlerë 100 miliardë euro pesëvjeçarin e ardhshëm dhe investime publike në masën 20% të prodhimit të përgjithshëm të brendshëm.
“Kushti i parë për realizimin e këtij projekti redikal është një qeveri eficentge, homogjene dhe absolutisht e përkushtuar ndaj objektivave. Angazhohem personalisht që qeveria e ardhshme e Demokracisë së Re do të jetë qeveri e më të mirëve, më të afctëve, që do të besojnë në misionin e përbashkët dhe do të punojnë kolektivisht që të kenë sukses. Nuk kam për të bërë asnjë devijim nga meritokracia”, theksoi Mitsotakis.
Reforma tatimore
Në çështjen e politikës tatimore, Mitsotakis u angazhua për:
-Uljen në plan afatmesëm të taksës së pasurisë (ENFIA), në masën 30% brenda dy viteve (20% vitin e parë dhe 10% vitin e dytë),
-Ulje të koeficentit tatimor mbi fitimin e biznesit, nga 29% në 20%,
-Rikthimin e TVSH-së për furnizimin e fermerëve nga 24% në 13% dhe heqjen e taksës së posaçme të konsumit për verën,
-Shtim të të limitit të përfshirjes në TVSH, nga 10.000 në 25.000 euro.
Me kushtin që ekonomia greke të rimëkëmbet dhe uljen e objektivave për suficitin oprimar në 2% të PBB-së, Mitsotakis premtoi gjithashtu:
-Ulje të koeficentëve tatimorë për personat fizikë, me koeficent fillestar 9%,
-Ulje të kontributeve për sigurimet shoqërore të punonjësve,
-Ulje të TVSH-së, me vendosjen e dy koeficentëve, 11% dhe 22%.
Sipas kryetarit të ND, kostoja e këtyre ndërhyrjeve është rreth 1,3 miliardë euro vitin e parë dhe 1,9 miliardë euro vitin e dytë.
Ndaje me miqte