Ministrja e emigracionit ekskluzivisht për Tribuna: Cilat kategori përfitojnë nënshtetësinë greke
15 Maj 2015
Fëmijtë e emigrantëve të huaj në Greqi do të përfitojnë nënshtetësinë greke, duke përmbushur disa kushte, ku kryesori është ai për ndjekjen e arsimit të detyrueshëm. Drafti i plotë është publikuar më në fund dhe pritet të miratohet nga parlamenti brenda ditëve të ardhshme. Kështu ka deklaruar ministrja e politikave të emigracionit, Tasia Christodoulopuolou, në një intervistë ekskluzive për www.tribuna-news.com dhe gazetarin Robert Goro.
Në intervistë, ministrja e emigracionit, bën të ditur se cilat kategori përfitojnë nga dispozitat e reja:
“Kemi fëmijtë që u lindën këtu, për të cilët parashikohet që të marrin nënshtetësinë, përderisa regjistrohen në klasën e parë fillore. Domethënë, nuk e marrin automatikisht sapo lindin.
Kemi kategorinë e dytë, të fëmijve që ose kanë ardhur këtu në moshë të vogël, domethënë lindën në një vend tjetër edhe erdhën më vonë. Këtyre u jepet nënshtetësia me kusht që të kenë kryer arsimin e detyrueshëm 9 vjeçar, ose shkollën e mesme në Greqi.
Kategoria e tretë janë ata që kanë kryer në Greqi shkollën e mesme dhe universitetin. Që edhe këta e marrin nënshtetësinë, si të rritur tashmë. Të tria këto kategori e gëzojnë të drejtën e marrjes së nënshtetësisë, pasi dëshmojnë plotësisht se janë integruar në shoqërinë greke”, thotë zonja Christodoulopoulou.
Ministrja shton se projektligji ka edhe një dispozitë tranzicionale, për gjithë aplikimet e mëparshme, që nuk arritën të shqyrtoheshin për shkak të pezullimit të ligjit “Ragousi” në kohën që aplikimet ishin bërë. “Kemi parashikuar edhe shqyrtimin e këtyre kërkesave”, deklaron ministrja greke e emigracionit.
Që në ditët e para të ardhjes në pushtet të SYRIZA-s, vetë kryeministri Aleksis Tsipras kishte deklaruar se ligji për nënshtetësinë do të duhej të votohej menjëherë. Por u desh të kalonin plot katër muaj deri sa të vihej në rrugën e miratimit. Në intervistën ekskluzive për tribuna-news, ministrja e emigracionit, Tasia Christodoulopoulou thotë se arsyeja e vonesës lidhet vetëm me ngarkesën e parlamentit për shqyrtimin e drafteve më emergjente, që lidhen me negociatat që Greqia po zhvillon me partnerët.
“Dhe kështu nënshtetësia mbeti mbrapa, jo se nuk është një çështje emergjente dhe nuk na intereson jashtëzakonisht. Por mundej të priste pak, pse të interesuarit nuk humbasin ndonjë të drejtë, përderisa ne këtë të drejtë e kemi sanksionuar. Nuk ka asnjë arsye për shqetësim. Projektligji do të futet në procesin parlamentar brenda dhjetë ditëve të ardhshme dhe besojmë se do të votohet me shumicë të konsiderueshme”.
Partnerët e SYRIZA-s në koalicionin qeveritar, Grekët e Pavarur, e kishin kundërshtuar draftin për nënshtetësinë. A e rrezikon ky pozicionim miratimin e projektligjit? Ministrja shprehet optimiste se do të miratohet madje edhe nga parti të tjera të opozitës.
“Po, besoj se do ta votojnë edhe parti të tjera, por besoj se do të votojnë edhe Grekët e Pavarur, të cilët i kemi informuar mbi përmbajtjen e draftit. Ashtu siç kam informuar edhe partitë e tjera, të cilat iu përgjigjën ftesës sime dhe u njohën me draftin para se të depozitohej në parlament. Besoj se nuk do të ketë asnjë problem për miratimin e tij”.
Sipas ministres, konsultimi publik i projektligjit përfundon më 25 maj dhe menjëherë pas kësaj do të kalojë në procedurat parlamentare, për miratimin dhe hyrjen në fuqi.
E pyetur nga tribuna-news.com nëse disponohen infrastrukturat e mjaftueshme për të përballuar procesin, ministrja e emigracionit thotë se “kemi siguruar një sistem që t’u shërbehet njerëzve dhe t’u jepet nënshtetësia pa patur problem”.
Mirëpo ajo shton me nënkuptim se “do të ketë - siç e kuptoni- një vonesë, dihet administrata publike greke, nuk mei mundësi të marrim personel shtesë dhe t’u shërbehet njerëzve pa radhët e njohura...”.
Ndaje me miqte