Ministria e Emigracionit: Lejet e qëndrimit dhe integrimi dy akset e politikës për emigrantët e ligjshëm
Tribuna
04 Dhjetor 2017
Zëvendësministri i Politikave të Emigracionit, Janis Balafas, ka theksuar se ky dikaster punon në dy drejtime kryesore sa u përket emigrantëve të ligjshëm.
Sipas zotit Balafas, numri i emigrantëve të pajisur me leje të rregullt qëndrimi në Greqi, është rreth 600.000.
Gjatë një interviste në televizionin publik ERT, të hënën, zoti Balafas ka thënë se ai promovon dy akse kryesore.
“Njeri lidhet me lejet e qëndrimit, që kanë shumë rëndësi për njerëzit që jetojnë këtu, sepse duhet t’i rinovojnë”, ka thënë zëvendësministri i emigracionit, duke shtuar se në pjesën e lejeve të qëndrimit i kushtohet rëndësi e veçantë investitorëve që duan të vijnë në Greqi për të zhvilluar aktivitetin e tyre ekonomik.
“Aksi tjetër, është integrimi gradual dhe i kujdesshëm i emigrantëve që jetojnë prej shumë vjetësh në Greqi”, ka vazhduar Balafas, duke sqaruar se “ky integrim do të bëhet gjithmonë në ekuilibër me nevojat e qytetarëve të vendit në realitetin ekonomik dhe social të Greqisë”.
Procesi i integrimit do të përfshijë, “qoftë mësimin e gjuhës greke, qoftë me evidentimin e aftësive profesionale të emigrantëve dhe, në një fazë tjetër, me nxitjen e tyre për veprimtari të ligjshme ekonomike”, ka përfunduar zëvendësministri i Politikës së Emigracionit, Janis Balafas.
Ndaje me miqte