Mësimi i gjuhës shqipe tani edhe në Redi të Athinës
16 Janar 2017
Një tjetër klasë e mësimit të gjuhës shqipe ka filluar këto ditë funksionimin në mjediset e Qendrës Kulturore në Redi të bashkisë së Pireut.
Në ceremoninë përkatëse ishte i pranishëm edhe gazetari i njohur Abdurahim Ashiku, i cili ka bërë një punë të shkëlqyer vetmohuese në pasqyrimin e përpjekjeve për ruajten dhe zhvillimin e gjuhës amëtare ndër fëmijtë e emigrantëve shqiptarë në gjithë Greqinë.
Zoti Ashiku na dërgoi një fotografi, shoqëruar nga një shënim plot ndjenjë:
“Një foto që foli në gjuhën e vet një ditë të 14 janarit 2017 plot diell në Redi të Athinës, në shkollën qytetëse të kësaj lagjeje të kryeqytetit grek që tash e tutje, të shtunave, do të gumëzhijë nga zëra në një gjuhë tjetër, në gjuhën e një populli që sic tha kryetari i bashkisë së Redit jeton në këto troje të Ballkanit më se tremijë vjet të shkuara, në Gjuhën e bukur Shqipe.
Një foto që do të flasë në vite, në dekada... për të treguar se atë ditë janari, prindër e fëmijë, u gëzuam tek kishim në mes mësuesen Lefteri Metkaj.
Një foto, midis mijëra fotove, që unë gazetari emigrant kam fiksuar an’ e kand Greqisë në ditë të mëdha të fillimit të mësimit shqip të fëmijëve.
Faleminderit mësues, që me dëshirën dhe pasionin tuaj tërësisht vullnetar, u radhitët midis Rilindësve të Rinj të Gjuhës Shqipe në Mërgim.
Abdurahim Ashiku, 14 janar 2017”.
Njoftim nga Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi
Ditën e shtunë më datë 14.1.2017 dhe ora 11.00-13.00, në mjediset e Qendrës Kulturore në Redi të bashkisë së Pireut, kanë filluar mësimet e kursit të mësimit plotësues të gjuhës shqipe, pranë kësaj bashkie .
Mësimet dhe materiali didaktik janë falas dhe mësimi do të zhvillohet çdo të shtunë nga znj.Lefteri Metkaj, mësuese dhe anëtare e Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi.
Në emër të të gjithë kolegëve falënderojmë znj.Metkaj për përpjekjet e saj në këtë mision fisnik dhe i urojmë asaj dhe nxënësve të saj: Suksese dhe punë të mbarë!
Të nderuar kolegë, prindër dhe bashkatdhetarë, jeni të ftuar të ndani me ne gëzimin tonë!
Adresa: Qendra Kulturore Redi, Rruga Bihaki nr.8, Pire.
Stacioni i autobusit:Platia Redi.
Për regjistrimin e fëmijëve dhe informacion të mëtejshëm, mund të komunikoni me znj.Metkaj në numrat e telefonave: 6976280602 , 6949702317.
Ndaje me miqte