Merkel: Greqia garanton se është e angazhuar për negociata intensive
11 Qershor 2015
Greqia i garantoi partnerët e vet europianë, se është angazhuar për bisedime intensive me kreditorët për të zgjidhur gjithë çështjet e hapura dhe për të shmangur një falimentim të mundshëm, deklaroi të enjten në mesditë kancelarja gjermane, Angela Merkel, siç raporton agjencia Reuters.
“Në fund të bisedimeve u ra dakord njëzëri se Greqia do të punojë intensivisht me tre institucionet (KE, BQE, FMN) për të zgjidhur gjithë çështjet e hapura”, u deklaroi Merkel gazetarëve duke mbërritur në sallën e samitit të BE me liderët e vendeve të Amerikës Latine.
Kancelarja gjermane e bëri këtë deklaratë vetëm pak orë pas një raundi tjetër me kryeministrin grek Aleksis Tsipras, ku ishte i pranishëm edhe presidenti francez, Francois Hollande. Pas më shumë se dy orësh, ata kanë rënë dakord vetëm që të intensifikohen negociatat, deri më tash të pafrytshme midis Athinës dhe përfaqësuesve të kreditorëve.
“Vendosëm të intensifikohen përpjekjet për t’u sheshuar diferencat e mbetura dhe të avabcojmë ditët e ardhshme në një zgjidhje”, deklaroi Tsipras pas takimit që u zhvillua në Bruksel të mërkurën në mbrëmje dhe përfundoi pas mesnate.
Njëlloj, edhe një zëdhënës i qeverisë gjermane, deklaroi se liderët “u pajtuan njëzëri se do të duhet të vazhdojnë me ritme më intencive bisedimet ndërmjet qeverisë greke dhe organeve institucionale” dhe shtoi se takimi Tsipras-Merkel-Hollande u zhvillua në klimë konstruktive.
Takimit i kishin paraprirë deklarata optimiste të zyrtarëve të Komisionit Europian dhe të Eurozonës, që linin të kuptohej mundësinë e një marrëveshjeje për Greqinë.
Presidenti i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem, kishte deklaruar se mbeten vetëm pak çështje për t’u zgjidhur, po nevojitet kohë për shqyrtime teknike, para takimit të ministrave të financave, më 18 qershor. Dijsselbloem kishte shtuar se një marrëveshje me Greqinë vazhdion të jetë e mundshme për t’u arritur para asaj date.
Por edhe komisioneri i çështjeve financiare, Pierre Moscovici shprehu vlerësimin se marrëveshja midis Greqisë dhe kreditorëve është “më e mundshme se kurrë më parë”.
Ndërkohë, vonesa në arritjen e marrëveshjes, ka shkaktuar një tjetër zbritje për Greqinë në klasifikimin e aftësisë huamarrëse. Agjencia Standard and Poor’s, e ka zbritur një shkallë, nga CCC+ në CCC. Standard and Poor’s thekson se, pa një marrëveshje me kreditorët, Greqia ka gjasë që të falimentojë brenda 12 muajve të ardhshëm.
Ndaje me miqte