Mediat greke mirëpresin deklaratën e Ramës mbi zonat detare
17 Qershor 2015
Mediat qendrore greke i janë referuar të mërkurën deklaratës së re të kryeministrit Edi Rama për mosmarrëveshjen me Greqinë për çështjen e zonave detare. Sipas këtyre mediave, Rama deklaroi nga Himara, se “ne kemi qenë të gatshëm të përfshijmë një palë të tretë të painteresuar drejtpërdrejt dhe të bazuar në një ekspertizë të lartë ndërkombëtare”.
Rama iu referua kësaj çështjeje duke folur në emisionin “Studio e hapur” në TV News 24. “Jemi praktikisht para një situate shumë të brishtë, por padyshim për ne është një çështje e interesit kombëtar, e sovranitetit territorial të Shqipërisë dhe do diskutohet për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme dhe që në krye të herës ne kemi qenë të gatshëm të përfshijmë një palë të tretë të painteresuar drejtpërdrejt siç jemi ne dhe Greqia, dhe të bazuar në një ekspertizë të lartë ndërkombëtare”, tha Rama.
Për mediat greke, kjo deklaratë e Ramës, lë të kuptohet se qeveria e tij është e gatshme të avancojë në zgjidhjen kësaj çështjeje, me mjetet që ofron e drejta ndërkombëtare.
Në fakt, te drejtës ndërkombëtare i është referuar vazhdimisht Athina, në gjithë deklaratat lidhur me marrëveshjen e delimitimit të zonave detare midis të dy vendeve, që u nënshkrua në vitin 2009 dhe që pak muaj më vonë u anullua nga gjykata kushtetuese e Shqipërisë.
Që nga ai moment marrëdhëniet midis Athinës dhe Tiranës kaluan në një periudhë të zgjatur stanjacioni, por dhe tensionimesh të herpasherëshme.
Më herët këtë muaj, ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias, tha se po përgatit një zgjidhje paketë për problemet dypalëshe me Shqipërinë, që do t’ia prezantojë palës shqiptare gjatë një vizite të mundshme në Tiranë, deri në fund të muajit.
Ende nuk ka ndonjë zhvillim të ri lidhur me këtë vizitë, që inkuadrohet në një tur ballkanik të ministrit të jashtëm grek.
Por dy ditë më parë, ministri Kotzias zhvilloi një takim me ambasadorët e Greqisë në vendet e rajonit, përfshirë edhe atë në Shqipëri, takim që mendohet se ka lidhje pikërisht me udhëtimin e pritshëm të shefit të diplimacisë greke.
Ndaje me miqte