Media ndërkombëtare: Partnerët paralajmërojnë Greqinë
14 Prill 2015
Ministri grek i financave, Janis Varufakis ka shprehur sigurinë se Greqia do të arrijë brenda afatit marrëveshjen me partnerët, që synon vazhdimin e financimit ndërkombëtar të vendit. Madje Varufakis ka theksuar se Athina është e gatshme të pranojë çdo kompromis.
Mirëpo, mesazhet nga partnerët janë krejt në krahun e kundërt të asaj çka deklaron pala greke.
Ekspertët e eurozonës u takuan nga fundi i javës së kaluar, në atë që quhet Euro Working Group. Këtij takimi i referohet gazeta gjermane, Frankfurter Algemaine Zeitung, në një shkrim të ditës së diel, ku theksohet se zyrtarët e eurozonës u shokuan nga fakti se Greqia nuk prezantoi propozime në atë takim dhe sidomos nga hezitimi i Athinës për të reduktuar edhe më shumë pensionet në sektorin publik”.
Ministria greke e financave reagoi energjikisht duke përgënjeshtruar gazetën gjermane. “Po të publikohet proceverbali i takimit të Euro Working Group, do të rezultojë se e vërteta është krejt e ndryshme nga ajo që pretendon Frankfurter Algemaine Zeitung, theksohej në një deklaratë për shtyp të ministrisë greke të financave.
Athina ka nën shkruar që prej dy muajsh një shtesë afatoi në programin e financimit, me kusht që brenda muajit prill të prezantonte një paketë reformash, e cila do të duhet miratuar nga partnerët. Ndërsa koha ikën, marrëveshja duket ende e largët, kryesisht për shkak të vonesave nga ana e qeverisë greke. Kjo sjellje duket se ka dëmtuar në mënyrë të pariparueshme raportet e Athinës me partnerët.
“Qeveria e majtë e Aleksis Tsipras e shkatërruar kaq shumë besimin e partnerëve, sa që zgjidhje që ishin mbi tryezë para pak javësh, tashmë duket se janë larguar”, nënvizon agjencia Reuters në një koment të ditës së hënë.
Sipas mediave europiane, Athina ka paralajmëruar se po mos t’i jepen tani këstet e kredisë së shpëtimit, Greqia do të falimentojë menjëherë.
Ndërkaq, agjencia Reuters thekson që “madje edhe sikur t’i mbijetojë falimentimit tre muajt e ardhshëm, Greqia ka gjasë të ketë humbur shansin më të mirë për një marrëveshje afatgjatë, pikërisht në momentin kur e kishte më shumë se kurrë nevojë”.
Ndaje me miqte