Mbyllet televizioni Mega Channel
Tribuna
14 Mars 2018
Në Greqi, punonjësit e televizioneve private dhe publike, të mërkurën do të ndërpresin punën, për katër orë, në shenjë solidariteti me kolegët e tyre të televizionit Mega Channel, i cili do të mbyllet përfundimisht.
Të martën në mbrëmje, këshilli kombëtar i Radiotelevizionit publikoi vendimin e vet, pas të cilit platforma dixhitale, DIGEA, duhet që brenda afateve ligjore t’i ndërpresë aksesin e transmetimit.
Edhe pse për dy dekada vjet ishte televizioni më i fuqishëm në vend, Mega Channel nuk mundi të marrë licencë transmetimi si televizion kombëtar, për shkak të huarave të pashlyera ndaj bankave që arrijnë në rreth 150 milionë euro.
Vitet e fundit të ardhurat e këtij televizioni ranë në mënyrë të ndjeshme. Pronarët e vet, ndër miliarderët më të shquar të vendit, nuk u treguan të predispozuar për të gjetur rrugët e shpëtimit.
420 punonjësit e kanalit punuan për dy vjet pa u paguar dhe vazhduan transmetimet, duke shpresuar deri në minutën e fundit. Të martën ata ishin tubuar para godinës së KKRTV, në pritje të vendimit.
“Kemi dy vjet pa u paguar. Paratë tona janë bllokuar nga bankat. Bankat kanë marrë nga puna jonë 60 milionë euro dhe nuk na kanë dhënë as 7 milionët që janë pagat tona”, thote nje punonjes.
Punonjësit apeluan të mërkurën paradite në Gjykatën e Lartë ndaj vendimit të këshillit kombëtar të radiotelevizionit. Por ka shumë pak gjasa që apelimi i tyre të marrë përgjigje pozitive.
Ndaje me miqte