Macron dhe Tsipras këmbëngulin që SPD të hyjë në koalicion me CDU/CSU
Deutche Welle
04 Dhjetor 2017
Jo vetëm CDU/CSU po përpiqet ta bindë SPD-në për koalicion, por dhe partnerët evropianë po ia kërkojnë këtë Martin Schulzit.
Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri grek Aleksis Tsipras po këmbëngulin tek kryetari i SPD-së Martin Schulz që partia e tij të hyjë në koalicion me CDU dhe CSU për të krijuar qeverinë e re. Schulz tha për gazetën "Frankfurter Allgemeinen Sonntagszeitung" se kishte marrë mesazhe të tilla prej Macronit dhe Tsiprasit.
Macroni synon një reformim të BE-së dhe për këtë ka nevojë për ndihmën e Gjermanisë. Edhe Schulz mendon se socialdemokracia evropiane nuk mund të realizohet vetëm prej francezëve ose gjermanëve, por prej bashkëpunimit të të gjithëve. Edhe Tsipras qe shprehur në një mesazh se fjala është për ndryshime dhe reforma të vërteta.
SPD-ja nuk do të vihet nën presion
Edhe dy muaj pas zgjedhjeve Gjermania është ende pa qeveri të re. Por socialdemokratët thonë se nuk duan të vihen nën presion prej CDU dhe CSU-së pas dështimit të bisedimeve disajavëshe për koalicion që zhvilluan ata me liberalët dhe të gjelbrit.
Politikanë socialdemokratë thanë se edhe në vitin 2013 bisedimet për koalicionin e madh zgjatën nga shtatori deri në dhjetor, dhe për këtë nuk ka vend për të nxituar dhe për ta vënën veten nën presion. Sipas tyre SPD-ja është ende duke vendosur nëse do të jetë apo jo përsëri e gatshme për një koalicion të madh.
Kongresi i socialdemokratëve
Socialdemokratët mblidhen nga data 7-9 dhjetor në kongresin e tyre në Berlin, ku do të diskutojnë edhe për mundësinë e një koalicioni të madh me CDU/CSU-në, tolerimin e një qeverie pakice ose konstelacione të tjera.
Berlin Statement SPD-Vorsitzender Schulz zu GroKo (picture-alliance/AP Photo/M. Schreiber)
Schulz tha se në kongres do të diskutohet për të gjitha mundësitë, sepse pas rezulatatit të dobët në zgjedhje SPD-ja donte të kalonte në opozitë. Por pas dështimit të bisedimeve për koalicion mes CDU/SCU, liberalëve dhe të gjelbërve është krijuar një situatë e re.
Ndaje me miqte