Lotaria Amerikane 2019 më 3 tetor nis aplikimi. Ja kriteret Kualifikuese mbi Arsimimin dhe Punësimin
Tribuna
22 Shtator 2017
Gjithë të interesuarit që duan të jenë pjesë e Lotarisë Amerikane për vitin 2019, mund të aplikojnë në datën 3 tetor të këtij viti. Kjo bëhet e ditur nga faqja zyrtare e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.
“Përshëndetje, e keni dëgjuar lajmin? Programi i Lotarisë Amerikane 2019 hapet në datën 3 tetor 2017. Këshilla kryesore për t’u përzgjedhur: aplikoni herët, por ama vetëm një herë”, thuhet në faqen zyrtare të Ambasadës.
Kriteret Kualifikuese mbi Arsimimin dhe Punësimin
Të gjithë aplikantët e lotarisë së Vizave të Shumëllojshmërisë (DV) këshillohen të shqyrtojnë udhëzimet mbi kriteret e kualifikimit të arsimimit dhe punësimit para se të aplikojnë. Aplikanti kryesor (ai që është përzgjedhur në bazë të numrit të aplikimit) duhet të ketë arsimim apo punësim të kualifikueshëm me qëllim që të kualifikohet për një vizë të programit të lotarisë së DV-së.
Arsimimi: Aplikantët duhet të kenë mbaruar arsimin e mesëm me kohë të plotë që është i barasvlefshëm me arsimimin në të paktën një shkollë të mesme amerikane (4 vjeçare, me kohë të plotë, arsim i përgjithshëm). Diplomat e shkollës së mesme gjimnaz me kohë të plotë kualifikohen për lotarinë. Shkollat e mesme profesionale me kohë të plotë mund të kualifikohen nëse ato në thelb përputhen me kërkesat thelbësore të një të arsimi të mesëm me kohë të plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vendimi përfundimtar do të merret nga oficeri konsullor në ditën e intervistës për vizë.
Diplomat e shkollës së mesme me kohë të pjesshme - pa shkëputje nga puna, shkollat e natës ose ato me korrespondencë, përfshirë programet pesë vjeçare ose programet e gjata (me kohë të pjeshme, pa shkëputje nga puna, shkollat e natës ose me korrespondencë) nuk kualifikohen për programin e lotarisë. Edhe nëse ju keni mbaruar një pjesë të shkollës së mesme në sistemin pa shkëputje nga puna dhe pjesën tjetër në sistemin me kohë të plotë, kjo diplomë nuk kualifikohet për programin e lotarisë.
Diplomat universitare kualifikohen për programin e lotarisë së DV-së.
Punësimi: Aplikantët që nuk përmbushin kriterin e arsimimit, duhet të përmbushin kriterin e përvojës në punë për dy vjet në një profesion që kërkon të paktën dy vjet trajnim apo përvojë brenda një periudhe pesëvjeçare menjëherë para aplikimit. Vetëm disa profesione specifike kualifikohen për programin e Vizave të Shumëllojshmërisë.
Për t’u kualifikuar për një vizë të lotarisë mbi bazën e eksperiencës së punës, ju duhet të keni brenda pesë viteve të fundit dy vjet përvojë në një profesion që është përcaktuar si Zonë Pune 4 ose 5, e klasifikuar në Përgatitjen Profesionale Specifike (SVP) të vlerës 7.0 ose më lart. Profesionet kualifikuese të DV-së janë të renditura në Bazën e të dhënave të Departamentit të Punës O*Net Online Database.
Ndaje me miqte