Lesi i penduar për vrasjen e gruas: &ldquoShkatërrova jetën e fëmijve të mi&rdquo
25 Janar 2016
Klodi Lesi shtetasi shqiptar që u arrestua të dielën, dhe akuzohet për vrasjen e ish bashkëshortes, si dhe rrëmbimin e djalit të vet 4 vjeçar, ka dalë të hënën para prokurorit të rrethit gjyqësor Poligjiros në Halkidiki.
Gjatë marrjes në pyetje, Lesi ka shpjeguar rrethanat në të cilat u krye vrasja, më 6 janar. Sipas tij, kishte shkuar papritur në banesë, ku nisi menjëherë një sherr me ish bashkëshorten 41 vjeçare. Lesi filloi të bërtiste dhe të flakte sende të ndryshme. Në gjendje amoku, mori një thikë nga kuzhina dhe goditi gjashtë herë viktimën që ra për tokë e mbuluar nga gjaku. Në vazhdim, doli në oborr, mori djalin 4 vjeçar dhe u zhduk. Në shtëpi mbeti djali tjetër, i moshës 6 vjeç, që kishte parë me sytë e vet gjithë ngjarjen tragjike.
Lesi është shprehur i penduar për aktin e tij. “Shkatërrova jetën time dhe më e keqja, shkatërrova jetën e fëmijve të mi”, ka thënë shqiptari 34 vjeçar para hetuesve.
Në deponimin e tij që riprodhohet pjesërisht nga mediat greke, Lesi ka treguar edhe për 18 ditët në arrati. “Gjithë këtë periudhë shkonim sa nga njera kasolle te tjera. Nuk doja t’i bëja keq djalit dhe kujdesesha për të sa mundja. Hanim çfarë të gjenim kudo që shkonim. Kërkonim nëpër dollape dhe gjithmonë diçka gjenim. Një herë, mora djalin dhe vendosa të shkonim në Selanik e prej andej në Shqipëri, por duke parë postblloqet e policisë, u kthyem në fshat, zonë që e njihja mjaft mirë”, ka thënë Lesi.
Në fatkeqësinë e vet, familja e viktimës ndihet e lumtur, pse të paktën iu kthyse sërish nipi i tyre. 4 vjeçari e ka kaluar natën e të dielës në spitalin zonal. Gjendja e tij shëndetësore është e mirë, vetëm se ishte i rraskapitur nga peripecitë e arratisë. Pranë tij gjendet edhe një psikologe.
Klodi Lesi u arrestua të dielën në një ullishte fare afër fshatit ku banonte dhe ku u krye vrasja. Ai e kishte kaluar natën në një barrakë që kishte ndërtuar vjehrri i tij, që kishte aty zgjoj bletësh.
Përballja e Lesit me dy emigrantë shqiptarë që po punonin aty pranë, ishte vendimtare. Dy bashkatdhetarët u përpoqën për dy orë që t’iu mbushinin mendjen të dorëzohej, ose të paktën të linte fëmijën e për vete të bënte ç’të donte, ndërkohë njeri prej tyre njoftoi me sms familjen e viktimës dhe këta policinë.
Klodi Lesi ishte martuar vite më parë me viktimën dhe kishin dy fëmijë, një 6 e tjeri 4 vjeç. 34 vjeçari punonte në fidanishten e vjehrrit, por dy vitet e fundit çifti nuk shkonte fare mirë dhe përfundimisht ishin ndarë në gusht të vitit të kaluar. Në biseda me të njohur, Lesi ankohej se nuk e linin të shihte dy djemtë e tij. Por askujt nuk ia merrte mendja se do të mund të arrinte deri në vrasjen e ish bashkëshortes.
Ndaje me miqte