Leje qëndrimi për arsye të jashtëzakonshme. Kush ka të drejtë të aplikojë në periferi
11 Dhjetor 2015
Qarkorja e re e ministrisë së brendshme, e shpallur në javën e dytë të dhjetorit 2015, përcakton edhe një herë se cilët kanë të drejtë të aplikojnë për leje qëndrimi të jashtëzakonshme, pranë shërbimeve të emigracionit nëpër periferi.
Kështu, këtë të drejtë e kanë gjithë shtetasit e vendeve të treta që kishin një leje të rregullt qëndrimi gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, apo pesë vjet qëndrim të ligjshëm gjithashtu gjatë dhjetë viteve të fundit, para aplikimit për lejen e jashtëzakonshme. Vihet në dukje se nuk ka rëndësi se çfarë leje qëndrim i ishte (p.sh., për punë të varur, punë sezonale, studime); dhe gjithashtu nuk ka rëndësi nëse leja e qëndrimit i ishte dorëzuar aplikantit.
Nga kjo e drejtë përjashtohen:
-Poseduesit e vërtetimit të posaçëm (idiki veveosi diamonis). Shënohet se kjo kategori nëse kanë patur qoftë dhe një leje të rregullt qëndrimi që nuk u është anuluar, do të duhet që krahas aplikimit për leje qëndrimi për arsye të jashtëzakonshme, të heqin dorë nga “idiki veveosi”, por jo detyrimisht edhe nga rruga gjyqësore nëse kanë bërë ankimim.
-Poseduesit e vizës hyrëse për punë, që ishin akorduar në bazë të nenit 8 të ligjit 4251/2014. (Kuptohet se këta nuk mund të aplikojnë, pasi kushti kryesor për leje qëndrimi për arsye të jashtëzakonshme - edhe kur nuk ke patur kurrë leje qëndrimi-, është që të ndodheshe në Greqi 7 vitet e fundit para aplikimit).
-Poseduesit e buletinit të aplikimit për azil.
-Poseduesit e lejeve të rregullta të qëndrimit që janë anuluar para se të bëhej rinovimi i tyre (p.sh., leje qëndrimi provizore 6 mujore, leje qëndrimi e akorduar sipas nenit 91 të ligjit 3386/05, apo nenit 18 të ligjit 3536/07, leje fillestare për punë të varur, leje fillestare për studime, etj.).
-Poseduesit e lejeve të qëndrimit që ishin akorduar apo zgjatur me dispozitat e neneve 65 dhe 66 të ligjit 2910/01, që kishin bërë kërkesë për rinovim e cila iu refuzua, pasi ato leje nuk u përfshinë në regjimin e zgjatjeve të afatit dhe rrjedhimisht vlefshmëria e tyre skadoi para vitit 2005.
KUJDES: Kategoritë që përshkruam më sipër mund të aplikojnë për leje qëndrimi për arsye të jashtëzakonshme pranë ministrisë së brendshme, në zyrën që ndodhet në Pire. Adresa: Agiu Dionisiu 5, tel. 210 41 41 641.
Ndaje me miqte