Lefkada vritet me motoçikletë 17 vjeçari shqiptar. Lamtumira prekëse nga media lokale
Tribuna
24 Gusht 2017
Një djalosh shqiptar me moshë vetëm 17 vjeç ka humbur jetën pas një aksidenti me motorr në Lefkada. Ngarja tragjike ka ndodhur paraditen e të mërkurës, në vendin e quajtur Perigiali.
Motoçikleta që e ngiste 17 vjeçari Denian Kiçaj, ka dalë nga kontrolli i drejtuesit dhe është përplasur në paretet e rrugës.
Nga përplasja ka mbetur i vdekur 17 vjeçari dhe i plagosur bashkudhëtari i tij, po nga Shqipëria, me moshë 18 vjeç. Ky i fundit i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale në spitalin e Lefkadas.
Komisariati i policisë së Elomenus po zhvillon hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
“Iku një engjëll... I qoftë rruga e mbarë”
Ngjarja e ka tronditur shoqërinë vendase, aq më tepër që djaloshi i pafat duket se gëzonte dashurinë dhe respektin e bashkëmoshatarëve të tij, nxënës në shkollën profesionale EPAL.
Me një shkrim mjaft prekës, gazeta online e ishullit, “Lefkada Press”, i jep lamtumirën djaloshit shqiptar:
“Ishte vetëm 17 vjeç... I mbushur jetë dhe mirësi... Miqtë e tij thonë se ishte një engjëll... Denian Kipaj, nxënësi i EPAL të Lefkadas udhëtoi për në qiell të mërkurën, 23 gusht. Trishtim, dhimbje, apati tek miqtë e tij që nuk mund ta besojnë se nuk do të shohin më buzëqeshjen e tij.
Rrjetet sociale janë mbushur me fotografi të tijat... Deniani nuk ekziston më... Një djalë i dashur, gjithmonë me buzën në gaz, madje dhe në momentet e vështira. Nuk do ta takojnë më miqtë e tij në pikat ku kalonin kohën, nuk do ta jetojnë më në mjediset e shkollës.
“Megjithëse nuk arrita ta përshëndes, e dashuroj dhe gjithmonë imazhi i tij do të jetë në zemrën dhe mendjen time”, do të na thotë e dërrmuar mikesha e tij e dashur, Fei.
Ne i urojmë kurajo familjes tragjike të Denianit që humbi jetën kaq padrejtësisht. Urojmë gjithashtu të shkojë gjithçka mirë për Llambron e plagosur që iu nënshtrua operacionit në spitalin e Lefkadas”, përfundon shkrimi i medias lokale.
Tribuna shpreson që familja Kiçaj të gjejë forca për të përballuar këtë dhimbje të pashembullt, që njeriu nuk ia uron as hasmit...
Ndaje me miqte