Kush ishte ikona e muzikës angleze David Bowie
12 Janar 2016
David Bowie "u nda nga jeta në paqe, ditën e dielë, i rrethuar nga familja e tij, pas një beteje të guximshme 18-mujore me kancerin", siç kumtohet në rrjetet sociale të këngëtarit.
Të premten, muzikanti i njohur si një nga ikonat e muzikës angleze, mbushi 69 vjeç dhe publikoi albumin e tij të 25-të, "Blackstar". Në këtë album, të cilin kritikët e muzikës e cilësuan si veprën e tij më të mirë në vite, Bowie ka gërshetuar elementë të muzikës xhaz dhe rock.
Ai lindi në lagjen jugore të Londrës, dy vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe quhej David Jones. Por më pas e ndërroi emrin në David Bowie.
Bowie ishte i njohur si eksplorues i disa zhanreve muzikore, si "hard rock", pop, muzikës "soul" dhe "punk" në një karrierë 40-vjeçare. Një njeri krijues deri në momentet e fundit të jetës së tij, ai ishte njëkohësisht, kompozitor, interpretues i disa instrumenteve muzikore, producent muzike, piktor dhe aktor.
Ai ishte produkt i një prej periudhave më revolucionare në muzikë, viteve 1960 që sollën në skenë artistë si Beatles, Elvis Presley, Led Zeppelin dhe frymëzuan një brez të ri që të sfidonte traditën dhe të kapërcente barrierat ndarëse mes zhanrave. Vetë David Bowie kujtohet jo vetëm për veprën muzikore, por edhe si një artist që nuk përfillte ndarjet konvencionale gjinore me veshjen dhe paraqitjen e tij.
Ai mori famë në vitin 1969, si kantautor i këngës "Space Oddity", një thirrje e artistit për pasojat psikologjike të Luftës së Ftohtë, e cila përkoi njëkohësisht me zbritjen në Hënë të Anijes së Hapësirës "Apollo".
Tre vjet më vonë ai krijoi këngët e tjera që u bënë menjëherë të famshme "The Rise of Ziggy Stardust" dhe "Spiders from Mars". Në interpretimin e këtyre këngëve Bowie u paraqit në formën e dy personazheve të ndryshme eksentrike, që në fakt u bënë pjesë e pandashme e trashëgimisë së tij artistike.
Ai bashkëpunoi ngushtë me John Lennonin, me të cilin u bënë bashkautorë të muzikës rock "Changes", si dhe me Brian Enon në Berlin, me të cilin krijuan veprën muzikore "Heroes".
Në fillim të viteve '80 David Bowie shënoi sukese të tjera me krijimet "Let's Dance" dhe "Under Pressure," të cilat i regjistroi së bashku me grupin muzikor "Queen", si me një turne në Shtetet e Bashkuara.
Bowie ishte artist avangard që si askush tjetër arriti të reflektojë në veprën e tij ndikime nga më ekstremet, si ndërthurjen e nuancave të muzikës elektronike dhe të asaj kishtare. Mesazhi ishte i qartë: respekto individualitetin tënd:
Ndaje me miqte