Kur media e ka të shtrenjtë pavarësinë nuk ia cënon dot askush qoftë ky dhe presidenti i Amerikës
Robert GORO
22 Janar 2018
Në një vjetorin e ardhjes në detyrë të presidentit Donald Trump, radio “Zëri i Amerikës” transmetoi edhe një material me titullin “Ndikimi i Presidentit tek mediat gjatë vitit të tij parë”. Në materialin e përgatitur nga korrespondenti i Zërit të Amerikës pranë Shtëpisë së Bardhë, Peter Heinlein, thuhet qysh në fillim:
“Qysh para se të zgjidhej president, Donald Trump ishte i përfshirë në një grindje të vazhdueshme me shumë nga institucionet mediatike më të rëndësishme të Amerikës, duke i akuzuar se përhapnin "lajme të rreme" rreth tij. Komentet e tij kanë ndihmuar që të thellohet ndarja në linja partiake mes amerikanëve rreth besueshmërisë së lajmeve që ata marrin. Ato kanë pasur gjithashtu ndikim në vendet ku shtypi nuk është dhe aq i lirë”...
Edhe pse zhvillimi i vrullshëm i internetit dhe mediave sociale bën që “fenomeni Trump” të ngjajë si unikal, ai ka mjaft paraardhës. Edhe në vendet që ne i kemi mbajtur e mbajmë si model të demokracisë e të lirisë së shprehjes, qeveritë kanë tentuar “t’i nënshtrojnë” mediat, të paktën ato publike që supozohet se janë më pak të mbrojtura ngase financohen prej fondeve shtetërore. Në SHBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar, ku funksionojnë dhe dy prej institucioneve mediatike më të rëndësishme të planetit, BBC dhe Zëri i Amerikës, nuk kanë munguar rastet e përplasjeve të fuqishme, ku këto institucione kanë ruajtur të pacënuar pavarësinë e tyre.
Në librin tim të fundit, “Kur e vërteta vjen nga larg”, kam përshkruar disa nga këto raste që po i risjell shkurtimisht për lexuesin e Tribuna-News.
BBC që nuk di të nënshtrohet
BBC ka pavarësi të plotë nga qeveria, dhe nuk kanë munguar edhe rastet e përplasjeve për të ruajtur këtë pavarësi. Në “Biblën e Bardhë” të Shërbimit Botëror të BBC-së, hartuar në vitin 1946 nga qeveria laburiste e kryeministrit Clement Attle, përcaktohej: “Qeveria thekson se Korporata duhet të mbetet e pavarur në përgatitjen e programeve për audiencat e jashtme; edhe pse duhet të marrë nga departamentet përkatëse të qeverisë informacion lidhur me situatën në ato vende dhe politikën e qeverisë së Madhërisë së Tij ndaj tyre, që do t’i lejojnë (BBC-së) të planizojë programe sipas interesit kombëtar”.
(Edhe më herët, gjatë Luftës së Dytë Botërore, BBC nuk transmetonte në Bashkimin Sovjetik, që mos të acaroheshin marrëdhëniet me Stalinin, i cili ishte aleat i Perëndimit në luftën kundër boshtit nazi-fashist. Transmetimet filluan në mars 1946, kur marrëdhëniet me Moskën kishin nisur të ftoheshin, për t’u pasuar nga konfrontimi me Luftën e Ftohtë).
Në 1959, shefi i shërbimit botëror dhe më vonë drejtor i përgjithshëm i BBC-s, Sir Ian Jacob, e paralajmëronte qeverinë: “Transmetimet nuk janë diçka që mund të hapen e të mbyllen si një çezmë. Audienca dhe reputacioni për shkak të së vërtetës dhe cilësisë ndërtohen ngadalë dhe me mundim. Por nëse sakrifikohen, është shumë e vështirë që të rindërtohen”.
Sipas historianit Alban Webb, interesimi i qeverive britanike ndaj Shërbimit Botëror të BBC-së ishte shumë i madh, “jo vetëm pse Foreign Office-i e financonte, por sepse e konsideronte një mjet shumë të rëndësishëm për t’u dëgjuar në të gjithë botën pikëpamjet e Britanisë”.
Në librin e tij “Ju flet Londra: Britania, Shërbimi Botëror i BBC-së dhe Lufta e Ftohtë”, Webb sjell një ngjarje që, siç konkludon, ishte përplasja më e madhe në të gjitha kohërat, midis BBC dhe qeverisë.
Ishte kaq e madhe vlera strategjike e BBC World Service, shkruan Webb, saqë kryeministri Anthony Eden, gjatë krizës së kanalit të Suezit në 1956, u përpoq ta vendoste nën kontroll Shërbimin Botëror. “Eden pretendoi se BBC duhet të transmetojë në mbështetje të përpjekjeve të Mbretërisë së Bashkuar për të rimarrë kanalin e Suezit në Egjipt që kishte rëndësi strategjike. BBC, në reflektim të ndarjes së thellë të opinionit publik në Britani, nuk pranoi. Atëherë kryeministri udhëzoi ministrat dhe zyrtarët që të marrin kontrollin e BBC. Ndërkaq, deri në momentin që kjo do të mund të miratohej, kriza e Suezit kishte rezultuar një dështim katastrofik për qeverinë britanike dhe brenda dy muajsh, Eden kishte dhënë dorëheqjen. Kërcënimi për Shërbimin Botëror ishte shmangur”...
Zëri i Amerikës, lufta për pavarësi
Një nga përplasjet më të fuqishme ndërmjet Zërit të Amerikës dhe Departamentit të Shtetit, ka ndodhur në vjeshtë të 2001-shit, kur VOA transmetoi pjesë nga një intervistë me liderin e talibanëve, Mullah Omarin, vetëm pak ditë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit.
Ishte një histori që atë ditë kishte pushtuar faqet e para të mediave kryesore amerikane, kur administrata e presidentit Bush insistonte se nuk duhej transmetuar asnjë fjalë nga intervista. “Nuk mendojmë se i shkonte për shtat VOA-s që të transmetonte zërin e talibanëve; nuk mendojmë se kjo ishte në përputhje me statusin e radios”, kishte deklaruar zëdhënësi i Departamentit të Shtetit (DASH), Richard Boucher.
Mirëpo reagimi i Zërit të Amerikës kishte qenë i stuhishëm, që nga bordi drejtues deri tek gazetarët. Njeri prej anëtarëve të bordit të guvernatorëve të VOA-s citohej nga New York Times të kishte thënë që “çdo organ mediatik do ta bënte atë intervistë. Dhe, nëse SHBA-të duan të jenë ithtarë të lirisë së shtypit, duhet ta tregojnë këtë në praktikë”. “Besojmë se integriteti i VOA-s është në rrezik. Kjo censurë krijon një precedent dëshpërues dhe dëmton kredibilitetin tonë para audiencës në mbarë botën”, theksonin në një letër të hapur 100 gazetarë të Zërit të Amerikës. Edhe më i ashpër ishte reagimi i drejtorit të lajmeve të VOA-s, Andre De Nesnara: “Vendimi i DASH është një sulm totalisht i papranueshëm ndaj pavarësisë tonë editoriale, një sulm frontal ndaj kredibilitetit tonë. Kjo sigurisht është një ditë e errët për cilindo prej nesh, që prej shumë vitesh ka luftuar të ruajë etikën e gazetarit, ekuilibrin, saktësinë dhe drejtësinë”, nënvizonte De Nesnara në një email drejtuar stafit.
Ndaje me miqte