Kryeministrja britanike prezanton 12 pika për Brexit
TRIBUNA
17 Janar 2017
Kryeministrja britanike, Theresa May, deklaroi në një fjalim të shumëpritur të martën, se planet e saj që Britania e Madhe të largohet nga Bashkimin Evropian nuk nënkuptojnë anëtarësimin në një treg të vetëm.
“Në vend të kësaj, ne kërkojmë aksesin sa më të mundshëm në tregun e vetëm”, tha May.
“Ne nuk kërkojmë të kapemi në copëzat e anëtarësimit ndërkohë që po largohemi”, shtoi ajo.
Sa për afatin e shumëdebatuar për largimin nga Bashkimin Evropian, May u shpreh se Britania e Madhe mund të kërkojë një proces me faza për Brexit gjatë dy viteve të negociatave formale.
“Kjo do të shmangte një avancim të rënies në humnerë”, deklaroi May.
May ka thënë më parë se ka në plan të tërheqë nenin 50 të Traktatit të Lisbonës, që përcakton rregullat për një proces dyvjeçar të bisedimeve për një komb që kërkon të largohet nga Bashkimi Evropian, deri në fund të marsit.
Shumica e votuesve britanikë vendosën të largoheshin nga Bashkimi Evropian në një referendum, në muajin qershor të vitit të kaluar.
Në një fjalim të mbajtur në Londër në pallatin “Lancaster House”, Kryeministrja britanike paraqiti planin e saj me 12 pika për Brexit
1 - Brexit do votohet në Parlament
“I takon Parlamentit britanik të vendosë për çdo ndryshim në ligj pas një votimi të plotë. Mund të konfirmoj sot se qeveria do të japë fjalën e fundit pas një vote në të dyja dhomat e Parlamentit para se të hyjë në fuqi”.
2 - Kontroll të plotë mbi ligjet
“Largimi nga BE-ja do të thotë se ligjet tona do të bëhen në Westminster, Edinburgh, Cardiff dhe Belfast. Dhe këto ligje do të interpretohen nga gjyqtare që nuk janë në Luksemburg por në gjykata në vendin tonë”.
3 - Forcim të unionit
“Ne do të vendosim ruajtjen e Unionit tonë të shtrenjtë në zemër të gjithçkaje ne bëjmë”.
4 - Parandalim të një kufiri të ngurtë me Irlandën
“Ne do të punojmë për një zgjidhje praktike që lejon mbajtjen e Zonës së Përbashkët të Tregtisë me Republikën e Irlandës, ndërkohë që mbrojmë integritetin e sistemit të imigracionit të Britanisë së Madhe”.
5 - Kontrollim të migracionit
“Britania është një vend i hapur dhe tolerant dhe unë do të mirëpres çdo migrant si mik. Por, mesazhi nga publiku gjatë dhe pas referendumit ishte i qartë. Imigracioni do të kontrollohet duke i dhënë prioritet më të mirëve dhe më të zgjuarve”.
6 - Garanci për personat që kanë lëvizur
“I kam thënë liderëve të tjerë të BE-së se mund t’i japim njerëzve garancinë që ata duan menjëherë dhe të arrijmë një marrëveshje të tillë tani”.
7 - Mbrojtja e të drejtave të punëtorëve
“Drejtësi do të thotë gjithashtu mbrojtje të të drejtave që njerëzit kanë në punë. Ne do të garantojmë që të drejtat e punëtorëve respektohen plotësisht”.
8 - Dalje nga tregu unik i BE-së
“Dua të jem e qartë, ajo që unë propozoj nuk nënkupton aspak një anëtarësi në tregun unik. BM-ja do të kërkojë një marrëveshje të guximshme dhe ambicioze të tregtisë së lirë me BE-në”.
9 - Dalje nga unioni doganor
“Nuk dua që BM-ja të jetë pjesë e Politikës së Përbashkët Tregtare dhe nuk dua që të jemi të lidhur me Tarifën e Përbashkët të Jashtme. Dua që të kemi një marrëveshje të re me BE-në”.
10 - Një marrëveshje për shkencën dhe teknologjinë
“BM-ja duhet të jetë një nga vendet më të mira në botë për shkencën dhe inovacionin. Ne do të mirëpresim çdo marrëveshje për të vazhduar bashkëpunimin me partnerët tanë Evropianë në iniciativat e mëdha shkencore, kërkimore dhe teknologjike”.
11 - Bashkëpunim në luftimin e krimit
“Një BM globale do të vazhdojë bashkëpunimin mbi krimin, terrorizmin dhe diplomaci. Dua që marrëdhënia jonë e ardhshme me BE-në të përfshijë marrëveshje praktike në çështjet e forcimit të ligjit dhe të shkëmbimit të informacioneve”.
12 - Marrëveshje me faza pas marsit 2019
“Ne nuk do të kërkojmë një lloji statusi të pafund tranzicional, në të cilin ne do të ngecim përgjithmon në një lloj purgatori politik. Kjo nuk do të ishte e mirë për BM-në dhe nuk besoj se do të ishte mirë për BE-në. Në të kundërt, dua që ne të arrijmë një marrëveshje mbi partneritetin tonë të ardhshëm kur procesi dy vjeçar i nenit 50 të ketë përfundur. Nga ajo pikë dhe më pas, ne mendojmë se një proces implementimi me faza, në të cilin si BM-ja dhe BE-ja përgatiten për rregullat e reja që do të ekzistojnë mes nesh do të jetë në interesin tonë të përbashkët. Kjo do t’i japë sipërmarrjeve mjaftueshëm kohë për planifikim dhe përgatitje”.
Ndaje me miqte