Kriza greke shenja optimizmi në Athinë kritika nga opozita
11 Maj 2016
Komisioni Europian ka deklaruar se arritja e marrëveshjes midis kreditorëve dhe Greqisë është çështje ditësh. Finalizimi i inspektimit të programit grek pritet t’i japë fund një periudhe të gjatë pasigurie, ndërkohë që kryeministri Aleksis Tsipras ka theksuar se vendi po hyn në një fazë të re, më optimiste.
Zëdhënësja e Komisionit Europian Annika Breidthart tha se pas votimit të reformave “të rëndësishme” në fundjavë nga parlamenti grek, pritet që brenda ditëve të ardhshme të finalizohet marrëveshja në nivel teknik dhe mejëherë më pas ministrat e financave të eurozonës do të miratojnë lirimin e këstit të radhës të kredisë për Greqinë.
Sa i përket çështjes së reduktimit të borxhit grek, zëdhënësja përsëriti se Komisioni Europian do të ofrojë ekspertizën e vet, por theksoi se është Mekanizmi Europian i Stabilitetit dhe kreditorët e Greqisë që do të marrin vendimet përkatëse.
Në Athinë, kryeministri Aleksis Tsipras tha se ndiheshin të gëzuar dhe optimistë, pas përfundimit të takimit të Eurogrupit ditën e hënë. Por Tsipras shtoi se pala greke “nuk fluturon sipër reve”. “Faza e re në të cilën po hyn ekonomia greke ka kërkesa edhe më të mëdha”, tha Tsipras në një mbledhje të kabinetit qeveritar, të martën.
Pas gjashtë vitesh shtrëngese, më në fund kemi lajme të mira, vazhdoi shefi i qeverisë greke, duke shtuar se tash e tutje objektivi është që ekonomia të futet në kursin e zhvillimit pozitiv, të ketë investime, të hapen vende pune dhe të ulet papunësia.
Përkundër optimizmit të përmbajtur të kryeministrit, partia më e madhe opozitare, Demokracia e Re, i ka bërë një lexim krejt të ndryshëm situatës pas takimit të eurogrupit.
“Greqia po bën çdo ditë mbrapa dhe qeveria jonë feston”, deklaroi kryetari i kësaj partie Kyriakos Mitsotakis, duke komentuar fjalimin e kryeministrit në mbledhjen e qeverisë.
Shefi i opozitës, shtoi se ajo që kërkohet është kredibiliteti dhe investimet, duke e akuzuar qeverinë se ka alergji prej investimeve, prej sektorit privat, dhe prej çdo gjëje që krijon vende të reja pune”.
Tribuna
Ndaje me miqte