0030 210 33 18 483

Koalicioni Demokratik: Emigrantët e ligjshëm paguajnë faturën e dështimit të politikës qeveritare për refugjatët

Tribuna 19 Dhjetor 2017

Koalicioni Demokratik i qendrës së majtë, në një mesazh të publikuar me rastin e Ditës së Emigrantit, ka bërë një denoncim interesant. Sipas socialistëve “të ardhurat nga paravolat e emigrantëve, adresohen në dëmshpërblime banorësh, pasuritë e të cilëve janë dëmtuar “nga akte refugjatësh” në ishujt dhe në Idomeni. Emigrantët e ligjshëm paguajnë faturën e dështimit të politikës qeveritare për refugjatët, me një logjik përgjegjësie kolektive që të tmerron”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e Koalicionit Demokratik. Mesazhi ndër të tjera vë në dukje: Kriza ekonomike ka influencuar edhe emigrantët që jetojnë e punojnë në vendin tonë. Kodi i Emigracionit që u votua në 2014 (dhe sidomos dispozitat tranzicionale), ofronte një kuadër të riaktualizuar mbrojtjeje për qytetarët nga vendet e treta dhe bashkë me legjislacionin komunitar krijojnë një mjedis relativisht të sigurt për sa kohë që zgjat kriza ekonomike. Në Greqinë e 2017-s ka faktikisht dhjetra mijë familje emigrantësh për të cilët Greqia është “atdheu i dytë” dhe të rinj e fëmijë të “brezit të dytë” që përbëjnë pasuri për të ardhmen. Për fat të keq, qeveria SYRIZA-ANEL u dëshmua edhe në rastin e emigrantëve nën lartësinë e duhur. Gjoja e përkushtuar në përballimin e çështjeve që kanë rezultuar nga menaxhimi i flukseve të refugjatëve, nuk interesohet fare për emigrantët e ligjshëm. Shërbimet e emigracionit funksionuan për shumë kohë “sa për inerci” dhe falë vetmohimit të punonjësve të cilët tashmë po largohen dhe po rikthehen radhët dhe zvarritjet, duke sjellë në kujtesë të kaluarën më të keqe. Në të njëjtën kohë, dhe me gjithë ndërhyrjet e Koalicionit Demokratik dhe të Avokatit të Popullit, mijëra fëmijë të rritur emigrantësh mbeten të pasiguruar kundrejt ligjit dhe ministria e punës hesht në mënyrë provokuese. Ligji për dhënien e nënshtetësisë emigrantëve të brezit të parë dhe të dytë po zbatohet me vonesa shumë të mëdha. Pamundësia e administratës për t’u përgjigjur shpie në fenomene korrupsioni dhe shfrytëzimi të emigrantëve dhe familjeve të tyre. Shanse për studime dhe punë po humbasin. Nuk duhet humbur më kohë. Emigrantët që jetojnë në vendin tonë kanë të drejtat e tyre. Janë bashkëqytetarët tanë. Përkrahja e tyre është një çështje parimore dhe vlerash, përfundon mesazhi i Koalicionit Demokratik.

Ndaje me miqte