Izet Duraku i shkruan Ton Zmalit: &ldquoNuk mund të qortohet drita e fortë e diellit&rdquo
Izet DURAKU
24 Nentor 2016
I dashur Ton Zmali! Tashmë prej vitesh ju keni krijuar botën tuaj krijuese me një simetri të lakmueshme (tre vepra në prozë e tre në poezi), ku lirika, epika dhe dramatika, sipas një klasifikimi të hershëm të letërsisë, ndërthuren e shkrihen pahetueshëm me njëra- tjetrën, ashtu siç ndodh edhe në këtë botën tonë reale që përjetohet prej të gjithëve.
E lexova me një frymë “Shetitarin e Buklisit”, një përmbledhje të shkrimeve tua, fragmente të botuara e në proces krijimi dhe shkrime të miqve krijues, profesionistë të kritikës dhe lexues të pasionuar, qëndrimet dashamirëse e pohuese të të cilëve janë për tu vlerësuar e shijuar prej të gjithëve. “Shetitari i Bulklisit” mund të kundrohet edhe si antologji e bukur që shërben si një dritare për të parë më mirë botën tuaj letrare. Këtu në mënyrë sintetike paraqitet qartë estetika e veçantë e mishëruar në veprat tua. Një frymë e qetë polemizuese duket edhe në vështrimet objektive të kritikëve që kanë nënvizuar mjeshtërinë artistike të realizimit të veprave dhe idetë që barten përmes tyre.
Duhet vënë re se ju nuk i trembeni polemikës, nuk ua ka ënda paqen me të gjithë. Refuzimi juaj estetik i mishëruar ndër vepra, shfaqet qartë edhe në mohimin e prerë të çdo lloj dogme. Por fryma juaj polemizuese kufizohet brenda caqeve ftilluese të shtegut tuaj krijues, që shkon në një drejtim të kundërt me rrjedhën e mendësive imponuese dhe totalitare. Duke qenë e tillë, mbetet përherë një polemikë dashamirëse që konfliktin e ka me idetë e gabuara dhe jo me persona të veçantë. Në jetë ka të verbër natyral, siç ka dhe të tjerë që për asnjë arsye nuk duan të shohin. Keqardhje për të gjithë. Kanë humbur një mundësi për ta parë e shijuar më mirë jetën e tyre.
Në vështrimet tua duket se bota juaj letrare ngrihet mbi një mendim të kristalizuar, mbi një platformë origjinale estetike, që pohon trashëgiminë më të mirë letrare. Duke qenë thellësisht shqiptare, ajo është njëkohësisht pjesë e kulturës së përbotshme. Humanizmi është bazamenti në të cilin lartësohet e marrin formë veprat tua. Njeriu dhe liria e tij janë përherë në qendër. Në kredon tuaj krijuese gjallon besimi i shëndoshë tek vepra juaj letrare, një besim që edhe më tej do t’ju nxisë, që të ngreni e të përsosni më tej ngrehinën tuaj të artit.
E pashë “Shetitarin e Buklisit” edhe si një vend metaforik, ku buka e përditshme gjendet në lisat hyjnorë si një dhuratë e zotit. Në brendinë e tij mu duk se ndodhesha në kthinat e një shtëpie tradicionale në të cilën ndihet kthjelltë fjala e miqve dhe fjala mikpritëse e të zotit të Kullës. Një harmoni e përsosur. Bukë e kripë e zemër pajtohen edhe me ngrohtësi, sinqeritet i thellë, besë e burrëri, kurajo e guxim qytetar për tu shkuar deri në fund të vërtetave sado të hidhura të shfaqen, sado munduese të mbeten. Jo vetëm si një prirje për të çliruar shpirtin, si për të larë duart si Pont Pilati: “Kërkova mendimin tuaj, bëni si të doni, tani edhe mund të thyeni qafënl”, por për të udhëtuar së bashku me miqtë e me kundërshtarët miq e jo miq në betejën e përbashkët për ta bërë më të mirë jetën, “si dritëzues për tu shkëputur nga bota e zvarranikëve dhe mizeriet e jetës”, ashtu siç thua me të drejtë.
Shihet qartë se bota jote letrare Ton është reale, e qenësishme, e gjallë dhe e plotë, e pamohueshme dhe e pa asgjësueshme. Ajo ka relievin e saj të përthyer ku shfaqen të mprehta pjesët më të dukshme: malet dhe humnerat. Malet edhe si një pikë takimi me qiellin dhe qielloren dhe humnerat si e kundërta e tyre, si një zgjatim i mnershëm drejt territ dhe errësirave të Ferrit. Malet kanë pyje me gjeth e lule, livadhe të blerta, kroje të kristalta, liqene të kulluara, zogj, bilbila, zana që lodrojnë në paqe me natyrën dhe njerëzit. Ndërsa humnerat e jetës janë të populluara me bimë gjëmbore të helmta, ligatina e gjole ku uji nuk e njeh rrjedhën e rinimit e të vetëpastrimit. Në Ferr vuajnë së bashku shtypës e të shtypur, përbindësha të frikshëm që rriten prej territ të frikës, ku krimi, mosmirënjoja, dhuna dhe pabesia bëjnë ligjin, ku buajt e lerosur shkelin e shkallmojnë çdo ëndërr lirie.
Në të dy krahët e jetës, qoftë në lartësitë e ëndrrave, qoftë në përditshmërinë e zakonshme që nuk i lë asgjë mangut ferrit, personazhet portretizohen me mjeshtëri e gjallëri artististike që duke ruajtur pavarësinë e tyre, nuk ua merr frymën ngjashmërive të panumërta me jetën reale. Të ngjan se i ke parë, ke folur me ta, je mirëkuptuar a përplasur dhunshëm me ta duke i bërë armiq të përhershëm. Situatat artistike të mbajnë frymën pezull. Ankthi i personazheve kalon pahetueshëm te lexuesit që e ndjejnë veten në të njejtën gjendje me krijuesin e veprës. Gjuha e drejtëpërdrejtë, alegorike dhe herë-herë profetike mbërrin cakun më të lartë të përçimit të ndjesive më të holla.
Kam bindjen se kjo botë letrare, tashmë e veçantë, është një risi e shëndetshme në letrat tona. Fjalët e mia, Ton, pa pikën e dyshimit bartin një dozë të dukshme subjektiviteti, të cilin nuk kam arsye ta heq prej vetes. Dua t’i besoj vetëdijes dhe intuitës sime se pjesa iluzore e perceptimeve të mia është krejt e papërfillshme. Shpresoj që e njëjta ndjesi është përjetuar gjithashtu edhe nga lexuesit tuaj, tek syri i mençur i të cilëve ti ke besuar gjithmonë në jetën e përditshme dhe në çastet hyjnore të krijimit. Duke u ndjerë bashkë me lexuesit, gjithkush e ka më të lehtë të kapërcejë rrethin e padurueshëm të vetmisë.
Unë nuk i trembem subjektivitetit. Syri i paanshëm, i pagabueshëm dhe gjithpërfshirës ndodhet vetëm në përfytyrimin tonë për Hyun. Ku sy i pagabueshëm është i pamundur për tokësorët e zakonshëm. Ndoshta aryeja e kulluar objektive ka mbetur thjesht një shpikje djallëzore për ta penguar njeriun e vogël të shprehet e të vetëshprehet në vetminë e tij, ashtu si i a do shpirti. Që të mbetet përherë i vetmuar, pa e gjetur kund fillin e harmonizmit e të bashkëpunimit me të tjerët. Në këtë rast, akuza për subjektivizëm shndërrohet në pranga çensuruese.
Eshtë e njohur miku im se shpirti shqiptar ia ka dalë mbanë me ruajtë fytyrën e vet në këto përsiatje mijvjeçare, të cilat shtegun fatlum të shfrimit e gjetën në kcime e vallëzime, në këngë të buta që përtërijnë jetën e në këngë trimnije vetëmbrojtëse, në përralla fantastike e rrëfime realiste, në fjalë të arta e enigma, ku stërvitet e hapet horizonti i dijes njerëzore. Fjalë të ruajtura si zjarri prometeik në çdo vatër shqiptare e të transmetuara ndër breza prej kohësh që s’mbahen mend deri në ditët e sotme.
Fjala e shkruar, e prangosur në pergamenë, në letër e faqe librash është një dukuri relativisht e re në jetën kombëtare të shqiptarëve. E pikërisht, kur kjo zeje pat marrë vrullin e shëndetshëm të kohës, një flamë robërie u përpoq sa mundi me ia pre krahët dhe kufizuar qiellin e fluturimit. Po shpirti u ruajt sërsish në mekanizmat e hershëm të vetëruajtjes dhe të mbijetesës përmes shfrimeve vetjake dhe aftësive ripërtëritëse mijëvjeçare.
Edhe kur përbindëshat që patën bllokuar ujin e jetës u hoqën më së fundmi nga mjedisi shqiptar, kur u shpresua se jeta do të merrte frymë lirisht, mbetjet satanike të së djeshmes së afërt dhe të largët, ende ruajnë vetitë helmuese, si një rrezatim i fshehtë radioaktiv dhe si rrezik i hapur i kalbjes ende në qiell të hapur. Kufoma e së djeshmes ende nuk ka hyrë në dhe. Shpirtra të zinj që nuk i tret as Ferri ende trazojnë lëngatën e krimeve. Kjo besoj është edhe arsyeja më e dukshme e ngjizjes dhe e formimit të botës suaj letrare, që bie në kundërshtim me kanunet që ngurtësonin ligje asfiksuese për artin dhe shprehjen artistike në përgjithësi.
Kjo u pa qartë në poezi që në vëllimin e parë “Lulet e Ksenit”, që, sipas teje, mblodhi krejt “mushtin e zemrës së paekspozueme”, një libër që krijuesit e Selanikut, në konkursin që organizuan, e vlerësuan me çmimin e parë. Në vështrim të menjëhershëm, “Lulet e Ksenit” duken si krijime të buruara nga një shpirt i përmalluar për tokën e të parëve në vendin e huaj ku e degdisi fati.
Por shtresat kuptimore shkojnë gjithnjë e më thellë. Kseni, i huaji, nuk është i tillë vetëm larg vatrës familjare, larg krahinës apo larg atdheut, por i huaj mund të ndjehet dhe të trajtohet, kudo ku ndodhet. I huaj në vendin e huaj, ngjan të jetë më e përballueshme për njeriun që përgatitet të shohë vende dhe njerëz të tjerë, të ndryshëm nga vetja. Të jesh i huaj brenda pragut tënd, në vatrën tënde, ku ndonëse flitet e njëjta gjuhë, prapë nuk arrin të kuptohesh, të mirëkuptohesh, të mirresh vesh më të tjerët, që duhet të jenë njerëzit tuaj, gjaku yt, kjo sigurisht është dukshëm më e rëndë, më e papërballueshme. Poeti kështu zbulon një nga aspektet më tragjike të jetës.
Prirja për të parë më thellë lëkurës së jetës u përvijua tek “ Dashuri të pashijuara”, që ju i dashur Ton, e konsideroni si një shpërthim të digës së mbushur me helmin dhe nektarin e jetës. Kjo prirje sistematike rivlerësuese, njohëse dhe stigmatizuese merr formë të plotë veçanërisht në librin poetik “Honeve të Askundit”, ku siç thotë edhe studjuesi Primo Shllaku, “shtëpia poetike e autorit formësohet e konsolidohet artistikisht”.
A mund të shihet çfarë ndodh në faqen e pasme të Malit, në anën e pandriçuar të Hënës, brenda zemrës tënde dhe brenda zemrës së të tjerëve, përtej të padukshmes e të pakapshmes? A mund të kapërcehet hendeku midis pamjes dhe thelbit, midis fjalës dhe shpirtit që e nxjerr fjalën, a mund të depërtohet më thellë se siprina e lustruar dhe e rrejshme e jetës, a mund të nxirren në sipërfaqe thesaret e grabitura, jetët e nëpërkëmbura, heronjtë e vrarë e të tradhëtuar mijra herë? A mund t’i dilet krah lirisë së dhunuar e të përdhunuar, a mund të dalë në dritë të diellit mekanizmi djallëzor që mbajti në prangat e territ dhe të dhunës njeriun, çdo burrë dhe grua, robëroi fshatra, qytete, krahina, shkretoi mbarë kombin?
Ju provuat Ton gjithë këto dilema dhe, sipas meje, ia dolët mbanë përmes botës suaj letrare në përgjithësi dhe posaçërisht përmes prozës së gjatë që ju e quani “kundraroman” si opozicion me emërtimin tradicional “roman”. Kundraromanet tuaja si një realitet artistik shkojnë krahas me prirjen për t’i dalë zot jetës njerëzore.
Ju nuk e keni problem termin në përgjithësi, por i kundërviheni krijimtarisë nën metodën e realizmit socialist, që nën termin “roman” dha në të shumtën e herës, krijime me vlera të dyshimta letrare, krijime të politizuara në shërbim të një regjimi diktatorial që mori nëpër këmbë liritë dhe të drejtat njerëzore. Krijime të tilla i shërbyen trullosjes, përgjumjes dhe shpërlarjes së trurit. Ato krijuan një mjegull artificiale për të mos parë të vërtetat e jetës, një mjegull e kuqe, e sheqerosur, që fshihte varfërinë materiale e shpirtërore, maskonte dhunën dhe krimet e kësaj dhune të egër duke mbuluar shtigjet drejt udhëve të lirisë.
Kundra romanet “Engjuj pa qiell”, “Jeta e Vjellagjolasve” dhe “Oazi që mund shkretinat janë bërë objekt vlerësimi, admirimi dhe studimi të mjaft kolegëve shkrimtarë e dashamirës të letrave. Ato janë përpjekur me sukses të hyjnë në thelb të vlerave që ngërthejnë brenda tyre, të zbulojnë risitë estetike e vlerat origjinale të prurjeve artistike në përgjithësi. Primo Shllaku, Diana ?uli, Adelina Balashi, Vasil Vasili, Pirro Loli, Iliaz Bobaj, Zamira Matoshi etj., janë vetëm një pjesë autorësh, që kanë ndriçuar anë të veçanta të kësaj bote letrare.
Ndonjëri prej tyre si Vasil Vasili në esenë e tij “Kundraroman në mekanizmat e legjendës” e sheh veprën tuaj në një dritë interesante, që të nxit më tej mendimin. Kundraromanin tuaj “Jeta e vjellagjolasve” e sheh si të buruar nga psikologjia popullore, si një libër që dikur “ka qenë në një formë tjetër”, i shpërndarë në këngë e gojëdhëna, të cilave autori u ka ruajtur mekanizmin krijues duke i bashkuar në strukturën e prozës. Një mënyrë interesante për të shfaqur një realitet të pamohueshëm, Ton, se ju jeni mbështetur, siç edhe unë mendoj, në shpirtin e pasosur krijues të popullit. Ndërsa shkrimtarja e njohur Adelina Balashi te “Engjuj pa qiell” zbulon efektin e mjegullave që shkon krahas me dhunën tiranike, si me vetë murtajën, me botën e shpërfytyruar që jeton nën mjegull dhe deformimin mjegullor të gjithçkaje.
Një botë letrare ashtu e plotë dhe me tipare të spikatura ka shenjat e saj të pashlyeshme, ka simbolikën e personazheve dhe të toponimeve gjegjëse, ka shprehjen e drejtpërdrejtë të autorit dhe shprehjen e tërthortë metaforike dhe alegorike përmes shembëlltyrash që na sjellin në hatër urti të hershme popullore dhe urti biblike. A mund të shihet edhe përtej vlerësimeve të shfaqura deri tani? A mundet që dikush të rrudhë buzët me mosbesim rreth këtyre vlerave afirmative që janë përmendur nga kritika e studjuesit? A mund që dashmirësia e shfaqur në të shumtën e herës, të bëhet pengesë për të parë edhe diçka tjetër që ndoshta mund të shmangej, sikur kritika profesioniste të ishte instaluar në këtë vend?
Poezia më e bukur, ende nuk është shkruar do të thoshte në një varg të tij Ali Podrimja. Po unë jam i lumtur që kam gjetur çelsat për të hyrë në shpirtin e botës suaj krijuese, Ton Zmali. Një botë komplekse, por e sistemuar, sipas një projekti të veçantë krijues, që ka imituar vetveten, domethënë, botën e tij dhe të të parëve tij krijues, burra në zë si atdhetarë, burra dheu në kuvende dhe në ballë të luftrave, rapsodë të thekur të së bukurës si zana, këngëtarë e filozofë të përhershëm. Eshtë një truall me besë ku këmba nuk do të shkelë kurrë në dërrasë të kalbur.
Do të doja të shtoja veçanërisht një kontribut të veçantë që sillni në kundraromanet tuaja, ku i bëhet autopsia dhunës, ku me një saktësi shkencëtari zbuloni tiparet tipologjizuese të dhunës, portretin fizik e shpirtëror të bartësve të saj dhe disa nga aktet më të ulta dhe perverse të ushtrimit të dhunës. Jam i sigurtë se një pjesë dhunuesish që vegjetojnë ende në skutat e jetës kanë arsye të plotë të mos e duan veprën tuaj. Ta urrejnë, madje, siç mund të urrehet pasqyra ku shohin çdo ditë shëmtinë e ekzistencës së tyre. Por edhe më tej akoma. Nuk ka ende një pasyrë për të shfaqur të plotë shëmtinë e fshehur. Pasqyra jote, Ton Zmali, është treguar e pamëshirshme duke shfaqur edhe anët më të errta të shpirtit të dhunës dhe të dhunuesve. Anë, të cilat ata nuk kanë dashur t’i shohin asnjëherë.
Me një sy tjetër janë parë prej jush të dhunuarit, viktimat e dhunës. Ju keni depërtuar thellë në shpirtin e viktimave, duke zbuluar pamje të kundërshtimeve të hapta dhe të fshehta, të shtresëzimit përjetues të vuajtjes, të ngjyrimeve të dhimbjes, të dridhjeve më të holla ndjesore. As Migjeni nuk pati fatin të hyjë kaq thellë në honet njerëzore të mjerimit, që shtrëngohet dhunshëm prej tiranisë së dhunës.
Por, siç thuhet edhe viktima nuk është krejt pa faj për gjendjen e saj. Sigurisht viktima nuk do ta duronte fshikullin stigmatizues e sarkastik të autorit, por do ta përvëlonte me të drejtë ironia e tij.
I dashur Ton,
ju nuk jeni i fiksuar pas portretizmit të dhunës thjesht si një hakmarrje tradicionale shqiptare. Gishti juaj tregon plagët që, duke qenë të fshehta, mund të rihapen sërish. Mund të thuhet ndoshta se ju jeni vërtetë i fiksuar pas dashurisë për lirinë e njeriut, për lirinë e zgjedhjes së udhëve që do ta çonin në realizimin e prirjeve, pasioneve të tij, në sendërtimin e ëndrrave për jetën, në zgjedhjen lirisht të dashurive të tij dhe të mundësive të pakufizuara të shprehjes dhe vendim marrjeve politike.
Si armik i vesit ju lartësoni virtytet. Me natyrshmëri, pa retorikë të tepërt, pa e ngritur zërin. Thjesht me zërin e zemrës që vuan jo vetëm për vete. E megjithatë sërish dikush do të mbetet jo fort i kënaqur, do t’i duket pakëz hiperbolike mbase zhbirimi deri në guvat më të largëta të vesit. Mund ta pranoj edhe unë kërkesën e përhershme për të rritur mjeshtrinë artistike dhe për të stërholluar gjithnjë mjetet e format e shprehjes, por nuk mund të qortohet drita e fortë e diellit, pse na zbulon me bujari pamjet më të plota të botës sonë.
Izet Duraku
Ndaje me miqte