Ismail Kadare nderohet me &ldquoDekoratën e Flamurit Kombëtar&rdquo
13 Maj 2016
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi shkrimtarit te shquar Ismail Kadare “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” me motivacionin: “Në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje të pakufishme për veprat e vyera letrare, për pasurimin e pashtershëm e të çmuar të letrave shqipe, si dhe për kontributin e jashtëzakonshëm dhënë në drejtim të lartësimit të emrit e vlerave të kombit shqiptar anembanë botës”.Kreu i shtetit ia dorezoi Dekoraten shkrimtarit të madh, gjatë punimeve të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare “Shekulli i Kadaresë”, organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, me rastin e 80-vjetorit të lindjes se tij.
Në fjalën e tij, Kreu i shtetit vlerësoi veprën e Kadaresë, që siç tha ai, nuk i përket vetëm kombit shqiptar, por është përtej kombit shqiptar, ajo është vlerë e kulturës botërore. “Ashtu si edhe vetë mjeshtri Kadare nuk i përket vetëm kombit shqiptar. Ai tashmë i përket fondit akademik, shkencor, kulturor botëror. Ne shqiptarëve na takon që ta referojmë veprën e Kadaresë dhe vetë mjeshtrin në radhë të parë me vetë identitetin tonë, me kontributin për kombin shqiptar”, tha Nishani.
Ai vuri ne dukje ‘kontributet e paçmuara’ te Kadarese, dhe meritat e tij krijuese dhe qytetare, si mendimtar dhe si veprimtar, si rikrijues i një Shqipërie të denjë letrare për botën.
Presidenti theksoi se edhe në një sistem tiranik si komunizmi shqiptar, Ismail Kadare ruajti dhuntinë e shkrimit dhe zgjeroi hapësirat e lirisë mendore për të gjithë ne. “Vepra e tij ishte hapësirë lirie dhe univers i pamatë krijues dhe izolimi komunist e humbi betejën themelore me veprën e Kadaresë. Ai bëri letërsi të madhe evropiane në Shqipëri kur ajo anatemohej si e keqja absolute. Ai e mbajti shpirtërisht Shqipërinë në Evropë duke i plotësuar këtë nevojë jetike dhe ne u kapëm tek kjo spirancë kur thërrisnim në vitet 1990-të ‘E duam Shqipërinë si gjithë Evropa! nenvizoi Kreu i Shtetit.
Kadareja, theksoi ai, është një shkrimtar që arriti të shkruante letërsi evropiane duke mbijetuar në një regjim të vdekur.
Në Konferencën ishin te pranishëm kryetari i Akademisë së Shkencave, Prof. Muzafer Korkuti dhe anëtarë të Akademive së Kosovës dhe Maqedonisë, ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik, studiues, përkthyes, dhe miq të shkrimtarit nga mbarë bota.
Ndaje me miqte