Ilirian Shima &ldquorrëfehet&rdquo në galerinë Art Zone të Athinës
11 Maj 2016
Skulptori i njohur shqiptar Ilirian Shima, që jeton prej më shumë se dy dekadash në Athinë, do të ekspozojë punimet e tij të fundit në galerinë Art Zone, në kryeqytetin grek.
Ekspozita personale ka titullin kuptimplotë “Rrëfime”.
Sipas prezantimit që bën galeria, “skulpturat e Shimës hymnizojnë dhe përqafojnë jetën dhe njeriun. Magjia e tyre shpaloset përmes formave të thjeshta, që ndërkaq gjenerojnë ndjenjat më të fuqishme. Në punime dominojnë kurbat, me referime në trupin e njeriut, duke krijuar forma ndërmjet abstraktes dhe konkretes dhe duke prezantuar respektivisht nocionet e femrës dhe të mashkullit.
Veprat e Shimës, tejet erotike, janë të punuara në gur, mermer, dru dhe bronz. Janë kaq të kompletuara në thjeshtësinë e tyre; sa më modest prezantimi, aq më koncize forma dhe kuptimi i saj. Vepra që theksojnë dhe nxjerrin në pah pjesë të trupit njerëzor me një finesë të jashtëzakonshme, ndërsa sugjerojnë unitetin shpirtëror, sentimente, pasione dhe mendime të brendshme që transformohen në rrëfime të prekshme”, thuhet në prezantimin e galerisë Art Zone.
Ekspozita do të hapet më 12 maj 2016 dhe do të qëndrojë e hapur deri më 4 qershor. Galeria ndodhet në adresën Vasileos Konstantinu 42, Athinë, pranë statujës së presidentit Truman.
Tribuna
Ndaje me miqte