Himara deklaratë me tone të ulëta e qeverisë greke
01 Nentor 2017
Për ngjarjet e ditës së martë në Himarë është prononcuar edhe zëdhënësi i qeverisë greke, Dimitris Tzanakopulos.
Ai tha se Athina “po ndjek me shumë vëmendje zhvillimet dhe qeveria greke punon për mbrojtjen e të drejtave njerëzore, por edhe të drejtës së pronës të minoritetit grek në Shqipëri. Përndryshe, iniciativat që merr ministria e jashtme greke për mbrojtjen e këtyre të drejtave janë të vazhdueshme”, ka deklaruar zëdhënësi.
Në fakt, zëdhënësi i qeverisë greke nuk ka dalë enkas për këtë deklaratë, por ai u pyet lidhur me zhvillimet në Himarë, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët.
Më herët, në mënyrë më të ashpër kishte reaguar partia më e madhe opozitare, Demokracia e Re.
Në deklaratën e tyre, konservatorët grekë kërkonin që qeveria shqiptare të ndërpriste menjëherë çdo veprim që bie ndesh me të drejtat e pjesëtarëve të minoritetit grek që banojnë në Himarë”.
Por opozita kërkonte dhe nga qeveria greke që të reagonte sa në plan dypalësh, edhe europian dhe këto reagime të qeverisë greke të bëheshin para nisjes së bisedimeve paketë greko-shqiptare”, që janë paralajmëruar për pesëmbëdhjetëditëshin e parë të nëntorit.
Ndaje me miqte