Hashim Thaçi zgjidhet President i Kosovës
26 Shkurt 2016
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, u zgjodh president i Kosovës në raundin e tretë të votimeve mes tensionesh të larta politike.
Ai fitoi me 71 vota në raundin e tretë pasi që në dy raundet e para nuk arriti të sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve.
Zgjedhja e tij kundërshtohet ashpër nga partitë opozitare të cilat dy herë radhazi ndërprenë seancën e sotme duke hedhur gaz lotsjellës.
Në pjesën e parë të seancës, deputetët e opozitës njëri pas tjetrit diskutuan kundër zgjedhjes së zoti Thaçi në postin e presidentit duke e akuzuar atë dhe kryeministrin aktual, Isa Mustafa, për veprime të dëmshme kundër Kosovës. Në debatet e tyre ata vunë theksin tek marrëveshjet e arritura në bisedimet me Serbinë si dhe atë për shënimin e kufirit me Malin e Zi.
Deputetët e opozitës shfaqën dyshimin se kandidati për president Hashim Thaçi, mund të ketë bërë lëshime të reja përballë Listës serbe në shkëmbim të votës së tyre në favor të zgjedhjes së tij.
Derisa po zhvilloheshin raundet e votimeve, jashtë parlamentit, policia përdori gazin lotsjellës dhe "topat e ujit" për të shpërndarë grupe protestuesish që hodhën shishe me benzinë në kundërshtim të procesit të zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës.
Të paktën 11 pjesëtarë të policisë dhe një protestues janë lënduar gjatë përleshjeve.
Zgjedhja e presidentit të ri që sipas Kushtetutës duhet të ndodhë deri më 7 mars, përkon me krizën më të thellë politike që ka përjetuar Kosova që nga shpallja e pavarësisë së saj. Opozita u hodh në protesta në parlament dhe jashtë tij për të kundërshtuar marrëveshjet e arritura para një gjysmë viti për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe shënimin e kufirit me Malin e Zi.
Por, krahas këtyre dy çështjeve, partitë opozitare akuzojnë partitë në pushtet edhe për gjendjen e rëndë ekonomike në vend, korrupsionin dhe dështimet në politikën e jashtme.
Zëri i Amerikës
Ndaje me miqte